'Po bëjnë politikë mizerabël' Rama apel opozitës: Popujt seriozë në rast fatkeqësisë bëhen bashkë! Do të fitojmë betejën duke e shporrur këtë armik të padukshëm

Kryeministri Edi Rama, i ka bërë apel opozitës, por jo vetëm, që të ruajnë distancimin social dhe të mos e përshkallëzojnë më tepër situatën e pandemisë në vend.

Gjatë një bashkëbisedimi që ka zhvilluar me qytetarët në Bilisht, Rama tha se popujt seriozë në situata të vështira bëhen bashkë, e këtë gjë, ai kërkoi edhe nga opozita.

Kreu i qeverisë tha se se opozita po bën një politikë mizerabël, të një qëllimi mizerabël në raport me shëndetin e njerëzve që është pushteti me çdo kusht.

Më tej Rama tha se do të fitojmë këtë luftë dhe se do u kthejnë buzëqeshjen shqiptarëve dhe do ta shporrin këtë armik të padukshëm.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:16
Rama në biblotekën e Korçës takohet me robotin 'Nao': Edhe ky me dy gishta?! Punëtori: Jo ky ka tre

Në Bibliotekën e Korçës, brenda një hapësirë ultramoderne, të arreduar më së miri për t’u shfrytëzuar maksimalisht nga të rinjtë frekuentues, po merr jetë edhe qendra e re e mësimeve të teknologjisë së lartë, e cila do të shërbejë për orientimin e të rinjve në rrugën e punësimit në tregun global online, ku ata mund të krijojnë të ardhura të larta, pa qenë të detyruar të largohen nga vendlindja.

Qendrën e re e vizitoi sot Kryeministri Edi Rama, i cili u njoh me punimet e shumta të të rinjve të talentuar që te ardhmen e shohin premtuese në fushën e teknologjisë së Informacionit.

Partner në menaxhimin e kësaj qendre është edhe Universiteti për Biznes dhe Teknologji UBT në Prishtinë, të cilët ofrojnë dijet dhe eksperiencën e tyre përmes një stafi të kualifikuar pedagogësh, që trajnojnë të rinjtë.

Ndërsa kryeministri Rama tha se Plani i Veprimit 2021 - 2025 do të krijojë qendra të tilla fillimisht në disa bashki qendra qarku, në Veri e në Jug, për t'i shtrirë ato në krejt bashkitë e vendit, brenda kësaj dekade ku kemi hyrë.

“Ky është shembulli i parë i një zinxhiri, që sipas planit tonë të veprimit 2021-2025 do ta shtrijmë gradualisht në qendra qarqesh dhe pastaj më tutje në çdo bashki. Ne duam që brenda kësaj dekade, rinisë shqiptare t’i jepet një alternativë shumë e fuqishme përfshirjeje në tregun global, pa qenë nevoja për të marrë rrugët dhe për të lëvizur, jo nga qyteti, por as nga shtëpia dhe duke qenë aktorë në një treg, ku sigurisht ka shumë punë dhe patjetër ka të ardhura eksponencialisht më të larta se sa ato që garanton tregu i brendshëm. Fakti që jemi këtu sot me këta partner të shkëlqyer, fakti që këtu ka filluar puna tregon që kjo nuk është një ëndërr më, nuk është as një dëshirë, por është një program i nisur. Plani ynë i veprimit ka dhe aspektin e financimit të këtyre qendrave e përfshirjes dhe e stimulimit të të rinjve dhe e përsëris, ne sot këtu me dy partnerë që më të mirë s’kishim ku i gjenim për të filluar, me bashkinë e Korçës dhe me UBT e Prishtinës jemi absolutisht të bindur që falë edhe një skuadre që janë mbledhur këtu, ne do ja dalim që ta transformojmë këtë ëndërr, që tanimë po futet në rrugën e realitetit, në një realitet të kudondodhur, duke filluar nga disa qendra qarqesh dhe pastaj duke u shtrirë në të gjithë qendrat urbane të Shqipërisë.” – u shpreh Kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë sakaq iu 'prezantua' edhe roboti ‘Nao’. Kur Rama klikoi në kokën e robotit, nxorri disa gishta. Kryeministri tha i habitur se përse roboti është me dy gishta, ndërkohë që punëtoret thanë se kishte tre.

