Një 29-vjeçar që po transportonte emigrantë të paligjshëm drejt Greqisë u arrestua në Xarë të Sarandës ditën e sotme.

Në automjetin e të riut nga Karbunara e Lushnjës, blutë konstatuan një klandestin nga Pakistani, i cili donte të shkonte drejt vendit fqinj në mënyrë ilegale.

"Në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e rasteve të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Komisariati i  Policisë Kufitare Sarandë, gjatë kontrolleve në territor, konstatuan në vendin e quajtur “Sorone”, Xarë, një automjet, me të cilin po transportohej një shtetas i huaj i parregullt.

Nga veprimet hetimore rezultoi se drejtuesi i automjetit, shtetasi A. K., 29 vjeç, banues në Karbunarë, Lushnjë, po transportonte një emigrant nga Pakistani, kundrejt pagesës, me qëllim që të kalonte në mënyrë të paligjshme kufirin drejt Greqisë", njoftoi sot policia.

Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.