MEMALIAJ – Ndërron jetë në spitalin e Fierit njëri nga pasagjerët e plagosur si pasojë e sulmit me armë zjarri të autobusit të linjës Athinë-Tiranë me të cilin po udhëtonin 22 persona. 23-vjeçari Laurent Tabaku nga Elbasani nuk ka mundur t'i mbijetojë plagëve të marra, pavarësisht përpjekeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë. E plagosur ka mbetur edhe një 19-vjeçare nga Fieri, Qebarie Dihani.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnate, 27 janar, në të dalë të qytetit të Memaliajt, ku persona të paidentifikuar i kishin zënë pritë autobusit. Disa orë pas ngjarjes, menaxheri i linjës i cili ndodhej në autobus rrëfen për “A1 Report” sesi rrodhi ngjarja, ndërsa thotë se "për shka të errësirës i morëm për barinj".

Deri më tani janë shoqëruar në polici 10 persona për t'u pyetur në lidhje me ngjarjen. Po kështu, policia e Gjirokastrës ka marrë në pyetje të gjithë pasagjerët që ndodheshin në autobus, shoferin dhe menaxherin e linjës, ndërkohë që vijojnë kontrollet në të gjithë zonën. Sipas policisë kërkimet janë përqendruar në 4 komuna të Tepelenës: Kurvelesh, Luftinjë, Krastë, dhe komuna Lozpez.

Ndërkaq, është vënë në dispozicion shuma prej 10 mijë euro për këdo që jep informacion të vlefshëm mbi ngjarjen dhe autorët. Policia ka vënë në dispozicion numrin O694102732, për këdo që ka informacione të vlefshme për të mundësuar identifikimin dhe kapjen e autorëve të sulmit të autobusit të linjës Athinë-Tiranë.

PLUMBA AUTOBUSIT ATHINË-TIRANË, DËSHMIA: I MORËM PËR BARINJ
Disa orë pasi autobusi i linjës Athinë-Tiranë u sulmua me armë zjarri në një pritë në të dalë të qytetit të Memaliajt, menaxheri i linjës i cili ndodhej në autobus rrëfen për “A1 Report” sesi rrodhi ngjarja.
 
Edmond Tafa, menaxher i linjës, ka qenë i ulur pranë shoferit kur ka pikasur i pari një person në cep të rrugës. Për shkak të errësirës, pasi ora shënonte 01:30 pas mesnate, 27 janar, Tafa ka menduar se ishte bari. Por në momentin që autobusi ka ulur shpejtësinë, janë dëgjuar të shtënat me armë në drejtim të autobusit. Duke qenë se të shtënat dallohej se vinin nga armë të ndryshme, menaxheri thotë se mund të ishin më shumë se dy vetë ata që i sulmuan.
 
Autobusi, ku ndodheshin 22 pasagjerë, po udhëtonte në aksin rrugor Memaliaj-Mallakastër në afërsi të kthesës së Vasjarit në momentin kur është sulmuar, dhe si pasojë mbetën dy persona të plagosur: Laurent Tabaku, 23 vjeç nga Elbasani, i cili ndodhet në gjendje të rëndë, dhe Qebarie Dihani, 19 vjeç nga Fieri.
 
Pasagjerët e autobusit, mes tyre dhe i ati i të plagosurës, të intervistuar nga “A1 Report” treguan sot në mëngjes se autobusi po lëvizte ngadalë për shkak të rrugës së keqe dhe në momentin kur është qëlluar i kanë thënë shoferit të mos ndalej, por të ecte me shpejtësi.
 


INTERVISTA PER “A1 REPORT”: JA SI NA SULMUAN
Si e kujtoni momentin kur ju sulmuan?
Sapo kaluam Memaliajn. Është një kanal. U detyruam të ulim shpejtësinë. Atje na kishin bërë pritë. Ishte shoferi dhe unë, pranë pasagjerët.
 