Rama: Me dy gishta dhe ky?

Punetori: Jo me tre, është me tre.

Roboti: I can workout too, let me do some push up.

Ora 12:11
Debati për ‘Mësonjëtoren’, Rama: Kur është mbuluar me merimanga nuk reagon njeri, sapo rregullohen nxjerrin bishta këta! ‘Shkronjat’ do të shkojnë në vend

 

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar edhe nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka zhvilluar ditën e sotme në vizitë në Mësonjëtoren e Parë Shqipe.

Kreu i qeverisë ka shikuar nga afër punimet që janë kryer në Mësonjëtoren, ku shkruan se tashme është rilindur edhe më e fortë, edhe më e bukur, edhe më tërheqëse pas goditjes së tërmetit, si një tjetër destinacion për të gjitha moshat e për turistët e "Parisit të Vogël".

Rama sakaq ka reaguar edhe në lidhje me zërat për zhvendosjen e instalacionit të ‘ABC’-s, ku tha se çdo gjë do të shkojë në vend.

Margariti: Do të rivendoset fleta siç ka qenë dhe shkronjat do të vendosen mbi të. Fletat dhe shkronjat janë pozicionuar për momentin në hapësirën e gjelbërt.

Rama: Do të rivendosen shkronjat në vend, aty mbaron çdo gjë mbaron!

Peleshi: Edhe spekulimet politike aty mbarojnë. Nuk ka asgjë të vërtetë me spekulimet!

Rama: Kjo është çudi e madhe. Ç’është ky hall i madh thash se çfarë ka ndodhur. Si shpjegohet kur janë me merimanga dhe mbeturina si nuk ngrihen këta të thonë shiko se nuk e kemi në rregull, sa rregullohen gjërat nxjerrin bishta këta. Ça janë këta nga vijnë këta nga ça shekulli vijnë këta, nga çfarë pylli vijnë këta, tollovisin gjithë dynjanë. Analfabetë funksionalë këta është të gjithë për ti marrë për ti vënë tek ajo banka e madhe.

 

Ora 11:06
Spaho tha se do mbyllet dogana sa të shiten prodhimet e korçarëve, Rama: E dhimbshme të mendosh që ka njerëz që u besojnë këtyre

Nga Bilishti Rama ceku edhe çështjen e një premtimi që bëri para pak ditësh kandidati për deputet i PD-së në Qarkun Korçë, Edmond Spaho i cili tha se PD do të mbyllte doganën sa të shiteshin prodhimet bujqësore të korçarëve.  

"Ai premtimi i Edmond Spahos është një tjetër arsye pse këta duhen refuzuar. Si mund të premtojë ai që 'të mbyllim në doganën sa të shishni ju prodhimet'. Një tallje, një fyerje për inteligjencën e njerëzve. Apo ta hajë kush ta hajë sapunin për djath.  Ku jemi këtu? Ne mes të luftës, kur vendet e tjera pritet të mbyllen serish në vijmë të infektojmë njëri-tjetrin. Këta shfrytëzojnë edhe mërzitjen e njerëzve. Çdo shqiptar që është i mërzitur sot ka të drejtë. Dhe ne jemi këtu për t'i dhënë më shumë. Dhe si i jepet më shumë me Saliun dhe Ilirin apo me punë? Është e dhimbshme të mendosh që ka njerëz që u besojnë këtyre. Më 25 prill as nuk diskutohet kush fiton si parti por problemi është si fitohen luftërat", tha Rama.

Ora 10:50
‘Po bëjnë politika mizerabël duke nxitur panik’ Rama nga Bilishti: Do të fitojmë betejën duke e shporrur këtë armik të padukshëm

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një bashkëbisedim me qytetarët e Bilishtit, ndërkohë që vuri theksin tek procesi i vaksinimit masiv. Rama tha se opozita po bën një politikë mizerabël, të një qëllimi mizerabël në raport me shëndetin e njerëzve që është pushteti me çdo kusht.

