“Po ike, të vrava”.
Kërcënimi erdhi atëherë kur për Marianën (pseudonim) makthi kishte orë që kishte filluar. E rrëmbyer në zemër të Romës, e mpirë nga një përzierje uji dhe heroine, e tërhequr zvarrë brenda një furgoni dhe e mbyllur në një ndërtesë të braktisur në periferinë lindore të qytetit. Rreth saj pesë burra, të cilët e përdhunuan për tri ditë me radhë.
32-vjeçarja mbërriti në Romë nga Kolumbia më 16 maj. Ajo dëshironte të vizitonte bukuritë e qytetit, por në vend të kësaj përfundoi në një ferr. U vendos, së bashku me një shoqe, në një hostel pranë stacionit Termini. Më 17 maj shkoi për darkë në një restorant jo shumë larg, ku takoi një djalë që iu ofrua për t'i bërë shoqëri. Më pas erdhi mashtrimi: në vend të ndonjë cigareje hashashi, ai e bëri të hipte në një furgon ku ndodhen burra të tjerë, të cilët janë në kërkim nga policia. Ata e rrëmbyen. Asnjë kërkesë për shpërblesë. Furgoni u nis me shpejtësi drejt Tor Sapienza-s. Destinacioni ishte një ndërtesë gjigante e braktisur, mes mureve të zhveshura, shtyllave të betonit dhe dhomave të errëta të banuara nga shpërndarës droge dhe njerëz të dëshpëruar. Pikërisht aty humbën gjurmët e Marianës për 72 orë, deri më 19 maj, në ditën e arratisjes.
Saidykhan Lamin, Harouna Traore, Karamba Kanteh, Isibor Wisdom dhe Paul Nwabueze, gambianë, nigerianë dhe malianë klandestinë, shkruan gjyqtari i hetimit paraprak, ndodhen tani në burgun Regina Coeli. Akuzat e ngritura nga zv.prokurori Maurizio Arcuri dhe prokurorja Vittoria Petronella janë shumë të rënda: dhunë seksuale, plagosje dhe pengmarrje.
Mjekët kanë konstatuar lëndimet nga dhuna seksuale. Rrëfimi i gruas rikthen të gjithë tmerrin e atyre ditëve:
“Më detyruan të zhvishem. Njëri prej tyre më shqeu rrobat nga trupi dhe abuzoi me mua, pastaj erdhi një burrë tjetër dhe menjëherë pas tij një i tretë. Vazhdonin të më përsërisnin: “Po ike, të vramë”. Askush nuk donte ta ndihmonte.
“As një vajzë bionde që takova aty brenda. Nuk kam dashur të ha asgjë”, shpjegon ajo. Më dhanë tre cigare. Vazhdoja të kërkoja të ikja, por më thoshin të merrja drogë që të ndihesha më mirë”.
Pas pothuajse 48 orësh abuzimi, Mariana arriti të flinte. “Më pas”, vazhdonte rrëfimi i saj, “më transferuan në një vend tjetër, ku dy burra më përdhunuan me radhë. Në fund arrita të arratisem”.
Mariana vrapoi drejt një ballkoni.
“U hodha poshtë, ndërsa dëgjoja dikë që po bënte gati një pistoletë”, vazhdon ajo. “Pastaj kapërceva një mur rrethues dhe vrapova në rrugë”.
Një djalë ndaloi për t'i dhënë ndihmën e parë, duke vënë kështu në lëvizje hetimet.
Mbrojtja kundërshtoi rindërtimin e ngjarjes nga viktima. “Mbetet për t'u verifikuar besueshmëria e personit të dëmtuar dhe e materialit të përdorur për identifikimin e të dyshuarve”, tha avokati Renato Raineri. “Gruaja”, nënvizoi avokati Giuseppe Donadio. “ka dhënë tre versione të ndryshme. Për më tepër, një dëshmitare thotë se e ka parë atë pranë ndërtesës më shumë se një muaj përpara ngjarjeve”.
Gjatë operacionit në ndërtesën ku dyshohet se u mbajt 32-vjeçarja, policia identifikoi gjithsej 22 klandestinë që jetonin. Për 11 prej tyre janë nisur procedurat administrative të dëbimit, përfshirë edhe pesë të arrestuarit që viktima i identifikoi si autorët e abuzimeve./La Repubblica
Komente









