Argita Malltezi, vajza e Sali Berishës flet për herë të parë lidhur me arrestimin e bashkëshortit Jamarbër Malltezin më 21 tetor në aeroportin e Rinasit lidhur me aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.


“Nuk arrita të takohesha. I gjithë momenti, kronometrimi i veprimit ishte i mirëmenduar. Zbrita nga avioni fola me të e më tha po më arrestojnë. Në fillim më shkoi mendja tek pushteti policor i Edi Ramës. Më skandalizoi manipulimi i tmerrshëm i drejtësisë”

Vëllanë mora të parin në telefon, sepse nuk doja të shqetësoja prindërit. E prisja që Edi Rama mund të bënte çdo gjë por atë moment nuk e prisja.

Shpirtërisht jam e ngarkuar por jam e qetë sepse sot bëj një betejë për të dretjën. Kjo është jeta, këta janë sfidat. I njoftova fëmijët dhe u përpoqa të jenë të përmbajtur” deklaroi Argita Malltezi, vajza e Sali Berishës e ftuar në "Top Story" në Top Channel. 

SPAK, kamxhik në duart e Ramës
Malltezi e quajti një sulm politik të hartuar nga Edi Rama dhe se në 3 vite hetime nuk është pyetur as Sali Berisha dhe as Jamarbër Malltezi

“Bënë 3 vjet hetime. Po në cilin dimension dhe në cilin planet mund të ndodhë që në 3 vite të pyeten bashkë-ortakë të Jamarbërit, personat pjesë e administratës, të mos lihet asnjë pa pyetur gjatë hetimeve përveç dy personave që janë objekti kryesor i hetimeve, Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha. Si mund të shkojë dosja në gjykatë pa pyetur Malltezin dhe Berishën. Kjo u bë sepse kur të dilte dosja, nuk duhej të mos bëhej publike deklarata e tyre. S’kanë dashur që deklarimi i Berishës dhe Malltezit të jetë në dosje dhe të dalë në media. Pse? Sepse ky është një sulm politik i hartuar nga Edi Rama dhe SPAK dhe GJKKO janë kamxhik në duart e Edi Ramës" tha Malltezi.

'Gërdeci dhe 21 janari'
Sa i takon dy ngjarjeve që shënjuan Shqipërinë "21 janari' dhe Gërdeci, Malltezi tha se njeriu ka një llogaridhënie karshi Zotit dhe ligjit. Dhe pavarësisht se situata ka treguar qartë se nuk ka pasur veprim të paligjshëm nga strukturat shtetërore, sa herë që shikon situatën e Gërdecit i dhemb zemra.

"Unë jam këtu sepse mendoj që kam një detyrim për të shpjeguar karshi atyre qytetarëve shqiptarë që kanë mbështetur Sali Berishën dhe Partinë Demokratike. Nuk jam këtu për t’i kërkuar askujt asgjë. Kjo çështje është një çështje e zhveshur totalisht nga materia, është një çështje që do të përthahet shumë shpejt, po aq në mënyrë të çuditshme sa nisi. Kështu që duke mos qenë njeri publik, nuk pritej nga unë një reagim publik për ato situata. Por të jeni të bindur që të gjitha ato situata rëndojnë. Pavarësisht fajit, që është diçka krejt tjetër, situata vetë rëndon.

Këto janë ndodhi që shoqërojnë rekursin politik dhe historik të një vendi, është fatkeqësi e madhe dhe një peshë e rëndë përballja me to. E rëndësishme është që njeriu të ketë një llogaridhënie karshi Zotit dhe ligjit. Kjo e dyta ka treguar qartë që nuk ka pasur veprim të paligjshëm nga strukturat shtetërore. Dhe e para, unë sa herë që e shikoj situatën e Gërdecit është një gjë që më dhemb zemra. Nuk është se kalohet thjesht" tha Argita Malltezi, vajza e ish kryeministrit Sali Berisha.

Argita tregon dhe çfarë i ka kërkuar Lulzim Basha.

"Nuk e kam sjellë kurrë në politikë është gënjeshtër. Sigurisht që ka qenë pjesë e rrethit tim të afërt shoqëror. Ai ka pasur ofertë nga një parti tjetër kur ka ardhur në 2005.  E vetmja gjë që më ka kërkuar është të takojë Sali Berishën. Nuk e kam ditur se për çfarë konkretisht do të flasin. Nuk kam dashur të di sepse nuk kam dashur që në një hallkë të dytë të më kërkonte këtë apo atë gjë. Për një arsye të vetme sepse nuk kam dashur ti jap kurrë kosto Sali Berishës me njerëz që I sugjeroj unë," tha Malltezi.

Prej 21 tetorit Jamarbër Malltezi ndodhet i arrestuar me masën e sigurisë 'arrest me burg' pasi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash lidhur me aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Në hetim është dhe vjehrri i tij, ish kryeministri Sali Berisha i cili akuzohet për korrupsion pasiv dhe hetohet nën masën e sigurisë 'detyrim me paraqitje' dhe i ndalohet dalja jashtë Shqipërisë, si dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, ortak i Jamarbër Malltezi. Ky i fundit hetohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash nën masën e sigurisë 'detyrim me paraqitje' dhe i ndalohet dalja jashtë Shqipërisë.