TIRANË-  Pavarësisht rezistencës së banorëve prej ditësh, fadromat e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) kanë shembur shtëpitë në njësinë numër 4, për t'i hapur rrugë projektit të rindërtimit dhe rikualifikimit në zonën e '5 Majit'. Në ndihmë të IMT-së në zonë, kanë mbërritur forca të shumta të policisë dhe janë shembur rreth 11 shtëpi. Ndërsa policia ka shoqëruar një banor.

Skena prekëse ishin ato që u panë nga shembja e shtëpive, pasi banorët në përpjekje për të mbrojtur shtëpitë nga fadromat IMT-së, u ngjitën nëpër avllitë e shtëpive apo në dritaret e banesave. Por kjo nuk mjaftoi, pasi përballë dhjetëra forcave të policisë të cilët shkelmuan dyert, ato ishin të pafuqishëm, dhe u nxorën me forcë nga shtëpitë e tyre, të cilat thanë se i kanë ndërtuar që para 30 vitesh.

Me lot në sy, banorët akuzojnë shtetin, ndërsa njërës prej banoreve i ra të fikët e u largua me ambulancë. Ndërsa i bëjnë thirrje rinisë të ngrihet në këmbë, kundër padrejtësive, ato i kërkuan edhe efektivëve që të heqin kapelet dhe t’u bashkohen kauzës së tyre. Të lodhur, të pagjumë dhe jashtë dyerve të shtëpisë, ata rrëfyen ‘betejën’ e vështirë që po kalojnë nga shembja e banesave të tyre, ndërsa theksuan se nuk kanë rënë dakord me marrëveshjen që u ka ofruar bashkia. Rezistencës së tyre u janë bashkuar edhe banorët e njësisë numër 8, shtëpitë e të cilëve preken nga i njëjti projekt.

Ivzi Hoxha, banori 60-vjeçar në njësinë nr. 4 rrëfeu për Report Tv, sesi e kishte kaluar natën jashtë shtëpisë së tij së bashku me banorët e tjerë duke ‘sfiduar’ temperaturat e ulëta pranë një zjarri dhe tha se akoma nuk kishte nxjerrë orenditë personale nga banesa. Ndërkohë, një tjetër banor i ‘5 majit’, Atli Hoxha ka pritur fadromat e IMT me certifikatë pronësie në duar, por është nxjerrë me forcë nga policia, ndërsa ka shpërthyer në lot. Shembjet e banesave të radhës në kuadër të projektit të rindërtimit,  do të jenë më 16 dhe 22 shkurt, në njësitë bashkiake 4 dhe 8.

Në zgjidhjen që ka ofruar bashkia, banorët e njësisë administrative numër 4 dhe numër 8 që preken nga ky plan, do të strehohen më tej në një bllok pallatesh që ndërtohet po te “5 maji” e ku do të bashkëjetojnë edhe banorë, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe ata që i kap plani zhvillimor. Nga ana tjetër, shumica e banorëve që janë prekur nga projekti i lagjes së re te “5 Maji” janë dakordësuar dhe kanë filluar nënshkrimin e marrëveshjeve me Bashkinë e Tiranës për t'u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit. Sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re. Po kështu, poseduesit e banesave në proces legalizimi, tashmë do të përfitojnë të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, në godinat e reja që po ngrihen në të njëjtën zonë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:43
VIDEOLAJM/ ‘A e kupton se ai ka vdekur sot’, momenti prekës kur policia futet brenda shtëpisë! Nxjerr edhe gazetaren me forcë

Këto janë momentet kur policia ka mësyrë duke shkelmuar dyert, në banesën që pritet të shembet nga IMT dhe ka nxjerrë jashtë me forcë nga shtëpia e tyre banorët. Një pjesë prej tyre përpiqen që të bëjnë rezistencë, por e kanë të pamundur. Me certifikatë pronësie në dorë dhe i prekur, banori Atli Hoxha, nxirret nga shtëpia e tij.

‘Po skeni turp mo, ai ka vdekur sot, s’keni turp’.’- dëgjohet të thotë një banore.

Po ashtu policia nuk është kursyer as me gazetaren e terrenit, e cila ishte në vendngjarje dhe është nxjerrë me forcë.

Ora 09:02
Mbërrin ambulanca te '5 Maji', njërit prej banorëve i bie të fikët

 

Njëri prej banorëve te '5 Maji' Alti Hoxha është ndjerë keq dhe i ka rënë të fikët. Menjëherë ka mbërritur ambulanca.

Ora 08:47
Shembja e shtëpive në ‘5 maji’, banorja: Janë vrasës, nuk janë shqiptarë! Kam 40 vjet këtu, tani jam duke vdekur

Me zë të ngjirur një grua së cilës po i prishet shtëpia, ka kërkuar e dëshpëruar të drejtën duke iu drejtuar mediave.

“Janë vrasës nuk janë shtet. Po luftojmë për të drejtat tona, sot u prish shtëpia ime, këto janë armiqtë nuk janë shqiptarë. Ku janë pushtetarët se jam duke vdekur. Janë vrasës...që vrasin popullin, vrasin fëmijët, njerëzit. Nuk e vret kush mafien. Këtu s’ka pas shtet këtu e 500 vjet. Do pirshin shtëpinë time për të bërë kullën 500 kate. Këtu të vrasin mafiozët që të vrasin ditën e të qajnë natën. Kam 40 vjet këtu, s’kam hedh as firmë.”, u shpreh ajo.

Ora 08:42
'O Edi Rama o Sllobodan', i moshuari del në dritare dhe nuk del nga banesa që do prishet: Mos e prek shtëpinë time! Banori tjetër: Familja ime luftoi me serbin

 

 

Pamje shumë emocionuese na vijnë nga lagjja '5 Maji' në Kryeqytet. Banorë kanë hipur në dritaret e shtëpive të tyre dhe nuk pranojnë të dalin.

