Afro 75.45 miliardë lekë është buxheti i parashikuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ministri Enea Karakaçi prezantoi në Komisionin e Ekonomisë projektet që do të financohen gjatë vitit të ardhshëm, nga korridori VIII, korridori blu apo edhe vijimi i projekteve hekurudhore.
Sa i takon hekurudhës Tiranë-Durrës dhe devijimi në Rinas, pritet të jetë gati për qytetarët në vitin 2028, ndërsa për hekurudhën Durrës-Prishtinë pritet të bëhet studimi i fizibilitetit me mbështetjen e Agjencisë Franceze për Zhvillim.
Kurse faza e parë për realizimin e Aeroportit të katërt të vendit që do të jetë në Gjirokastër do të nisë në 2027-ën. Fillimisht aeroporti u parashikua për tu ndërtuar në Sarandë, por vendndodhja e tij do të jetë Gjirokastra dhe në projektbuxhetin e ardhshëm janë parashikuar fondet për projektimin e tij.
Porti i ri Tregtar i Integruar i Durrësit ne Porto Romano Faza I, është parashikuar të mbyllet brenda vitit 2029, me vlerë 47,1 miliardë lekë, në vitin që vjen i merr nga buxheti për vitin e ardhshëm 9,94 mld lekë.
Nga buxheti i ministrisë për vitin 2027, 68 miliardë lekë janë parashikuar për investime kapitale dhe 7.4 miliardë lekë për shpenzime korrente. Sipas Karakaçit, 76% e financimit do të jetë i brendshëm dhe 24% i huaj. Projektbuxheti parashikon gjithashtu fonde për mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore.
Gjatë diskutimit të projektbuxhetit, deputeti demokrat Eno Bozdo u përplas me ministrin Karakaçi për dy TEC-et lundruese “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, të ankoruara në Vlorë. Bozdo akuzoi qeverinë se po shpenzon miliona euro për mirëmbajtjen e dy anijeve 30-vjeçare, të cilat, sipas tij, ndotin dhe rëndojnë taksapaguesit. Karakaçi tha se TEC-et shërbejnë si kapacitet rezervë kur çmimet e energjisë në bursë janë të larta dhe se nga shitja e energjisë që kanë prodhuar janë fituar 31.5 milionë euro.
Bozdo: Tigri 1 dhe Tigri 3 vazhdojnë të rëndojnë taksapaguesit pa ofruar asgjë në këmbim. Ju fshini kontratat në emër të sekretit tregtar. Janë me qira apo të shitura? Janë rrangalla 30-vjeçare që vetëm ndotin. Keni mbyllur tenderin 20 milionë euro për mirëmbajtjen e ca rrangallave atje.
Karakaçi: Në 2026-ën, deri në fund të gushtit, kur kam shifrat, kanë prodhuar 121 mijë mega. Të diskutoni që kjo sasi prodhimi mjafton për një ditë apo një javë është interpretim keqdashës.
Bozdo: Pse keqdashës?
Karakaçi: Po ua jap shpjegimin.
Bozdo: Mos thoni keqdashës!
Karakaçi: Me kapacitet të instaluar 100 mega, nuk është qëllimi të furnizohet Shqipëria. Është kapacitet rezervë dhe i domosdoshëm. Çmimet sot janë 300 euro për mega për energjinë në këtë periudhë. Ato janë asete shtesë prodhimi kur çmimet e tregut janë të larta. 31.5 milionë euro kemi fituar deri më tani nga këto anije lundruese, nga shitja e energjisë së prodhuar.
Bozdo: Asnjë në botë nuk i pranon ato.
Karakaçi: Ka vende në botë sa të duash. Janë në pronësi të KESH dhe janë licencuar para dy ditësh edhe nga ERE. Janë asete të KESH. Ato shërbejnë në kohë të tilla kur çmimi i energjisë në bursë është mbi 300 euro dhe kështu do të vijojë përgjatë gjithë muajit.
Ministri Enea Karakaçi tha se kontrata koncesionare për aeroportin e Vlorës është zgjidhur në fund të shtatorit dhe se masat për vijimin e projektit do të paraqiten në Kuvend në ditët në vijim.
Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi ka folur në komisionin e Ekonomisë për aeroportin e Vlorës, përballje e cila përfundoi në arbitrazh pasi VIA paditi qeverinë për shkak se Ministria nisi procedurat për zgjidhjen e kontratës, pas përplasjeve mes dy ortakëve.
Duke iu përgjigjur deputetit demokrat Igli Cara se kush po e menaxhon sot aeroportin e Vlorës, Ministri theksoi se kontrata është anuluar prej shtatorit dhe se brenda pak ditës në Kuvend do të paraqesin masat që do të marrin për këtë projekt, por pa bërë të qartë se cfarë janë këto masa.
Cara: Çfarë po ndodh me aeroportin e Vlorës, a po punohet? Kush po e menaxhon? Dhe a ka hyre ne fuqi anulimi i kontratës?
Karakaçi: Aeroporti i Vlorës duhet të ishte funksional në shkurt 2026, është një infrastrukturë publike. Koncesionarët për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre kanë çuar në vonesa të projektit. Në fund të shkurtit të 2026-ës nuk duhet të kishte mbaruar vetëm ndërtimi por të ishte edhe funksional. Kjo gjë nuk ndodhi. Në mars MIE i lindi e drejta për ta zgjidhur këtë kontratë, nuk e bëri këtë gjë, ju kërkua që të zgjidhje mosmarrëveshja. Në gusht duke mos patur më siguri për punimet, nisëm procedurat për zgjidhjen e kontratës.
