Kryeministri Edi Rama ka replikuar më qytetarët në Facebook, sa i takon nisjes së aksionit për shembjen e banesave të tyre në disa zona të Tiranës. Rama i është përgjigjur një komentuesi duke i thënë se ndonëse ka ndërtuar pa leje dhe në tokën e tjetrit, qeveria do t’i japë atij bonus qiraje dhe shtëpi të re.

Qytetari: Unë duhet me e plotësu pyetësorin, e duhet me lënë kockat ke shpia që po’ shembet e askush stë përfill

Edi Rama: Te përfill në fakt aq shumë sa megjithëse shtëpinë e ke ndërtuar pa leje, në tokën e shtetit a të tjetrit, të jep bonus qeraje deri kur të të ndërtojë dhe japë shtëpinë e re! Çfarë kërkon më shumë apo të tjerët duhet të ngrohen në diell dhe të mos u bëhen shtëpi të reja? Jo i dashur, zhvillimin dhe strehimin e familjeve në nevojë nuk e merr dot peng askush, aq më pak ata që kanë ndërtuar pa leje!

Në kuadër të projektit të rindërtimit dhe rikualifikimit urban në zonën e ‘5 Majit’, qindra banesa janë projektuar për t’u shembur nga IMT. Një pjesë e banorëve nuk kanë pranuar kontratat e propozuara nga bashkia, ku thuhet se do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re me të njëjtat metra katror. Sipas tyre ajo është e njëanshme dhe nuk ka vlerë ligjore.