Luiza Gega ka rezultuar edhe njëherë ylli i Kupës së Republikës në atletikë, duke shkëlqyer në garën e 5000 metrave dhe për rrjedhojë duke vendosur një tjetër rekord kombëtar.

“Jam e lumtur që kam vendosur të ri në Shkodër, në garën e 500 metrave. Edhe rekordi i mëparshëm mbahej po nga unë, por që sot e theva me 15 sekonda më mirë. Doja të shikojë edhe formën time aktuale fizike sepse këtë vit jemi të mbushur me aktivitete,”-u shpreh Luiza Gega, atlete.

Në kupën e republikës të zhvilluar të martën në ‘Loro Boriçi’ dominoi ekipi i Vllaznisë ku përveç atletit Franko Burraj shkëlqeu edhe Leandro Çardaku në 100 metra për U-20, si dhe Myrtollari për vajza që vendosën rekorde kombëtare.

“Nuk e prisja me thënë të drejtën se do isha kaq mirë edhe pse kam bërë stërvitje shumë për këtë ditë, për të dalë i pari. Gjithsesi shpresoj se kam dhënë më të mirën time,”-tha Leoandro Çardaku, atlet.

“Synimet e mija janë shumë të mëdha. Besoj se do vendos edhe rekorde të tjera, sidomos tek të rriturat,”-u shpreh Elisa Myrtollari.

Më i pafat në këto gara ishte kampioni i Ballkanit Izimir Smajlaj, i cili pësoi lëndim, ndërsa përsa i përket aktivitetit ishte hera e parë pas 30 vitesh që zhvillohet në Shkodër, kjo për shkak të rikonstruksionit të pistës.

“Stadiumi i Shkodrës është model. Ne mendojmë që këtu most ë zhvillojmë vetëm Kupë Republike dhe kampionat kombëtar, por për shkak të marrëdhënieve që kanë drejtuesit e federatës të organizojmë edhe gara ndërkombëtare,”-tha Fidel Ylli, president i KOKSH-it.