Me debate dhe tensione u shoqërua seanca e kësaj te enjte e megaprocesit gjyqësor “Plumbi i Artë” mes përfaqësuesve të akuzës dhe mbrojtësve ligjorë.

Disa prej të pandehurve që ishin të pranishëm në seancë, hodhën akuza në drejtim të prokurorisë në lidhje me mbajtjen e tyre në paraburgim prej kaq kohësh.

“Po na varrosni për së gjalli” dhe “Po na mbani në burg ju, jo Nuredin Dumani”, ishin deklaratat që u bënë nga të pandehurit Petrit Qoli dhe Asllan Plaku.

Debatet u regjistruan në momentin procedural që SPAK paraqiti provat shkresore, ndërkohë në seancën e radhës do vihen në dispozicion bisedat në Sky Ecc përmes një CD që do paraqitet në monitorin e sallës.

Për të pandehurin Asllan Plaku, prokurori Behar Dibra ju përgjigj pretendimit që ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore - që këtë shqetesim ta adresojë përmes avokates.

Mbrojtësit ligjorë të Altin Ndocit i cili ndodhet në kërkim prej një muaji, debatuan gjithashtu ashpër me prokurorët, pasi kërkuan të rrëzohej kërkesa e tyre për t'u vënë në dispozicion CD me të gjitha komunikimet në Sky ECC, të marra me letër porosi.

Gjykata e Posaçme caktoi seancën e radhës në datë 3 mars, ku do të vijojë debati mbi provat shkresore.