Po mbahet në një burg të Serbisë, BBC artikull për shqiptarin e Kosovës me nënshtetësi britanike: Një rast krejtësisht i sajuar

Po mbahet në një burg të Serbisë, BBC artikull për shqiptarin e Kosovës me nënshtetësi britanike: Një rast krejtësisht i sajuar

Familja e Sadik Durakut

Familja e një britaniku të mbajtur në një burg serb po bën thirrje për ndihmë nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, duke pretenduar se akuzat kundër tij janë të pabaza dhe të motivuara politikisht. Kështu shkruan BBC në një artikull të botuar për shqiptarin me nënshtetësi angleze që po mbahet i paraburgosur në Beograd.

Sadik Duraku, 54-vjeçar, baba i tre fëmijëve nga Brighton, u arrestua më 17 prill 2024 teksa po udhëtonte për t’i vizituar të afërmit në Kosovë.

Zyra e Jashtme, Commonwealthit dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar (FCDO) tha: “Ne po e mbështesim një britanik të arrestuar në Serbi dhe jemi në kontakt me autoritetet lokale”.

Duraku ka lindur në Kosovë - e cila në atë kohë ishte pjesë e Jugosllavisë.

Në vitin 1998, atij dhe familjes së tij iu dha azil në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që lufta ishte ndezur në vendin e tij, ndërsa në 2002 ai u bë shtetas britanik.

Arrestimi
Në prill, Duraku u arrestua teksa po e kalonte kufirin serbo-hungarez – një udhëtim që ai e kishte bërë shumë herë më parë. Kësaj radhe, ai u ndalua nga policia kufitare serbe dhe u akuzua për krime lufte që pretendohet të jenë kryer kur ai ishte në UÇK. Po atë ditë, mbi 1000 të tjerë u ndaluan nga autoritetet serbe, por vetëm një numër i vogël u akuzuan përfundimisht.

Ai akuzohej për pjesëmarrje në krimet e luftës kundër popullatës lokale në vitin 1999. Ndërkohë familja e tij shprehen se këto akuza janë të pabaza, sepse ai nuk ka qenë i përfshirë në luftë, nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe nuk ka marrë pjesë në ndonjë protestë.

“Ne ishim të mallkuar”, tha Zana Duraku, vajza e tij.

Familja ka mbledhur dokumentacion të gjerë për të vërtetuar se ai ishte në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk i posedonte dokumentet e nevojshme për t’u larguar nga vendi nga dhjetori 1998 deri në marrjen e shtetësisë në 2002.

Letra
Avokati i Durakut me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Michael Polak nga Justice Abroad, tha se e gjithë çështja mbështetet kryesisht në një letër. Me sa duket nga një individ serb “që supozohet të jetojë në Gjermani”, ajo letër i atribuohet dikujt që “nuk duket të jetë një person real”, tha zoti Polak.

Ai tha se letra nuk duket se është nga një adresë e vërtetë dhe përmban thirrje për ta “torturuar” zotin Duraku derisa “të dalë e vërteta prej tij”. Më tej Polak pretendon se “është shumë e pazakontë për t’u bazuar një rast për një krim aq të rëndë sa krimet e luftës në këtë lloj dokumenti”.

Rastet e krimeve të luftës zakonisht “kanë dosje dhe fakte”, tha ai.

“Kjo është një akuzë për krime lufte e bazuar në këtë dëshmi vërtet të dobët të kësaj letre”, shtoi ai.

“Ai është me probleme shëndetësore, duhet të lirohet me kusht që të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar”.

Tensionet rajonale

Polak tha se është “e vështirë të thuash” se cilat ishin motivet në këtë rast. Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta, pavarësisht nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç është zotuar vazhdimisht se Serbia nuk do ta njoh kurrë Kosovën si një shtet të pavarur. Qeveria e Kosovës dëshiron të ushtrojë autoritet mbi të gjithë Kosovën, por serbët etnikë që jetojnë në rajonin verior, në kufi me Serbinë, po i rezistojnë kësaj lëvizjeje, duke kërkuar autonomi më të madhe.

Në Strategjinë e saj Kombëtare për Ndjekjen e Krimeve të Luftës, qeveria serbe thekson se Serbia “demostron në mënyrë efektive hetime adekuate të akuzave dhe trajtim të barabartë të të dyshuarve” dhe se “gjyqet efikase të krimeve të luftës” janë një “pjesë e pandashme e sundimit të ligjit dhe një tipar i shoqërive demokratike”.

Stefan Jovanoviç nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, një think-tank me qendër në Beograd, mbrojti trajtimin serb të rasteve të krimeve të luftës duke thënë se vendi ka “përvojë të madhe” dhe ai priste që Duraku të ketë një gjykim të drejtë.

Sipas ligjit serb, një i pandehur në situatën e Durakut mund të mbahet për gjashtë muaj derisa prokuroria ta ndërtojë çështjen e saj dhe të vendosë nëse do të vazhdojë me një gjyq.

Mirëpo familjarët janë të shqetësuar për të pasi së fundmi ai ka pësuar një atak në zemër dhe kërkon mjekim me terapi, të cilat ia kanë dorëzuar familjarët gjatë vizitave në burgun në Beograd.

Zonja Duraku thotë se stresi i paraburgimit po e rëndon rëndë.

“Ai është shumë i dobët dhe shumë i frikësuar”, tha ajo.

 “Po na copëton pasi jemi të gjithë kaq të shkatërruar. Nuk ka asnjë moment të ditës ku nuk jeni të stresuar për këtë”, shton ajo.

Familja mendon se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka bërë sa duhet për të ndërhyrë.

“Ai është britanik dhe kështu ne menduam se qeveria jonë do t’i mbronte të drejtat e tij dhe do të kujdesej për të, por nuk e ka bërë, dhe ne jemi të zhgënjyer pafundësisht në çdo hap”, tha zonja Duraku.

FCDO tha për BBC se po ofronte ndihmë për z. Duraku dhe se ishte në kontakt me familjen e tij.

Ai gjithashtu tha se zyrtarët e FCDO e kishin vizituar atë në paraburgim.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Nga dizajni i shkëlqyeshëm deri te opsionet perfekte të kamerës - këtu janë karakteristikat kryesore që i bëjnë këta dy smartfonë të dallohen

Nga dizajni i shkëlqyeshëm deri te opsionet perfekte të kamerës - këtu janë karakteristikat kryesore që i bëjnë këta dy smartfonë të dallohen