Agron Gjekmarkaj: Po vjen presidenti!

Agron Gjekmarkaj: Po vjen presidenti!

Presidenca

Kjo pranverë hyri e po del me ëndrra shumë. Më e spikatura prej tyre është ajo për tu bërë president!

Ai që e kandisi më shumë se kushdo këtë mekanizem kombëtar qe kryeministri.

E nisi me fanfarë e zyrna të madhe, duke u "keshilluar" me popullin.

Një komision ngriti për këtë punë të përbërë nga Elisa Spiropali, Damian Gjiknuri dhe Taulant Balla. U munduan ata të gjorët!

Bukë, qepë e gjizë moren me vete dhe i ranë Shqiperisë kryq e tërthor duke takuar punëtorë, fshatarë, bujq, blegtorë, veteranë, burra, gra, të rinj e të reja!

Secilit prej tyre i lanë një kartëvizitë dhe numelër telefoni ku ata të llafoseshin kë, qysh e si e donin presidentin?!

Mori dhenë kjo punë, bir o bir.

Një ditë komisioni me kuaj e me mushq si dhe tre gomerë që mbërriten nga Salaria pak më vonë, ngarkuar me emra ja behu tek derë e Kryeministrisë. Doli në dritare vetë ai kureshtar nga zërat e trazovaçeve lidhur nën pisha.

Kur  ç'të shihte? Pëllit njëri e pëllit tjetri- u bë zeher. Mallkoi me vete, ju hëngërt mortja ju e ata që ju sollën këtu.

E paskan marrë seriozisht mendoi me vete-nuk me paskan njohur, po këtyre do jua lija unë ta zgjidhnin, medet, medet.

Që të mos fyheshin u tha ti çonin dhjetë identikitet e para siper!

Damo, Tao dhe Elisa i vunë në tabaka e sa hap e mbyll sytë u ngjitën.

Ai menjeherë filloi, "ky e ka hunden e madhe, ketij i mban goja erë, ky tjetri s'ka dhëmbë, ajo është e shendoshë, atij i mbahet goja, ky është katundar, ky është teveqel, tjetri kopuk", dhe letrat hodhi në mes të sallës.

Një ditë votoi edhe grupi parlamentar!

Nuk u ndie mirë që ata nuk ja lexuan shijet e midesë, përmes votimit. Shakaja kishte dalë nga shishja. Shkrofetinte -"ja ç'të bëjnë po tu lësh gjë në dorë zuzarve"!

Kur deti u bë kos doli e gjëmoi nga foltorja e Kuvendit!

Sikter u tha bëra gallatë, asnjë nga grupi ynë parlamentar nuk do jetë vartësi im i ri.

Ju e dini, qyfyret i kam zanat nënteksti.

Varen ndoca turinjët po ndejën sus.

Në fund nga treshja e komisionit doli vetem një produkt!

Gjiknuri filloi të fliste si Taulanti duke e lidhur çdo fjali tek nocioni "natyrshëm"!

Tao ishte bërë mësues gjuhe për Damon.

Kryeministri pasi u hargalis me të vetet tha, jam që jam, nge kam të argëtohem pak edhe me opoziten.

E duam opoziten në proçes, jemi të gatshëm të shqyrtojmë kantidaturat e saj, lëshoi kumtin. Këndej u bë deti kos. Mirazhe me president shfaqesh aty-këtu.

Çdo deputet fap nga xhepi qiti dy president bojallinj e të sertë, një nga Tirana një tjeter nga zona për të qënë brënda!

Nja 16 kandidatë për kandidatë që nuk u doli emri me morën mua vetë ku me kërkonin mbështetje dhe me shpjegonin sa mirë do të bëhej për vatanë nëse ata do të zgjidheshin.

Ndonjë edhe me qortoi pse nuk shfaqa entuziasëm dhe nuk ju drejtova aty për aty me "zoti president"!

Filluan me kriteret! Nga të gjitha gërxhet e atdheut vinin kritere. E duam hollak, të gjatë e deli me syrin rrush të zi!

Një mesoburrë që rrezon mur e ndërton urë! Ushtarak diplomat, antikomunist sovranist, sportist"!

Dikujt i kujtohej një kushëri, tjetrit një komshi, ca përtej eprori, prokurori!

Një listë e madhe u bë dhe mbeti në ajër. Ndërsa kryeministri përsëriste: Na i sillni, dukuni, ti shohim po nuk na pëlqyen i bëjmë hasha pa teklif dhe në raundin e katërt qesim një zylyf.

Opozita me mirë vonë se kurrë doli nga komedia dhe u kthye në spektator. Mund të bëhej një provë ku e gjithë opozita të bashkohej rreth një emri edhe pse mund të mos merrej parasysh. Kjo lypte vullnet, përpjekje dhe lodhje, ndaj u la se tani edhe vapa ka mbërritur e kësisoj shpirti lyp paqë e trupi don gjumë.

Tani po presim presidentin që duam pas policisë që duam, pas arsimit që duam, pas çdo gjëje qe duam e na u dha në këto vite të "Rilindjes"!

Presidenti po vjen, ai do të ketë fytyrën e këtij 9 vjeçari! Më i miri dhe më i bukuri i krejtve!

Gjasat janë të ngjajë me fluturat në muret e zyrës Kryeministrore i bërë taze nga e njëjta dorë artisti.

Ne na duhet një president që të kuptojë, pranojë dhe promovojë gjenialitetin e kryeministrit ose një deshmitare e këtij realiteti!

Pse jo, ndonjë që ka qëne në Paris kur qyteti zalisej e joshej pa fund nga çapkënlliqet e djaloshit që më vonë moti mori në dorë fatet e Shqipërisë!

E.K/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mala: 28/05/2022 12:20

    Berisha,kryerrumpalla i politikes shqiptare,ka hellin si te quaj partine,rithemelim apo foltore, ndalu njehere mendo me familje e me klanin patiak politike,tani "permbylle" emertimin,Por gjithsesi jashte PD,sepse PD eshte qe kur e kur, me ty dikur dhe pa ty tash.

    Përgjigju
  • Aldo: 27/05/2022 17:34

    Kishi "gore" parlamenti-Bracen, "qelbesire"- Berishen, "kokelope"-Meten, "bert camcakezi"-Ramen. Na mungonte dhe nje "lolo"! Flm o Lolua i gupit te lolove te PDse.

    Përgjigju
  • Loni: 27/05/2022 17:33

    O Gone, ai Alibasha jot nuk doli vone nga kjo pune, por e coi deri ne fund fasade opoziten. Si mund te merrej seriozisht Alibasha kur nuk kishte miratimim e gjithe opozites? Opozita ka 63 deputete, e si mund te vinte kushte Alibasha kur nuk kishte me vete shumicen e oppzites?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja