Plot pjata me mish dhe vjersha në FB

Plot pjata me mish dhe vjersha në FB

Ky vit i ri me festa dhe me plot gjëra të padëshiruara. Hape facebook-un:

Të bëhet sikur hyn në sallën e ngrënies ku sapo janë ngritur dasmorët apo mortorët. Pjata, pjata.., kocka dhe mish i paprekur ende, raki, coca- cola, ivi, pepsi, pak ujë, gota pa fund me gjurmë gishtash të lyrshëm.

Njësoj si në një sallë ku mortorët ose dasmorët sapo kanë ikur. Veçse në rastin e tanishëm ka disa ndryshime:

Këta nuk janë as mortorë dhe as dasmorë; këta janë miq që takohen sa nga emigracioni aq edhe për një rast koti. Këta janë njerëz të facebook-ut.

Ndryshimi i tyre me dasmorët apo mortorët tradicionalë:

Këta pasi kanë ngrënë i pirë, nuk ngrihen nga tavolina, këta do të ngrihen vetëm pasi të kenë bërë fotot e tavolinës dhe pasi t’i kenë postuar në facebook.

Ndryshimi nga ata të tavolinave tradicionale:

Këta nuk e mbajnë për vete dhe për mikun nderin e tavolinës; këta ndajnë ushqimin me gjithë dynjanë.

Pjata dhe gota pirg. Pamje që ta shpifin. Nën tavolinat plot në fb shkruhen fjalë pa fre, gati vargje folklori: ‘Këtu me djalin e dajës dhe axhës, ia shtoftë zoti mallin e magjes’.

Pastaj vjersha, vjersha, …, pa fund.

Një popull poet të duket se të del përpara. Dikush, më i mençuri, del e u thotë ‘po ça jeni ju o vëlla, na e shëmtuat poezinë, më mirë të mos kishte dalë ky fb’. Një tjetërkush i gëzohet realitetit që tani nuk ka më as vlerë, as kontroll, as shtëpi botuese për vjershat:

‘Kjo kohë po, është për poezinë, shkruan ça të dush. Kadare e Agolli s’janë gjë se shkruan në kohë tjetër’, thonë këta. Vetë Sokrati, filozofi i Greqisë së Lashtë, pat thënë se vjershat nuk i kupton, ‘poetët shfrejnë makthet e tyre dhe përdorin ca fjalë që as vetë nuk i kuptojnë’.

Sikur Sokrati të kishte jetuar këtë kohë të fb?!… O do të kishte lënë mendjen nëpër ekrane, o do të ishte arratisur menjëherë andaj nga ka ardhur, në lashtësi.

Këto janë festat, si këto që kemi nëpër këmbë. Më mirë mos e hap facebook-un, as instagram- in.

Po pse kaq shpërthim ushqimi dhe vjershe edhe në mjetet moderne të kohës?

Këta njerëz, o nuk janë ngopur ende që nga kohët e ushqimit ‘me talone’, ose nuk kanë për t’u ngopur kurrë. Një pjesë e mirë e tyre nuk ngopen kurrë, këta edhe për të menduar mendojnë me stomak, si majmuni. Të tregojnë çfarë po hanë, kjo për ta është lavdi.

Këta njerëz shpesh kompensojnë atë që nuk e kishin dikur.

Mes pacientëve të Frojdit kishte disa të mbushur me frikë, frikë pikërisht për shkak të kujtimeve. Përpjekja e këtyre për t’i dëbuar nga ndërgjegjja idetë ose kujtimet e ankthshme, i bën që të mbushin pjatat e t’ia tregojnë dynjasë.

E njëjta gjë ndodh me vjershat. Kush nuk kishte mundur të dëshmonte pikë arti në të shkruar, tani është i lirë të shfrejë kundër frikës se ‘kurrë nuk do të mund të bëja vjersha’.

Pjatat dhe vjershat janë njësoj si edhe fenomenet e tjerë të obsesionit; si nata, si vetmia, njësoj si dekja, si gjarpri…

Sa kohë ka shumë njerëz që rrojnë me frikën e kaluar, aq do të kemi pjata dhe vjersha ne FB.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Finlanda heton dëmin shkaktuar kabllove nënujore elektrike me Estoninë

Finlanda heton dëmin shkaktuar kabllove nënujore elektrike me Estoninë