E nisi një grua politikane, Jozefina Topalli me “plumb ballit”, e vazhdoi një tjetër deputete e Partisë Demokratike duke i thënë kundërshtarit politik se po t’i afrohej selisë së kryeministrisë “… do të varej te palmat…”. Pastaj eksponentë të Legalitetit u shprehën se “.. veç se do të kapnin në dru homoseksualët në paradë, do t’i rezervonin një plumb ballit fëmijës gay…”
Agresiviteti i politikanëve të djathtë ka një burim frymëzimi në gjuhën që shpesh përdor dhe kryeministri i vendit, gjuhë të cilën nuk e ka modifikuar pavarësisht eksperiencës së gjatë në politikë dhe në pushtet.
Afër mendsh që Jozefina Topalli, Mesila Doda, Murat Basha apo dhe vetë Berisha nuk kanë ndërmend as t’i fusin ndokujt plumbin ballit apo ta varin atë në pemë, por cili është mesazhi që jepet? Si përkthehet dhuna verbale në dhunë fizike, deri në marrjen e jetës? Rezultati më i qartë është vrasja e katër pjesëmarrësve në manifestimin e 21 janarit 2011. Rreziku i përdorimit të dhunës verbale në politikë mbetet dhe shtohet sidomos me afrimin e ngjarjeve shumë të rëndësishme për Shqipërinë si zgjedhja e Presidentit dhe zgjedhjet e përgjithshme.