Si e kuptuat ju që mund të ishin grabitës?
Pamë një njeri 3 m larg autobusit. Na u duk si bari. Aty ishte errësirë e plotë. Në atë moment vetëm kur dëgjojmë që na gjuajti.
 
Nga cila anë ju gjuajtën fillimisht?
Nga krahu i majtë.
 
Kjo është goditja e parë?
Shoferit i thamë jepi makinës me shpejtësi të madhe e pastaj dëgjuam, 5-6 gjuajtje kallashi.
 
U shqetësuan njerëzit?
Njerëzit u shqetësuan sigurisht dhe u shtrinë poshtë në autobus. E shtuam shpejtësinë e autobusit. Diku 8-10 km na doli policia përpara dhe aty hapëm krahun. Ndaluam se ishin dy anash të evidentuar që na qëlluan, por mund të ishin dhe më tepër. Njëri gjuajti me kallash, dikush tjetër me armë ose çifte.
 
Sa pasagjerë ishin në autobus?
22 persona. Plumbat na çanë radiatorin.
 
Si e kuptuat për vajzën dhe djalin që ishin plagosur?
Kur ndaluam 8 apo 10 km më larg, atëherë e kuptuam që dy pasagjerë ishin të palgosur se ajo vajza ishte e gjakosur, kurse ai djali nuk lëvizte fare.

ORA 12:45 AUTOBUSI I LINJËS ATHINË-TIRANË, MBËRRIN NË KRYEQYTET
Autobusi i linjës Athinë-Tiranë, i cili u qëllua në një pritë në afërsi të Memaliajt me armë zjarri, ka mbërritur rreth orës 12:45 minuta të mesditës në kryeqytet. Shenjat e plumbave dhe dëmtimet që ka pësuar autobusi janë të dukshme.

Njëri nga xhamat në anën e shoferit është thyer krejtësisht nga plumbat, dhe copat janë shpërndarë në të gjithë pjesën e brendshme të autobusit.
 
Shenjat e plumbave të shumtë të cilët janë gjuajtur në drejtim të autobusit dallohen qartë, dhe pothuajse të gjithë janë nga ana e krahut të shoferit dhe në pjesën e pasme të autobusit, pasi mjeti nuk ka ndaluar.
 
Drejtuesit e autobusit thonë se e bëjnë çdo ditë këtë linjë, por kjo ishte hera e parë që i ndodhte një incident i tillë.

ORA 09:27 SHOQËROHEN 9 PERSONA NË POLICI, VIJOJNË KËRKIMET
Policia e Gjirokastrës ka shoqëruar 9 persona në lidhje me sulmin me armë ndaj autobusit që ka ndodhur në Memaliaj. Burime zyrtare thanë se, deri tani janë shoqëruar në ambjentet e Policisë së Gjirokastrës 9 persona nga rrethi i Tepelenës.
 
Sipas policisë, “në datën 27 janar 2014, rreth orës 01.20 minuta të mëngjesit, në aksin rrugor Tepelenë- Mallakastër, vendin e quajtur Mogila, persona të pa identifikuar të fshehur poshtë rrugës nacionale kanë qëlluar me armë në drejtim të faqes anësore të autobuzit me targa AA 578 GC, të linjës ndërkombëtare Athinë -Tiranë”. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Gjirokastrës, “drejtuesi i autobusit nuk ka ndaluar por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës dhe ka ndaluar në fshatin Beraj ku ka kontaktuar me një patrullë të Policisë Rrugore”.

“Si pasojë e të shtënave është plagosur një prej pasagjerëve L. Tabaku, 25 vjeç nga Elbasani, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin e Fierit. Nga të dhënat e para rezulton së është lënduar lehtë jashtë rrezikut për jetën dhe një pasagjere tjetër Q. Dihani, 19 vjeçe nga Fieri”, ka bërë të ditur policia.
 
