Policia e Shtetit ka reaguar pas akuzave të ish-deputetit demokrat Xhemal Gjunkshi se ka shpërndarë në Dibër armatim, pistoleta dhe automatikë. Ashtu si ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka, edhe Policia e Shtetit thotë se Gjunkshi do të përballet në gjykatë me akuzat.

"Lidhur me deklarimin e sotëm publik të ish-deputetit të PD, Xhemal Gjunkshi, ku aludon se Policia e Dibrës ka  shpërndarë armë në qytet, sqarojmë se: Kjo deklaratë është krejtësisht një shpifje e ulët dhe plotësisht e fabrikuar. Policia e Shtetit e hedh poshtë me përbuzje një deklarim të tillë, që në fakt të vetmin reagim që meriton është padia ndaj deklaruesit Gjunkshi në gjykatë.

Aty ai do të duhet që përpara ligjit të sqarojë motivet e kësaj insinuate të ulët. Policia e Shtetit gjen rastin të garantojë qytetarët se është në krye të detyrës dhe e angazhuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe sigurinë e tyre në tërësi.  Për çdo informacion që disponon, çdokush mund të denoncojë në kushte anonimati në numrin unik 112 ose numrin falas të SHÇBA, 0800 90 90" deklaron policia.