Arbitri i përkohshëm e trajtoi me shumë kujdes, dhe vlerësoi që MIE ishte në të drejtën e saj për ta zgjidhur kontratën, dhe që në fund të shtatorit ne e kemi të zgjidhur këtë kontratë koncesionare. Në ditët në vijim, do të vijnë disa masa në parlament sa i takon këtij aeroporti.
Më 29 maj, ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi iu drejtua me një ultimatum 30 ditor dy ortakëve të kompanisë që fituan koncensionin e ndërtimit të aeroportit, duke i kërkuar MABCO-s së Behgjet Pacollit dhe 2A Group-it të Valon Ademit që të zgjidhnin mosmarrëveshjet mes tyre dhe të përfundonin punimet.
Në letrën e 29 majit qeveria theksonte se mosmarrëveshjet e lindura nuk kanë lidhje me autoritetin kontraktor, dhe paralajmëronte mundësinë e zgjidhjes së kontratës, duke iu referuar shkeljes së afateve për përmbylljen e punimeve.
Operimet në aeroport duhet të kishin nisur në muajin shkurt 2026, dhe afati maksimal ishte muaji maj, por për shkak të konflikteve mes ortakëve që tashmë janë një betejë të gjatë gjyqësore, aeroporti jo vetëm që nuk është operativ por as nuk janë finalizuar punimet.
Me 8 vota pro të mazhorancës dhe 4 vota kundër të opozitës Komisioni i Ekonomisë miratoi në parim projektbuxheti i vitit 2027, i cili do të shqyrtohet në seancën plenare të 19 nëntorit.
Projektbuxheti planifikon shpenzime në vlerën 976 miliardë lekë për paga, pensione, sigurime, ndihmën ekonomike, investime, shëndetësi, mbrojtje apo infrastrukturë, ndërsa prej taksave e tatimeve do të mblidhen 907 miliardë lekë.
Në 2027-ën, pritet të shpenzohen 2 miliardë euro për investimet publike, me fokus tek avancimi i projekteve rrugore Elbasan-Lekaj, Elbasan Qafë Thanë, zgjerimi Tiranë-Durrës, Tiranë-Ndroq-Plepa dhe bypass-i i Tiranës. Gjithashtu prioritet është financimi i Portit të ri tregtar në Porto Romano.
Projektbuxheti i vitit 2027 është ndërtuar mbi projeksionin e një rritje ekonomike prej 3.9%, e mbështetur kryesisht nga turizmi. Ndërkohë borxhi publik projektohet të zbresë në përqindje në 52.4% të PBB-së.
Për herë të parë Prodhimi Kombëtar pritet të kalojë vlerën e 30 miliardë eurove, me rritje prej 1.5 miliardë euro në raport me vitin aktual 2026, i cili pritet të mbyllet me PBB, afro 29 miliardë euro.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, tha se kompania Aktor po studion mundësinë e vënies në punë të Termocentralit të Vlorës me gaz nga Shtetet e Bashkuara. Në përgjigje të deputetit demokrat Eno Bozdo, i cili kërkoi të dijë pse TEC-i mbetet jashtë funksionit, Karakaçi tha se projekti parashikon lidhjen me gazsjellësin TAP dhe një kapacitet prej 340–400 megavatësh. Ministri tha se po bëhet studimi i fizibilitetit dhe nëse rezulton i suksesshëm, projekti do të dërgohet në Kuvend për miratim.
Bozdo: Të vihet në punë TEC i Vlorës, të riparohet defekti. Kemi nevojë energji bazë, ku jemi sot? Nuk e di nëse vihet më në punë TEC i Vlorës? Ju keni bërë një marrëveshje me kompaninë AKTOR për të blerë gaz, por ne kemi TAP-in, nuk marrim fare gaz?
Karakaçi: Ky TEC, i ndërtuar në vitin 2008, i parashikuar për tu vënë në punë me naftë, si anijet lundruese që ju i kritikoni aq shumë. Tec-i është jofunksional, ishte i keq investuar. Kemi bërë një marrëveshje me TAP për të bërë pikë dalje në Fier dhe ka avancim në këtë punim. Patëm një tentativë ta vinim në punë me EXELERATE POWER, nuk u arrit të finalizohej.
Është bërë një marrëveshje në qershor me AKTOR, si rrjedhojë e një kompania amerikane që do të sillte gaz përmes kompanisë Aktor në Evropë. Projekti është i ngjashëm për ta vënë në punë TEC- për at kthyer me kapacitet 340-400 mega dhe për ta ndërlidhur me TAP, po bëhet fizibiliteti, nëse do jetë e suksesshme, do vijë në kuvend për miratim.
Termocentrali, ndërtimi i të cilit nisi në vitin 2008 dhe përfundoi në 2012-ën, nuk ka prodhuar asnjë ditë energji me disa prova të dështuara, pas një defekti teknik në sistemin e ftohjes. TEC-i i Vlorës konsiderohet një mundësi alternative për të garantuar furnizim e vendit me energji në kushte emergjente.
-
Ky termocentral eshte bere gati per t'u vene ne pune ne 2008, sot jemi ne 2026, pra gati 18 vjet qe mbahet ne konservim, me kostot perkatese. Nje specialist i fushes do te thoshte qe nuk ja vlen me barra qerane per te krijuar enderra qe do te vihet ne pune. Cili eshte shkaku kryesor qe nuk ka funksionuar- sistemi ftohes, qe eshte pak i vecante se eshte me uje deti. Cfare ndryshimi do te sjelle gazi i lengshem ne sistemin ftohes qe ta vendos ne funksionim? Nuk ka lidhje fare, por nga ana tjeter shtohen shpenzimet, pra na gjeti si ajo kenga qe kemi lope, por nuk kemi qumesht.
Përgjigju







Komente
Komento