/ATSH-AFP/ - Rumania dhe Bullgaria i përmbushin të gjitha kriteret për integrimin në hapësirën e qarkullimit të lirë Shengen dhe nuk është e drejtë që kjo të refuzohet, theksoi presidenti bullgar, Rossen Plevneliev në një intervistë të publikuar sot nga agjencia austriake e lajmeve APA.
"Ne i përmbushim të gjitha kriteret dhe i mbrojmë më mirë kufijtë tanë se shumë vende të tjera anëtare. Kemi të gjithë elementët për ta provuar këtë dhe presim që shtetet anëtare të marrin sa më shpejt një vendim të përgjegjshëm", deklaroi ai në kuadër të një vizite në Vjenë.
"Është kundër rregullave evropiane që Bullgaria dhe Rumani të mos marrin atë për të cilën kanë të drejtë, për shkaqe politike të brendshme në shtetet e tjera anëtare", shtoi ai.
"Shengeni nuk ka të bëjë me politikën. Ai bazohet në kritere objektive. Ky ka qenë rasti për të gjitha vendet e tjera që janë integruar", nënvizoi presidenti pro-evropian, Rossen Plevneliev duke shtuar se nuk ishte e drejtë që Bullgaria dhe Rumania të bëheshin objekt i një trajtimi të ndryshëm.