Podcasti ‘Flasim’, Rama sjell histori suksesi në agrobujqësi: Dhoma të ndara me xham me bagëtinë, ide revolucionare, duhet çuar para

Kryeministri Edi Rama në episodin e rradhës të Podcastit të tij “Flasim”, sjell në vëmendjen agrobujqësinë përmes historive të suksesit.

Altini i Mrizit, siç njihet gjerësisht u shpreh i surprizuar për ritmin me të cilën është rritur turizmin në vend, ndërsa duke folur për projektin e bujtinës, tha se plani i diskutuar edhe me kryeministrin ishin dhomat të ndara me xham me bagëtitë. “Një gjetje revolucionare”, e cilësoi Kryeministri Rama.

Kryeministri Edi Rama: Altin, ti ke një laborator atje, në sensin që është një kuzhinë ku zhvillohet vazhdimisht diçka, flas për gjithë agroturizmin, me ide, me plane, me zgjerime perspektivash të tjera, çfarë faze jemi tani? Ku do shkojmë? E bëre atë hotelin ku do flihet me dhitë apo jo?

Altini: Akoma jo. E di si është me thënë të drejtën, ritmet janë spektakolare. Ritmet janë të frikshme, domethënë ka një trend, unë mendoj për të gjitha strukturat agroturistike dhe turizmi në përgjithësi është i jashtëzakonshëm, është fantastik me thënë të drejtën, kështu që jemi shumë të lumtur. Edhe më duket e pabesueshme që Shqipëria jonë arriti në atë pikë që të ketë aq shumë vizitorë nga e gjithë bota, domethënë nuk arrin dot ta kuptosh dhe është një ëndërr.

Në fakt, unë kur kam ardhur këtu, më është dukur e pabesueshme kështu që kjo besoj se është punë e përbashkët dhe kështu që seriozisht ju falënderoj sepse ka pasur fokus të madh edhe pjesa juaj. Unë i dalloj mirë edhe artikujt shumë të mirë, edhe gazetarët kështu që normalisht ka patur edhe nxitje nga ana juaj që të çohet në këto nivele. Kurse personalisht aty me projektin jam në një fazë që akoma nuk kam mbaruar projektin tim agro-Fishta ku kam përpunimin që është diçka që na mungon shumë ne në Shqipëri, gjëra bazike që duken të thjeshta, por në fakt nuk janë të thjeshta; një kaçkavall i stazhionuar 12 muaj, një pastërma e bërë si duhet etj. Kështu që kam një fokus akoma aty deri sa të shkojë në terezi. Pjesa tjetër me hotelin duhet zgjeruar se s’bën se me kërkesat i kemi të frikshme madje kam bërë dhe një eksperiment për qejf, para pak ditësh pashë se kishim një dhomë të lirë në gusht, atë dhomën me xham dhe e vura 500 euro dhe u shit. Unë e di sa shitet se kemi debatuar bashkë për këtë pjesë.

Kryeministri Edi Rama: Jo, në rregull je ti me këtë po kujdes me zgjerimin se sa më e pamundur të jetë gjëja, aq më të lartë e ka çmimin, sa më e ndaluar të jetë gjëja, aq më shumë njerëz duan ta prekin, kështu që kujdes me atë, por të pyeta sepse kemi folur për një ide revolucionare që zgjerimi i hotelit ekzistues të bëhet në një anë tjetër aty, ku dhomat të jenë të përbashkëta me bagëtitë, por kuptohet të jenë të ndara në xham dhe ti je në dhomë, ke gjithë komoditetin e një dhome, por aty në anën tjetër, një stallë-hotel.

Një stallë-hotel që do ishte një gjë spektakolare, kështu që ndaj e pyeta se nuk di jemi me këtë, se më është dashur të merrem me këtë “stallën’’ time, që e kam dhe pa xham, por ndërkohë për t’u kthyer aty tek pjesa e suksesit. Unë e kam patur bindje këtë gjë dhe ajo që më ka gjithmonë mbetur si një nga llampat e kuqe në tru, ka qenë që nëse do me jepet mundësia që të jem këtu ku jam sot, Shqipëria turistike nuk mund të jetë në asnjë mënyrë vetëm bregdet dhe në asnjë mënyrë vetëm maja mali për t’u arritur nga ata që kanë pasion alpinizmin.

Shqipëria turistike duhet patjetër të jetë edhe shije që ka të bëjë me kuzhinën, që ka të bëjë me folklorin, që ka të bëjë me artin tradicional, që ka të bëjë më shtigjet e kulturës dhe që ka të bëjë me gjënë kryesore që është diversiteti i jashtëzakonshëm i peizazhit, domethënë është shumë, shumë e rrallë që në një vend kaq të vogël ti të gjesh kaq shumë gjëra në një distancë kaq të shkurtër, që nga maja e maleve me borë deri tek dy dete. Shqipëria ka dy dete. Lumenj, lugina, kodra fantastike dhe nga ana tjetër agroturizmi është edhe përgjigje  në një aspekt tjetër, në aspektin e jetës ekonomike të pikave apo të zonave ku nuk ka bujqësi intensive.


Lajmi kryesor:

Rama podcast me sipërmarrës në agroturizëm: 3 histori personale të rikthimit nga emigrimi


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja