Të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, janë takuar në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, në një takim që zgjati rreth dy orë. Bisedimet në Kremlin vijnë pas dy ditësh negociatash në Abu Dabi, ku përfaqësuesit e SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës shqyrtuan mundësitë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Pala amerikane synoi të informonte Putinin mbi ecurinë e negociatave dhe të siguronte mbështetjen e tij për vijimin e procesit diplomatik. Pas përfundimit të bisedimeve, Witkoff dhe Kushner pritet të udhëtojnë drejt Dublinit, ku do të zhvillojnë bisedime edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Një nga çështjet kryesore të diskutuara në Moskë ishte përfshirja e vendeve evropiane në negociatat për paqen dhe sigurinë e ardhshme të kontinentit. Jared Kushner bëri të ditur se një prej synimeve të takimit me Putinin ishte marrja e miratimit të tij për pjesëmarrjen e përfaqësuesve evropianë në tryezën e bisedimeve.

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kërkojnë që vendet evropiane të caktojnë një përfaqësues të vetëm për të negociuar me Moskën. Por Rusia kundërshton përfshirjen e tyre, duke argumentuar se shtetet evropiane po financojnë dhe furnizojnë me armë ushtrinë ukrainase.

“Rusia do të donte që Shtetet e Bashkuara të bashkëpunonin me Evropën dhe që evropianët të vendosnin vetë se çfarë duan: paqe apo luftë”, tha presidenti rus Vladimir Putin.

Ndërkohë, Putin përsëriti kundërshtimin e tij ndaj çdo pranie të trupave evropiane në Ukrainë pas një armëpushimi, duke paralajmëruar se Moska do ta konsideronte një dislokim të tillë si kërcënim për sigurinë e saj dhe trupat si objektiva legjitime. Sipas presidentit rus, në një rast të tillë lufta do të rifillonte menjëherë.

Një tjetër pengesë në negociata mbetet çështja territoriale. Putin kërkon që një marrëveshje e mundshme të njohë pretendimet ruse mbi katër rajonet ukrainase të aneksuara në vitin 2022, Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, të cilat Rusia nuk i kontrollon plotësisht.

Nga ana tjetër, Kushner deklaroi se delegacionet ruse dhe ukrainase kanë rënë dakord për disa prej parimeve të paqes, por vazhdojnë të kenë mospajtime për mënyrën se si do të realizohet marrëveshja. Bisedimet pritet të vijojnë në ditët në vazhdim, ndërsa Uashingtoni synon të afrojë qëndrimet e palëve për t'i dhënë fund konfliktit që po i afrohet vitit të pestë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:18
Negociatat për paqen në Ukrainë, Witkoff pas takimit me Putin: Evropianët do të marrin pjesë në negociatat e ardhshme

1794504568_putin.JPG

Presidenti rus, Vladimir Putin ka rënë dakord që përfaqësuesit evropianë të marrin pjesë në raundin e ardhshëm të negociatave për paqen në Ukrainë. Lajmi u bë i ditur nga i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff pas bisedimeve që zhvilloi në Moskë me kreun e Kremlinit, së bashku me Jared Kushner.

Witkoff e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm përpara në procesin diplomatik, duke theksuar se vendet evropiane janë partnere të Shteteve të Bashkuara dhe duhet të jenë pjesë e diskutimeve për të ardhmen e Ukrainës.

“Evropianët do të bashkohen në takimin e ardhshëm, të cilin e konsiderojmë si një moment shumë të rëndësishëm, sepse ata janë partnerët tanë dhe është e rëndësishme për ne që të marrin pjesë”, deklaroi Witkoff, pas takimit në Kremlin.