TIRANE - Peticioni i Aleancës Kundër Importit të Plehrave, i firmosur nga 60 mijë qytetarë do të shqyrtohet në datë 12 shkurt nga Gjykata Kushtetuese, gjykimi që do të jepet mund t’i hap rrugë referendumit. Kjo është bërë publike në tryezën që AKIP ka zhvilluar gjatë ditës së sotme me shoqërinë civile ku ish-presidenti Alfred Moisiu ka shprehur mbështetjen ndaj kësaj nisme dhe ka deklaruar se referendumi kundër importit të plehrave është mjaft i rëndësishëm për jetën e qytetarëve.

“Kam qenë kundër importit që në 2004, ne nuk na mungojnë ligjet por zbatimi i tyre. Kjo nuk është çështje politike por bëhet fjalë për jetën e qytetarëve të Shqipërisë. Gjykata ka treguar gjatë këtyre viteve seriozitet, shpresoj që dhe kësaj here të marrë një vendim të duhur”, tha Moisiu gjatë aktivitetit.

Ndërsa aktivisti i kësaj aleance, Lavdosh Feruni, ka theksuar se nisma për të bërë referendum kalon përtej interesave private. Edhe nismëtarë të tjerë të kësaj aleance janë shprehur se ky peticion i cili gjatë këtyre 20 viteve është i dyti që shkon për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese do të mund të kthejë qytetarin nga një rol pasiv që ka deri tani, në një rol aktiv.

(jk/shqiptarja.com)