Morali social dhe niveli demokratik i një shoqërie mund të vlerësohet shumë mirë duke parë mënyrën se si shoqëria trajton grupet më të dobëta e më të brishta brenda vetes. Demokracitë e zhvilluara perëndimore i atribuojnë para, vëmendje e mbrojtje speciale grupeve më të brishta e më të
cënuara, me politika sociale të veçanta, fushata sensibilizimi e ndërgjegjësimidhe diskriminim pozitiv, me qëllimin e vetëm që të tilla grupe të gjejnë veten brenda zhvillimit e të mos ndihen të përjashtuara nga jeta e përbashkët. Në këtë aspekt, ne shqiptarët kemi shumë pak për të qënë krenar; “të dobëtit” e shoqërisë sonë trajtohen si qytetarë dhe qenie të dorës së dytë, dhe provë e gjallë e këtij fakti janë paraplegjikët e tetraplegjikët, invalidët e punës, të verbrit, pensionistët, e kështu me rradhë. Kapitalizmi i egër shqiptar ku mbijeton vetëm i forti, ai që ka lidhje, miq e para, kombinuar me politikat e një demokracie ultraliberale (dmth. shtet për ibret e secili për hesap të vetë), nuk kanë lënë hapësira për të dobëtit që të gjejnë veten në aspektin ekonomiko-social.
Ndërkaq, në një pakt të heshtur që ne shqiptarët s’e kemi patur të vështirë ta bëjmë me vetveten, prej vitesh kemi pranuar të kemi edhe një grup qytetarësh të dorës “së tretë” mes nesh, dhe nuk ndihemi aspak keq me këtë vendim të përbashkët, ndonëse ai është tërësisht diskriminues. Komuniteti rom dhe egjiptian prej dekadash shihet si “nën-specie” që ka një pozicion inferior brenda shoqërisë shqiptare, e cila ka rënë në paqe me ndërgjegjen e brendshme, duke besuar se romët dhe egjiptianët “për shkak të ngjyrës e rracës së ndryshme nga ne, s’mund të jenë njësoj si ne”.
Sidoqoftë, sot nuk dua të merrem me stereotipizimet e gabuara dhe diskriminim social të romëve dhe egjiptianëve, pasi kjo do të nevojiste shumë më tepër hapësirë e punë kërkimore, por do trajtoj një situatë tejet të pazakontë që ka përballur Bashkinë e Tiranës me këto komunitete. Në tërësinë e profesioneve dhe punëve tepër të rëndomëta që shoqëria shqiptare përgjatë dekadave u ka atribuuar këtyre komuniteteve, vetë këta të fundit kanë përfshirë disa aktivitete informale, mes të cilave spikasin tregëtia me rrobat e përdorura, dhe në vitet e fundit edhe mbledhja dhe tregëtimi i mbeturinave urbane të riciklueshme (ose kanoçeve). Duhet theksuar se ky i fundit është një aktivitet që romët e kryejnë rëndom në të gjithë Europën Qëndrore e Juglindore dhe nuk është ndonjë veçanti e vendit tonë.
Muajin e fundit Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një ofensivë tejet të çuditshme ndaj kanoçembledhësve rom; kam përjetuar personalisht një moment kur dy makina të policisë bashkiake ‘ndaluan’ një qytetar rom dhe i ‘sekuestruan’ atij mjetin e motorrizuar (?!?!) si dhe ‘mallin’. Deri në këtë moment nuk është bërë akoma e ditur se mbi ç’urdhër është duke vepruar policia bashkiake, duke qënë se burimet mediatike por edhe ato brenda Bashkisë konfirmojnë se urdhri është verbal, dhe si i tillë nuk është urdhër e nuk duhet të zbatohet në asnjë mënyrë. Po ashtu, nuk dihet se në ç’baza ligjore e me ç’kompetenca policia bashkiake merr guximin të sekuestrojë ‘mjetet e motorrizuara’ (që në shumicën e rasteve janë biçikleta të sajuara me kosh), apo edhe më çmendurisht, të hyjë nëpër banesat e qytetarëve dhe të sekuestrojë ‘mallin’, biles të ushtrojë edhe dhunë fizike! Duhet theksuar se këto ngjarje kaq tragjikomike nuk kanë shpëtuar pa rënë në syrin e organizatave ndërkombëtarë si “Amnesty International” apo dhe strukturave për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës dhe Bashkimin Europian.
Në aspektin juridik ka disa konsiderime që duhen bërë për situatën: së pari, duhet qartësuar që romët që mbledhin kanoçe nuk janë duke thyer asnjë ligj; mbeturinat urbane, nga vetë emri e përkufizimi, janë mbetje të padëshiruara e të hedhura tej nga qytetarët, dhe nëse dikush zgjedh t’i mbledh a t’i seleksionojë, kjo është zgjedhje personale dhe askush s’mund të ndërhyjë. Së dyti, policia bashkiake nuk ka asnjë kompetencë reale që të bllokojë mjetet e qytetarëve rom; edhe sikur të ketë nevojë për kontroll a bllokim, ky duhet të kryhet prej policisë së qarkullimit rrugor. Së treti, policia bashkiake nuk ka në asnjë mënyrë të drejtë të thyejë banesat e qytetarëve duke konfiskuar e sekuestruar kanoçet, pasi të tillë kompetencë, edhe nëse do të ishte vërtet nevoja për veprime, e ka vetëm policia e rendit apo ajo tatimore. Dhe së fundmi, i gjithë ky operacion i Bashkisë ka nevojë që të bazohet në një urdhër të shkruar që të shpjegojë qëllimin dhe arsyet e ‘mësymjes’ ndaj romëve.
Në aspektin social-ekonomik, Bashkia e Tiranës duhet të reflektojë mbi faktin që mbledhja e kanoçeve është praktikisht e vetmja mënyrë mbijetese për qytetarët të cilët çdo ditë gërmojnë nëpër kazanët e mbetjeve urbane duke seleksionuar lëndën e parë, e cila më vonë i kalon bizneseve të përpunimit dhe eksportit të aluminit në vend, të cilat janë histori suksesi brenda sferës së eksportuesëve shqiptarë. Edhe nëse Bashkia do të kishte një arsye fort të mirë (arsye që nuk ekziston, sidoqoftë) për operacionin që po ndërmerr, ajo do duhet të paraqiste një alternativë të efektshme punësimi për qytetarët të cilën e nxjerrin bukën e përditshme me mbledhjen e kanoçeve. Në ofrimin e kësaj alternative Bashkia do duhej të merrte parasysh karakterin tepër specific të komunitetit rom, natyrën informale dhe jo-permanente të punës së tyre, apo edhe specifikime të tjera si orari i punës apo mënyra e pagesës.
Sa më lart janë disa konsiderime të logjikshme në lidhje me një veprim tërësisht të palogjikshëm e të paligjshëm, dhe ndoshta jemi duke rrahur ujin në hava teksa Bashkia mund të ketë ndonjë synim shumë më banal (ose makutëror) dhe s’e ka vrarë shumë mendjen për pasojat e veprimeve që ndërmerr. Sulmi i pajustifikuar barbar ndaj shtresës më të denigruar e më të pambrojtur të shoqërisë shqiptare është një paralajmërim për gjithë ne të tjerët; dhe është pikërisht ky momenti që të gjithë të ngremë zërin, të protestojmë e të kundërshtojmë, pasi me këto ritme shumë shpejt mund të jetë rradha jonë që të përballemi me çmendurinë e pushtetit!