Shqipëria po avancon me dy projekte që synojnë të ruajnë dhe promovojnë historinë e marrëdhënieve me popullin hebre. Lajmin e bëri të ditur ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun izraelit, Gideon Sa’ar.
Hoxha tha se bëhet fjalë për Muzeun e Besës në Tiranë dhe Muzeun Hebraik në Vlorë, të cilët do të mbajnë gjallë kujtesën e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe do të promovojnë lidhjet historike mes dy popujve.
“Për ta mbajtur gjallë këtë kujtesë, Shqipëria po avancon me dy projekte të rëndësishme: Muzeun e Besës në Tiranë dhe Muzeun Hebraik në qytetin e Vlorës. Këto institucione do të shërbejnë si qendra edukimi dhe kulture, duke kremtuar lidhjet historike mes popujve tanë dhe duke vlerësuar praninë e vazhdueshme dhe kontributin e komunitetit hebre në shoqërinë shqiptare”, tha Hoxha.
Më herët në fjalën e tij, kryediplomati shqiptar kujtoi se mbrojtja e hebrenjve gjatë Holokaustit mbetet një nga kapitujt më krenarë të historisë së Shqipërisë, duke theksuar se vlera e Besës vazhdon të jetë një simbol i humanizmit dhe solidaritetit të shqiptarëve.
Lajmi kryesor:
Ministri i Jashtëm izraelit në Tiranë, takime me Hoxhën e Peleshin: Shqipëria një mike e vërtetë e Izraelit! Axhenda vijon me kryeministrin Rama, Gideon Sa'ar: Ka një busull morale të palëkundur!





