Atletika botërore shënoi një arritje historike të dielën që lamë pas, pasi keniani Sabastian Sawe triumfoi në Maratonën e Londrës duke u bërë atleti i parë që përfundon një maratonë zyrtare nën kufirin e 2 orëve.

Sawe përshkoi distancën klasike prej 42.19 kilometrash me kohën mbresëlënëse 1 orë, 59 minuta e 30 sekonda, duke vendosur një rekord të ri botëror dhe duke kaluar arritjen e mëparshme prej 2:00:35 orësh, e cila mbahej nga Kelvin Kiptum dhe ishte vendosur në Maratonën e Çikagos në vitin 2023.

Ky moment historik rikthen në vëmendje edhe performancën e legjendës Eliud Kipchoge, i cili në vitin 2019 e mbylli maratonën për 1 orë, 59 minuta e 40 sekonda, por në kushte jo garuese, ndaj koha e tij nuk u njoh zyrtarisht.

Gara e këtij viti në Londër u kthye në një spektakël të rrallë, pasi jo vetëm fituesi, por edhe vendi i dytë arriti të thyejë 'murin' e dy orëve. Etiopiani debutues Yomif Kejelcha përfundoi garën me kohën 1 orë, 59 minuta e 41 sekonda, duke 'vulosur' një nga edicionet më epike në historinë e maratonave.