"O Edi Rama, o Sllobodan, o ortodoks i ndyrë, largohu. Largohuni nga shtëpia, kam mbi 30 vjet këtu. Le të vijë Edi Rama këtu. Pushtet i fëlliqur, pushtet i ndyrë", thërret një prej tyre, i hipur në dritaren e shtëpisë së tij.

Ndërkohë që një tjetër ishte ngjitur sipër fotos kryesore të shtëpisë së tij.

"Hiqeni more maskat. Familja në Dibër ka luftuar me serbin o zotërinj", thërret ai.

Ora 07:48
Të riun te 5 Maji nuk e lejojnë të shohë babain, shoqërohet nga policia: Forcat Speciale në vend që të kapin kriminelët, nxjerrin prindërit e mi nga shtëpia

TIRANË- Valtrin Hoxha, djali i Atli Hoxhës, banesa e të cilit po shembet nga IMT, tha për Report Tv se prindërit e tij kanë punuar 30 vite që të ndërtojnë atë shtëpi. Me lot në sy dhe i prekur, ai u shpreh se Forcat Speciale në vend që të arrestojnë kriminelë, shkojnë dhe i nxjerrin nga shtëpitë e tyre. Alti tha se ato nuk kanë firmosur një kontratë me bashkinë, pasi e konsiderojnë të njëanshme.

‘Ka filluar babi im me dy dhoma të vogla, kur ka ardhur. 30 vjet lodhet për të ndërtuar atë shtëpi. Nuk di se çfarë të them nuk është e drejtë, por prap se u bë. Na thonë zbrit poshtë, nuk ekziston më shtëpia ime. Ka ende familjarë. Babi mami dhe motra ime jetojmë aty. Nuk jemi pa njerëz, kemi ku të shkojmë por kjo nuk do të thotë se duhet të na nxjerrin nga shtëpia. Nuk kemi rënë dakord. Forcat Speciale që duhet të kapin kriminelë po nxjerrin prindërit e mi nga shtëpia.’- u shpreh i riu.

Pas intervistës, Atli është ndjerë keq pasi nuk e kanë lejuar që të shohë babain, i cili po bën rezistencë për të mbrojtur shtëpinë. Burime bëjnë me dije se i riu është shoqëruar në polici.

Ora 07:39
‘O kriminelë’ me certifikatë pronësie në dorë, banori në njësinë numër 4 thirrje kreut të IMT-së: Kam punuar 12 orë në ditë në Itali për të ndërtuar këtë shtëpi

Me certifikatë pronësie në dorë, Atli Hoxha, një nga banorët e njësisë numër 4 në kryeqytet, në revoltë, kundër shembjes së shtëpisë së tij, ka ngjitur në avlli dhe i ka bërë thirrje kreut të IMT-së që mos t’u shembi banesën.

‘O Qato, unë jam një nga familjet e mëdha të Dibrës. O kriminelë’! Kam bërë 12 orë punë në Itali për të ndërtuar këtë shtëpi. Më zinte gjumi në këmbë, për të bërë këtë shtëpi. Familja ime është një nga familjet më intelektuale të Dibrës, e kam pas babën inxhinier.- u shpreh një banorë.

Ora 06:43
Protesta e ‘5 majit’, njësia nr.4 e rrethuar nga forcat policore

Shëmbja e banesave të njësisë nr.4 që pritet të ndodhë ditën e sotme ka mbledhur banorët e njësisë numër 4 dhe njësisë numër 8 së bashku.

Në ‘rezistencë’, kanë mbërritur forcat policore të cilët kanë rrethuar zonën. 

Ora 06:26
Banorëve të njësisë 4 që do u shëmben shtëpitë u bashkohen edhe banorët e njësisë 8! Mes tyre edhe Nënë Liza (FOTO)

1644384544_Capture.PNG

Banorëve të njësisë numër 4 të cilëve do u shëmben shtëpitë u janë bashkaur edhe banorët e njësisë numër 8 për t'i mbështetur. 

Mes tyre edhe nënë Liza. 

1644384596_liza.PNG

Pamje nga '5 maji', nënë Liza.  
Ora 06:09
Pret t'i shembet shtëpia, banori e kalon natën jashtë: E kemi banesën e mbushur me materiale, nuk na lanë kohë as të heqim sendet personale

Ivzi Hoxha, banori 60-vjeçar në njësinë nr. 4 rrëfen për Report Tv sesi e ka kaluar natën jashtë shtëpisë së tij së bashku me banorët e tjerë duke ‘sfiduar’ temperaturat e ulëta pranë një zjarri.

Gazetarja: A keni qëndruar gjithë natën këtu? Çfarë ore jeni zgjuar?

Banori: Thuajse gjithë natën. Hoqëm sa hoqëm material dhe prapë i kam me gjithë materialet e mbushura shtëpinë, plot

Gazetarja: A nuk keni frikë se do t’ua shembin së bashku me materialet?

Banori: Po shumë, këto, shumë shpejt më lajmëruan, unë i pamundur, kam bërë gjithë këtë rezistencë.

Gazetarja: Sa kohë kishit që ishit lajmëruar?

Banori: Nuk e di datën e saktë të them të drejtën.

Gazetarja: Nuk keni pasur kohë?

Banori: Jo jo absolutisht, dje gjithë ditën pardje gjithë ditën dhe kaq arritëm të heqim.

Gazetarja: Keni hequr një pjesë të materialeve apo?

Banori: Ja, po të shkojmë lart e të shikoni shtëpinë tani, i keni divanet e të gjitha, nuk arritëm.