Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka raportuar tre vdekje të lidhura me një shpërthim të mundshëm të hantavirusit, një sëmundje që mund të shkaktojë sindromë respiratore akute, në bordin e një anijeje turistike në Oqeanin Atlantik.
“OBSH është informuar për një ngjarje të shëndetit publik që përfshin një anije turistike në lundrim në Oqeanin Atlantik dhe po ofron mbështetje”, bëri të ditur organizata.
Anija, MV Hondius, ishte nisur nga Ushuaia drejt Kepit të Gjelbër. Sot ajo ndodhej pranë portit të Praias, kryeqyteti i Kepit të Gjelbër. “Deri më tani, një rast infeksioni me hantavirus është konfirmuar në laborator dhe pesë raste të tjera janë të dyshuara. Nga gjashtë personat e prekur, tre kanë vdekur dhe një është aktualisht në terapi intensive në Afrikën e Jugut”, tha agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara.
Pasagjeri në fjalë, një britanik 69-vjeçar, është i shtruar në spital në Johanesburg.
“Megjithëse i rrallë, hantavirusi mund të transmetohet dhe të shkaktojë sëmundje të rënda respiratore; kërkon monitorim të kujdesshëm të pacientëve, mbështetje të përshtatshme dhe menaxhim të duhur”, theksoi OBSH. “Janë duke u zhvilluar hetime të thelluara, përfshirë analiza shtesë laboratorike dhe vlerësime epidemiologjike. Ndihmë mjekësore dhe mbështetje po u ofrohen pasagjerëve dhe ekuipazhit. Gjithashtu është duke u kryer sekuencimi i virusit”.
Sipas një burimi që ka njohuri për rastin, i cili kërkoi të mbetet anonim, një çift holandez është mes tre viktimave. Besohet se viktima e tretë ndodhet ende në bordin e anijes. Një pasagjer 70-vjeçar ishte i pari që shfaqi simptomat. Ai vdiq në bord dhe trupi i tij ndodhet aktualisht në ishullin Shën Helena, territor britanik në Oqeanin Atlantik Jugor. Edhe bashkëshortja e tij, 69 vjeçe, u sëmur në bord dhe u evakuua në Afrikën e Jugut. Ajo vdiq atje në një datë të paspecifikuar në një spital në Johanesburg, tha i njëjti burim, duke shtuar se nuk mund të specifikojë kombësinë e viktimave.
Sipas një burimi anonim, janë në zhvillim diskutime për të përcaktuar nëse dy persona të tjerë të sëmurë do të vendosen në izolim në një spital në Kepin e Gjelbër, pas së cilës anija mund të vazhdojë udhëtimin drejt Ishujve Kanarie, rreth dy ose tre ditë lundrim larg. OBSH, nga ana e saj, thotë se “po lehtëson koordinimin” midis vendeve dhe operatorëve të anijes për të “organizuar evakuimin mjekësor të dy pasagjerëve që paraqesin simptoma”. Ajo gjithashtu vlerëson “shpejtësinë e masave të marra dhe koordinimin e shkëlqyer midis të gjitha palëve të përfshira”.
MV Hondius shfaqet online në faqet e disa agjencive turistike, kryesisht me bazë në Argjentinë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Një prej këtyre kompanive ofron një kroçerë me nisje nga Ushuaia dhe destinacion Kepin e Gjelbër, me ndalesa në ishujt Gjeorgjia e Jugut dhe Shën Helena. Ajo mund të akomodojë rreth 170 pasagjerë dhe ka një ekuipazh prej rreth 70 personash.
Hantaviruset transmetohen te njerëzit përmes brejtësve të egër të infektuar, si minjtë të cilët e nxjerrin virusin përmes pështymës, urinës dhe feçeve. Një kafshim, kontakti me këta brejtës ose me jashtëqitjet e tyre, apo thithja e pluhurit të kontaminuar mund të shkaktojë infeksionin. Ekzistojnë shumë lloje hantavirusesh, të cilat dallohen sipas shpërndarjes gjeografike dhe paraqitjes klinike. Sipas faqes së Zyrës Federale të Shëndetit Publik të Zvicrës, “vetëm një lloj virusi, jashtëzakonisht i rrallë, mund të transmetohet”./Corriere
Komente










