FUSHË ARËZ- Një elektricist ka humbur jetën pasditen e sotme në Fierzë. Viktima është Prend Ceca 34-vjeç. Gazetari i Report Tv në Shkodër, Ergys Kavaja raporton se Ceca kishte hipur në një shtyllë për të rregulluar një defekt elektrik si pasojë e motit të keq dhe erërave të forta.
Por gjatë riparimit të defektit ka rënë në kontakt me energjinë elektrike duke humbur jetën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00. Kanë qenë familjarët që kanë lajmëruar policinë, pasi Ceca nuk po përgjigjej në telefon, ndërsa pas kërkimeve kanë konstatuar ngjarjen e rëndë.
Por, pavarësisht lajmërimit policia dhe grupi i OSHEE-së kanë mbërritur mbi dy orë me vonesë duke u justifikuar me distancën e largët, ndërsa më pas është pritur deri kur është stakuar linja e tensionit të lartë për të zbritur trupin e 34-vjeçarit nga shtylla. Report Tv sjell pamjet e trupit të elektricistit, që u la për më shumë se dy orë mbi shtyllë.
OSHEE thekson se grupi u nis drejt vendit të ngjarjes, por shton se 'më herët u njoftua edhe policia e shtetit'. Sipas OSHEE-së, Ceca ishte duke riparuar një defekt në shtyllën e fiderit Iballë, pjesë e Nst Gropaj, që ndodhet midis Tropojës dhe Pukës, ndërsa trupi ndodhet në morg.