Në vend-depozitimin e mbetjeve urbane pranë rrjedhës së Vjosës jo vetëm ushqehen derrat por mund të hyjë lirshëm kushdo, shpeshherë duke u vënë flakën.

“Po këtu digjen gjithmonë plehrat dhe shpërndahen deri në lum”, tha banori i zonës.

Volumi i mbetjeve urbane është aq i madh saqë kalon rrethimin e vend-depozitimit duke përfunduar në lumë. Nga Bashkia e Tepelenës nuk ka plan emergjence, pasi pritet që këto mbetje ashtu sikurse të gjithë Qarkut të Gjirokastrës, të trajtohen në të ardhmen në landfillin e Bajkaj në Delvinë.

“Ne nuk e dimë se kur do të nisë depozimi i plehrave në landfillit të ri sepse është një projekti i qeverisë”, tha Besiana Xhafaj specialiste e mjedisit Bashkia Tepelenë.

Më kritike situata është në Memaliaj. Këtu nuk egziston rrethimi. Vend-depozitimi ndodhet gati 200 metra nga rrjedha e Vjosës. Firma që merret me grumbullimin dhe depozitimin e mbetjeve, nuk ka respektuar aspak elementët e sigurisë dhe të trajtimit të tyre.

Në katër bashki qe prek ky lumë i egër, dy prej tyre ende vijojnë të trajtojnë mbeturinat pranë shtratit të Vjosës. Ndërsa në Bashkinë e Përmetit, vendgrumbullimi i trajtimit të mbetjeve urbane është transferuar në Piskovë, pranë një tjetër lumi që derdhet në Vjosë.

Ndonëse trajtimi i mbetjeve për Bashkinë e Përmetit bëhet i organizuar, sërish pranë shtratit të tij hidhen ende mbeturina, siç shihet në pamjet e Report Tv xhiruar në rrugën drejt Lëshicës. Ndërsa në Këlcyrë Bashkia i trajton mbetjet më larg rrjedhës së Vjosës në një vendgrumbullim të përkohshëm.