Burimet zyrtare nga Policia e Gjirokastrës thanë se, “me marrjen e njoftimit, menjëherë në drejtim të vendngjarjes janë nisur efektivat e Komisariatit të Policisë Tepelenë, dhjetra forca të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, si dhe dy grupe të FNSH”. “Vijon krehja e gjithë zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve”, ka bërë të ditur Policia e Gjirokastrës.

autobusi athine - tirane
(Foto: Autobusi i sulmuar dhe të plagosurit Qebarie Dihani dhe Laurent Tabaku i cili ndërroi jetë orë më vonë në spital. Foto të tjera

I ATI I QEBARIE DIHANIT: THASHË SE MË IKU FËMIJA

I ati i Qebaries rrëfen minutat e tmerrit gjatë sulmit me armë, kur pa vajzën e tij që u plagos nga plumbat.

"Thashë unë, iku fëmija, mbaroi. Isha bashkë në një sedilje me çupën. Ajo ishte nga krahu i xhamit që u thye edhe unë isha nga krahu tjetër. Autobusi u mënjanua për të ndaluar, ne bërtitëm të gjithë ec ec se do na vrasin të gjithëve. Vazhdoi autobusi rrugën, deri sa arritëm tek ndihma e policisë. Do vinim në shtëpi nga Greqia. U shtrimë të gjithë në tokë në autobus", rrëfen i ati i të plagosurës Qebarie Dihani.


(Video: I ati i të plagosurës Qebarie Dihani dhe mjeku i spitalit të Fierit)
 
ORA 07:54 I PLAGOSURI DEL NGA SALLA E OPERACIONIT, ENDE NE GJENDJE TE RENDE
Del nga salla e operacionit në Spitalin e Fierit, i riu që mbeti i plagosur gjatë natës pas sulmit me armë të autobusit të linjës Tiranë-Athinë. Laurent Tabaku, 23 vjeç është plagosur në pjesën e shpatullës dhe ka ardhur në spitalin e Fierit në gjendje kome.

Sipas mjekëve ai i është shtruar një opercioni prej disa orësh për shkak të plagës së rëndë që kishte marrë në trup, pasi kishte dëmtime në pjesët jetike. Sipas mjekut Kliti Gjerzai, 23-vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ka marrë rreth 7 qese gjak, si rezultati i hemoragjisë. Gjendja e tij edhe pas opercionit paraqitet ende e rëndë.

"Ndodhet në situatë shumë kritike. I janë dëmtuar organet jetësore, mëlçia, mushkria e djathtë, me një plagë plumbi që ishte në pjesën e pasme të kurrizit afër shtyllës kurrizore. Situata ngelet kritike, pacienti ka qenë dhe është nën efektin e shokut traumatike-hemoragjike nga një plagë me armë zjarri. Është në reanimacion. Vazhdon të marrë mjekim sipas të gjitha kritereve të reanimacionit", tha mjeku i spitalit.


PASAGJERËT: I THAMË SHOFERIT EC SHPEJT, FATI JONË QË SHPËTUAM
"Ishim në gjumë dhe nuk dimë gjë se kush qëlloi me armë. U shtrimë, bërtitëm, nuk ndaloi shoferi dhe ikëm. Qëlluan me armë, u thye xhami, u plagos një vajzë dhe një djalë" - thotë një pasagjere.
 
"Po udhëtonim në autobus, na gjuajtën nga krahu i majtë i shoferit. Gjuajtën dhe me një armë tjetër, me kallash. Fati i mirë që shpëtuan njerëzit. Gjithë autobusi i tha shoferit që mos ndalo, por ec shpejt. Shoferi eci me shumë shpejtësi të madhe dhe ndaluam diku 10 kilometra larg vendit që ndodhi"- dëshmon një tjetër pasagjere.
 
"Dëgjuam një zhurmë gjatë rrugës. Thashë mos u ça goma. Pastaj dëgjuam dhe 3 të tjera. Pastaj u ulëm barkas të gjithë. Njëri që kisha në krah më tha që më duket se jam plagosur. Uli dorën dhe e kishte me gjak. Pastaj ra, nuk lëvizi më. Ai tha në Fier do zbriste", deklaruan pasagjerët pas ngjarjes së rëndë.