Kemi te “Marshi i Barabbajt” i Fan Nolit:
O i çgryer, i zhyer, i vyer për hu,
Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru,
Zemër-krund-e-gërthu: Hosanna, Barabba!...
Në këtë varg gramatika është zhveshur nga synueshmëria e saj, ajo është shndërruar në prozodi, një përthyerje që zgjat sa për të paraqitur fjalën, si furi e mister. Përthithësi i poezisë përplaset te Fjala, ballas, dhe e merr atë si një sasi absolute, të shoqëruar me të gjithë mundshmërinë e saj. Çdo fjalë poetike është kësisoj objekt i papritur, nga ku brofin të gjitha aftësitë finoshe të ligjërimit.
Ndërsa te “Rendja e gjatë pas ëndrrës” e F. Gungës do të shohim se rrëmbimi për autonomi i ligjërimit shkatërron çdo rëndësi etike. Ai nuk është qëndrim ndërgjegjeje, por akt detyrimi, mbrujtja e poezisë jo si një ushqim shpirtëror, por si shkëlqim dhe freski e një ligjërimi të mënjanuar: vetëm efekt strukture – pa përfillur përmbajtjen e ligjërimit – pa u ndalur në përforcimin e një ideologjie.
E, një klithmë e shkalëryer e kohës, shortet
m’i grish, e nuk më flet, e diellit të përhënët
sytë ia shterron me ëndrrën e përëndërrt, e s’di,
kush mëkon, e kush më nanuris në djep të moteve...
Sipas nesh, ka ardhur koha që në studimet tona të diskutohet një problem si ky: pra që poetët e traditës t’i nënshtrohen gjykimeve të reja. Kujtojmë konsideratën e mësipërme të ligjërimit modern dhe shohim se, po të ngeleshim në mënyrat e vjetra të diskutimit, te Naim Frashëri do të humbnim vargje të tilla, të interesuara deri të njësia më e vogël e fjalës – tingulli, si:
Vera vate, shkoi...
Apo zanorja e në vargjet e mëposhtme, me aftësinë e saj për të mbajtur një tonalitet të ulët e të shtruar:
Erdh e na gjet
vera mbi dhet
dhe këtë herë
Në ilustrimet e mësipërme, të marra nga libri Lulet e verësë, sidomos nga cikli Bukurija, ku fjala njeh një përzgjedhje të çmuar, kemi larmi vargjesh që sjellin larmi ritmesh e gjendjesh poetike, pasi aty poeti është më universal e më etern në raportet e tij me “qëllimin” e funksionalitetin e poezisë: arsyeja që këto vargje i “rezistojnë” edhe leximeve më moderne, duke dhënë kënaqësi të veçanta e të qëndrueshme estetike.
Kritik subjektiv, i anshëm deri në simpati apo antipati, gjë e njohur për Francën e formimit të tij, ku po bëhej hapja i kritikës nëpër degëzime të ndryshme, Konica njihte dhe vlerësonte saktë edhe kriteret e përgjithshme të krijimit të poezisë, por i verbuar, besojmë, nga diçka përtejnaimjane, nuk pranonte të përligjte të renë e vëllimit Lulet e verësë, duke harruar se poezitë e tij dikur i pat quajtur gracioze dhe të freskëta. E pra, te cikli Bukurija Naimi i zbaton të gjithë atë rregulla që Konica i shikon të domosdoshme për poezinë:
1. Vjersha është shesh i cilësisë e jo i sasisë
2. Shkrimi i vërtetë i kursen fjalët
3. Shkrimi i vërtetë i zgjeth fjalët
4. Shkrimi i vërtetë, në varg a në prozë, ka muzikën e veçantë të tij.
Kjo hap diskutimin se çfarë duhet të vlerësojmë te Naimi. A shërbejnë më tabuizimi apo përjashtimi me gjithsej? Kur kemi folur për traditën, kemi thënë, sipas gjykimit eliotian, se ssnjë poet, apo artist, nuk ka domethënie të plotë më vetes. Rëndësia dhe vlerësimi i tij janë vlerësimi raportit të tij me poetët dhe artistët e tjerë.
