Një udhërrëfyes dhe shtatë anëtarë të një ekipi që eksploronin kanalizimet e Moskës kanë humbur jetën, si pasojë e bllokimit në njërën degë në Neglinka nga rritja e papritur e ujit pas rrebeshjeve të shiut.
Autoritet i kanë dhënë fund kërkimeve, pasi shumica e viktimave u gjetën në lumin Neglinka.
“Tani janë gjetur të gjithë personat që udhëtonin. Të gjithë vdiqën. Operacioni i kërkimit është ndërprerë”, tha një punonjës shpëtimi për agjencinë shtetërore ruse TASS.
Një hetim është hapur për grupin turistik, për të cilin autoritetet dyshojnë se mund të ketë shkelur standardet e sigurisë në tunele, raportojnë mediat e huaja.
Deri më tani një person është arrestuar ndërsa një tjetër thuhet se është arratisur në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin e ka quajtur këtë tragjedi si të tmerrshme.
Sipas mediave ruse 20 persona do të merrnin pjesë në turne, por shumë vendosën të qëndrojnë larg kur panë parashikimin e motit që do të kishte rrebeshje shiu.