Rama tha se apeli i tij është që shëndeti është mbi të gjitha të sillemi si një komb serioz, si një bashkësi njerëzish që nuk bëhen qesharak. Ku luftojnë me një armik të përbashkët, ku popujt serioz bashkohen dhe jo të ndahen.

Më tej kreu i qeverisë tha se do të fitojmë këtë luftë dhe se do u kthejnë buzëqeshjen shqiptarëve dhe do ta shporrin këtë armik të padukshëm.

'Një tërmet katastrofik që brenda pak sekondash la pa çati mijëra familje, la pa shkollë mijëra nxënës, la pa qendër shëndetësore mijëra të moshuar. Një virus i cili gjunjëzoi mbarë botën, mbylli brenda shtetet më të fuqishme të planetit. Jemi sot, në një moment të kësaj lufte kur kemi filluar një ofensivë për ta nxjerrë jashtë nga jetët tona dhe vendi ynë armikun e padukshëm, për të garantuar vaksinën anti-COVID. Nuk ishte e lehtë, mbetet ende e vështirë për vendet e tjera në rajon. Jemi një nga 2 vendet në rajonin tonë që ka nisur vaksinimin masiv dhe po garantojmë mbrojtjen e të gjithëve pa dallim. Vaksinimi masiv duhet garantuar nga distancimi i përgjegjshëm. Nuk duhet të vaksinohemi masivisht dhe të krijojmë vatra infektimi për vota. Siç ka treguar eksperiencave e hidhur e Kosovës, malit të Zi, sjellin mbrapa halle të mëdha. Shihni numrin e infektimeve në Kosovë, shihni numrin e infektimeve dhe viktimave në Malin e Zi, ku para zgjedhjeve ishte rozë. Nuk e bëkemi dot ne një fushatë elektorale dinjitoze si njerëz të përgjegjshëm, si njerëz që në rrallë të parë jemi njerëz e më pas socialistë. Si mund të bëhemi lolo duke sfiduar një armik të padukshëm që s’do t’ia dijë fare për trimëri, sepse kudo që gjen shesh, bën përshesh.

Ndodhi një përmbytje bëhen me përmbytjen, ndodh një tërmet, bëhen me tërmetin. Ata tregojnë gënjeshtra për vaksinat. Vaksinat nuk janë ilaçe çudibërëse për sëmundje të tjera, të mbron nga armiku i padukshëm. Fakti që ka bërë vaksinën nuk është se e ka nga ajo. Vetëm këta, që duan me patjetër të fusin mërzi, të ngjallin panik për politikë, për një politikë mizerabël në funksion të një qëllimi mizerabël në raport me shëndetin e njerëzve që është pushteti me çdo kusht. Kundërshtarët nuk i zgjedh, janë aty. Apeli im është që shëndeti është mbi të gjitha të sillemi si një komb serioz, si një bashkësi njerëzish që nuk bëhen qesharak. Ku luftojnë me një armik të përbashkët, ku popujt serioz bashkohen dhe jo të ndahen. Ne duhet dhe do ta fitojmë patjetër këtë lufte siç po fitojmë luftën me pasojat e tërmetit dhe shumë banorë po i kthejmë në shtëpia. Po kthejmë në kopshte dhe në çerdhe, ne do tu kthejmë buzëqeshjen të githë shqiptarëve dhe do ta shporrim këtë armik të padukshëm një orë e më parë nga jeta jonë. Ne do të fillojmë vaksinimin masiv. Hap pas hapi fashat të shkojnë duke u ulur dhe sezoni turistik të lehtësohet. Fushata elektorale vjen pas pandemisë. Kush ka sy të shohë ato që kemi bërë i shikon. Ne jemi shumë të qartë se ku duam të shkojmë dhe e dimë shumë mirë sesi shkohet aty, për ta bërë Shqipërinë të ardhmen e çdo fëmije. Është e mundur dhe ne po shkojmë në atë rrugë. Ne do ta bëjmë Shqipërinë në këtë dekadë kampione të Ballkanit në turizëm.’- tha Rama.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Trump emëron Brooke Rollins në krye të Departamentit të Bujqësisë

Trump emëron Brooke Rollins në krye të Departamentit të Bujqësisë