S’ke si ta vlerësosh vetëm: je i detyruar ta vendosësh midis të tjerëve, për hir të kontrastit dhe krahasimit. Kemi thënë se nëse praktikojmë pikëpamjen e mësipërme, nuk do të humbasim në detin e madh të botimeve, por do të ndalojmë përpara disa veprave esenciale, të cilat mund të anashkalohen nga pikëvështrime të tjera. Konkretisht, kjo ka vlerë edhe për krijimtarinë e Naim Frashërit, e cila, në planin historik, sipas konceptit eliotian e ka prishur rendin ekzistues, kur u shfaq së pari: bindemi menjëherë për këtë, nëse i hedhim një sy epokës së quajtur letërsia e vjetër shqipe dhe të quajturës letërsia e bejtexhinjve.
Për t’u thelluar edhe pak në idenë e ligjërimit klasik e modern, po kalojmë nga plani krahasues i teksteve të ndryshme i një poeti, siç vepruam me tekstet e Naimit, te puna brenda një teksti, konkretisht në një tekst të Fan Nolit. Është fjala për strofën e parë të poezisë “Moisiu në mal”, e cila paraqitet në këtë gjendje te dorëshkrimet e poetit:
(Përpjetë) Ngjitet malit të shkretë
(Liberatori trimi me fletë)
Kryeprofiti trimi me fletë
Të (fjalosë) bisedonjë me Perëndinë
Për (vegjëlinë) Palestinë
- zhvendosja e përpjetë pas ngjitet përfton tjetër simetri për vargun (dhe strofën), gjë që arrihet me zhvendosjen e vendit të rimës së brendshme. Në pozicionin e parë, rima e brendshme do të lëvizte mënyrën e arritjes së muzikës, duke dhënë nevojën për vendosjen ndryshe të fjalëve që pasojnë.
- te zëvendësimi i fjalës liberatori me kryeprofiti gjejmë problemin e pamundësisë së më shumë së një theksi te fjalët e gjuhës shqipe, të cilën e zbut përdorimi i një fjalë të përngjitur, pasi kemi krye – profiti. Nëse do të mbetej fjala me një theks, do të kishim prishjen e këmbës metrike që organizon vargun e strofën. Gjitashtu, me vendosjen e re kemi tri forma aliterative të njëpasnjëshme: Kryeprofiti trimi, të cilat realizojnë ngadalësimin e leximit, duke i dhënë atij frymëmarrje më të gjerë. (Pa harruar se më parë kemi pasur efektet e t-së: liberatori trimi me fletë).
- zëvendësimi i fjalosë me bisedonjë i jep vargut mundësinë e një arkitekture simetrike, si dhe me format aliterative: bisedonjë – Perëndinë.
- zëvendësimi i vegjëlinë me Palestinë e thellon mundësinë e arkitekturës simetrike me format: Perëndinë – Palestinë. Tri P-të që përftohen (Perëndinë – Për – Palestinë) realizon efektin e sipërpërmendur të ngadalësimit të leximit.
Nga pikëpamja semiotike dhe konotative e leksikut, format sinonimike fjalosë – bisedonjë nuk hapin shumë diskutime.
Po nga kjo pikëpamje, dy format e tjera liberatori – kryeprofiti dhe vegjëlinë – Palestinë mund t’i kërkojmë sidomos në rrafshin religjioz e filozofik, por me një shikim të fundit mund të pranohen edhe si mjaft sinonimike, që nuk e largojnë poezinë nga rrjedha e vet. Ky parimi i moskënaqjes mund t’i shoqërojë vetëm mjeshtrit. Madje, Noli është shprehur për poezitë e tija se: Unë nuk kujdesesha shumë për to. Mendoja se nuk vlenin. Zakonisht i botoja nëpër gazeta dhe i harroja fare.
Ky përcaktim tregon për vetëdijen e lartë që kanë mjeshtrit për krijimin e poezisë.
Siç kemi thënë, në kulturën tonë ata nuk janë të paktë. Lasgushi thotë: Në zgjedhjen e fjalës, ndahet artisti nga poeti, domethënë poeti artist nga poeti vetëm poet.
Dhe vazhdon: Nëqoftëse na duhet një fjalë e fuqishme, duhet të kemi kujdes që të mos na dalë banale, retorike apo emfatike.
Si në rastin e modelit të ligjërimit klasik, është e nevojshme të kujtohet se modeli i ligjërimit modern nuk është i fundit, në periudhë kohore, por u përket mjeshtërve të poezisë, të ndjeshëm ndaj fjalës poetike, deri në caqet e grafemës, çka mund të na e tregojnë edhe shembujt e sjellë nga Jul Variboba, të cilët shtyhen në kohë, gati deri në fillimet e poezisë shqipe.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Dhjetor 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)