Mjekja Slivana Çeliku ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryedemokratit Basha ditën e djeshme, i cili në një bashkëbisedim me qytetarët ngrinte alarmin për QSUT-në , duke thënë se “spitali sot ndodhej në gjendje katastrofike, pavarësisht inagurimit të repartit të Kirurgjisë disa ditë më parë, dhe se njerëzit po vdisnin pasi nuk po marrin shërbimin e duhur.” 

Përmes reagimit të saj, mjekja Çeliku shprehet se tashmë “për herë të parë pas 90 vitesh është bërë një investim në spitalin e Kirurgjisë dhe kush e mohon një gjë të tillë ose është qorr ose ziliqar e nihilist.”

Referuar artikulimeve të kryedemokratit se pacientët në QSUT po vdesin sepse dërgohen në sallën e operacionit me ashensor, Çeliku i kthehet Bashës duke thënë se është “komplet injorant”. Ndërsa kërkon ndjes për fjalorin e përdorur, dhe sqaron se salla e urgjencës është ende në katin e parë aty ku ka qenë, mjekja vijon më tej duke thënë se: “kryetari i opozitës del bllof e i pakulturuar kur artikulon budallallëqe të tilla… të turpshme dhe keqdashëse.”

Reagimi i plotë i Çelikut:

Sot te gjitha gazetat kishin prononcimin e kryetarit te opozites per sallat e kirurgjise dhe per pacientet qe vdesin nderkohe qe hypin ne ashensor. Beni mire ju qe jeni rrorull kryetarit te informoheni vete me mire e mos i vini kryetarit ne goje fjale qe e nxjerrin ate ,me falni per shprehjen, komlet injorant.

Une nuk jam as e majte e as e djathte,jam thjesht profesioniste e ne punen time dua te kem dinjitet, kushte te mira pune e nje page te mire. Kirurgjia e pergjitheshme kishte 90 vjet qe nuk kishte pare asnje investim si ai i bere kohet e fundit. Kush e mohon ose eshte qorr ose eshte ziliqar e nihilist. A punojme sot ne kirurget ne kushte me te mira ne sallat e operacioneve per shkak te ppp se se sterilizimit? Pa diskutim qe po. Mos e dhente zoti te kthehemi pas. Do te jete fatkeqesia me e madhe per kirurgjine, personelin e sallave e kirurget.

Por me qesharake nga te gjitha ishte pretendimi se te semuret vdesin sepse vonohen kur hypin ne ashensor.Por kur ka dhe mjeke qe e thone kete mendo masa e gjere dhe kryetari i opozites qe del bllof e i pakulturuar kur artikulon budallalleqe te tilla. Se pari salla e urgjences eshte ende ne katin e pare,,aty ku ka qene,dhe sedyti ne shume vende te botes sallat jane ne kate te larta.

Eshte e turpeshme dhe keqedashese te akuzosh ashensorin si shkak vonese. Qesh e indinjuar se nuk qaj dot. Ju pershendes e ju uroj naten e mire thjesht si profesioniste qe kerkon zhvillim. Sinqerisht nje mjeke.

Pjesë nga deklarata e Bashës:

E kam dëgjuar edhe javën e kaluar nga mjekët e QSUT se në çfarë gjendje katastrofike ndodhet jo vetëm Pediatria, por e gjithë QSUT-ja. Nuk ka gjë që e përmbledh më mirë konceptin e fasadës sesa ajo që u bë në QSUT. Sapo u inaugurua Kirurgjia e re, nga 12 kemi 6 salla, nga 120 kemi 60 shtretër. Po ta shikosh nga kronikat televizive, po, fasada është e bukur, është e lyer bukur. Po të futesh brenda kemi gjysmën e kapacitetit që kishte e vjetra për t’u shërbyer pacientëve, për të mos u futur në detaje të tjera të tmerrshme që kam dëgjuar nga profesionistët sesi mënyra dhe koha e komunikimit nga një repart i urgjencës tek një repart tjetër është zgjatur në krahasim me çfarë ishte.

Pra, në qoftë se të duheshin një minutë apo dy minuta për të kaluar nga emergjenca në sallë operacioni, tani duhet të kalosh dy- tre ashensor. Pse?! Për hir të fasadës. Dhe kanë filluar vdekjet e atyre pacientëve, të cilëve mund t’u shpëtohet jeta, në qoftë se thelbi do të kishte prevaluar mbi fasadën. Jo, fasada në këtë rast, kontekstualisht, po vdes njerëz në QSUT. Do të vij shumë shpejt, edhe tek Pediatria, për të cilën për fat të keq kam marrë raportime, kam parë edhe raportime në media, kemi patur edhe njerëzit tanë në terren së fundmi për të parë sesa e tmerrshme është gjendja dhe për ta denoncuar atë. Dhe ju siguroj që do të jetë një nga prioritetet kryesore dhënia fund e kolapsit në shëndetësi.