Poeti Shaip Beqiri, liriku
i shquar i brezit të vet 

Poeti Shaip Beqiri, liriku<br />i shquar i brezit të vet 
Që në fillim të fjalës sime dua të theksoj posaçërisht se poezia e Shaip Beqirit zë vend ndër më të merituarat në letërsinë shqipe.

Që ajo nuk ka qenë në këtë shkallë të vëmendjes, arsyet kryesisht duhet kërkuar edhe në rrethanat e veçanta: ngjarjet dramatike nëpër të cilat kalonte Kosova në fund të shekullit të kaluar, por edhe në fillimshekullin e ri e zhvendosën letërsinë dhe kulturën përgjithësisht në periferi të vëmendjes.

Në këtë kontekst, edhe migrimi i poetit Shaip Beqiri nga Kosova për më shumë se 20 vite, e ka bërë të vështirë komunikimin, e në fushën e krijimtarisë letrare sidomos.

Megjithatë, për këtë mosvëmendje të pamerituar "fajin" e ka edhe vetë Shaip Beqiri, përkatësisht natyra krijuese e tij: për afër pesëdhjetë vite krijimtarie, deri më sot ai botoi vetëm katër libra ‘themelorë’, siç i quan vetë. Tiparet kryesore që e shquajnë këtë natyrë krijuese janë: para së gjithash përgjegjësia maksimale ndaj fjalës poetike dhe kursimtaria fanatike e saj para se të nxirret për lexuesin...

Vargjet e para, si gjimnazist, Shaip Beqiri i botoi që në fillim të viteve 70-të dhe librin e parë "Fontana e etjeve" më 1976. Kurse sivjet, në 40-vjetorin e botimit të librit të parë, solli librin e pestë "Hinoret e njëjta", që është përzgjedhje nga librat e mëparshëm si edhe vargje të pabotuara deri më sot.

Në këtë kalendar poetik të tij, bie në sy edhe një detaj karakteristik që e ilustron natyrën krijuese të këtij poeti: Shaip Beqiri dorëshkrimin e librit të parë e dorëzoi për botim te Rilindja më 1974, kur ishte njëzet vjeç. Por, para se të merrte përgjigjen e recensentëve, ai e tërhoqi dorëshkrimin, për ta rishikuar edhe një herë... Dhe ky rishikim i zgjat plot 2 vjet. Kështu, "Fontana e etjeve", libri i tij i parë, u botua me dy vite vonesë, sipas kërkesës së vetë autorit.

Një përgjegjësi prej fanatiku ndaj punës, ndaj veprës së vet krijuese, e përcjell gjatë tërë jetës këtë poet, i cili sjell ndërmend poetë e shkrimtarë të mëdhenj që mbërritën majat e artit me sasi vëllimore modeste, siç është rasti në letërsinë tonë me Besim Bokshin.

Është thënë që Shaip Beqiri për afër 50 vjet shkruan një të vetmin libër poetik. Mendim që qëndron për shumë shkrimtarë: pas leximit të katër librave – përkatësisht pesë, lexuesi natyrshëm ka këtë përshtypje...

Në vazhdim të kësaj mbrese, imazhi në ecje i ngasjes bosht të muzës poetike të Shaip Beqirit: zënia e parë, artikulimi poetik me veprën "Fonatana e etjeve" vjen si një riosh i këndshëm, plot shëndet dhe energji të brendshme, që kërkon hapësirë edhe më të madhe për t’u shtrirë përtej kufijve, që është i gatshëm për akrobacione dhe sfida përballë një bote – në çaste të frikshme, apokaliptike, botë që mund të duket si e mbërthyer brenda nofullave gjigande prej përbindëshi që vjellin zjarr e gjarpërinj...

Dhe kështu në ecje, nga libri në libër, ky riosh zbutet, urtohet, artikulohet në një mendimtar me lëvizje gracioze estetike, që sjellin art poetik ku bashkohen në harmoni emocioni, imagjinata, nën prirjen e refleksit të racios.

Poezia e Shaip Beqirit që nga fillimi e sjell një disponim të ngrysur – pa ngjyra optimiste... Ishin të tilla, të trazuara, ngarkuar shqetësim dhe brengë që në zënie, në fillim të viteve 70-të, me librin e parë "Fontana e etjeve". Burim i parë i frymëzimit të tillë ishte perceptimi i poetit gjimnazist i realitetit të etnisë së vet në Kosovën e tij, realitet që dukej i pashpresë nën çizmen serbe.

Që këndej edhe imazhet me ngarkesë apokaliptike, që shpërthejnë herë-herë në vargjet e këtij vëllimi të parë poetik... Dhe për çudi – të paktën në shkrimet e botuara për të aso kohe, nuk hetohet, nuk përmendet fare, për të mos thënë heshtet ky burim dëshpërimi... E dashuria për vendin, ndërsa shqetësimi, sado diskret, është dramatik dhe fare i lexueshëm, që në hapat e parë, përfshirë këtu vargjet e librit "Fontana e etjeve". Le të sjellim vetëm disa nga shembujt e shumtë me këtë rast:

Agimi po zgjohet nga ëndrra e barit
Me gjunj të përgjakur
Toka ime

beqiri
.........

Në kullën e mbyllur të ëndrrave
Sa e gjatë qënka nata jote
Ku pushkën përqafoj si vashën e shpëtimin
Deri të zgjohet agimi me gjunj të përgjakur
(Agimi me gjunj të përgjakur)

Është arterie e fuqishme frymëzimi etnia dhe Kosova në fillimet e para poetike të Shaip Beqirit. Pikërisht ky ngasës e bën lirikën e tij përsiatëse, e stimulon imagjinatën drejt imazheve dhe figurës poetike që njëkohësisht i krijon mbulesë prej "syrit kujdestar" të kohës.

Natyra e tij poetike, me prirje refleksive për përsiatje mbi ekzistencën, qenien, dhe vizionin drejt brigjeve metafizike, me kohë do të shndërrohet shenjë njohëse kryesore në opusin krijues të tij.

Tërë shtjella dramatike nga përditshmëria, tërë fluidi ngrysës në poezinë e tij, shpërfaq dhe reflekton dëshpërim konstant, kryesisht pa objektiv të qartë prejardhjeje. Poezia e tillë, prandaj nxit përsiatje drejt kërkimit të vetes, të kuptimit, të ekzistencës. Jo për efekte lamentimi por për ta mburur, për ta përgatitur veten drejt mirëkuptimit, faljes, që ia parapëlqen natyra krijuese Shaip Beqirit.

Labirinteve të tillë kalojnë dhe shpërthejnë në horizont, të ngarkuara dhe pleksura ngjyrimesh, reflekset poetike që përbëjnë univers të dallueshëm të këtij autori në poezinë shqipe. Rropatje sizifiane e poetit është kjo, e poezisë që e sfidon, e mban zgjuar ngasjen e zërit lirik, rropatje e gjakim për ta përplotësuar boshin gërryes që qëndron kërcënues në vizionin dramatik të poetit, ngasje pa të cilën s’mundet poezia, ngasje mister që e ka munduar deri në klithje Hajdegerin: "Pse patjetër të kesh një gjë – pse jo asgjë?!" Rishtazi e përtëritur, filozofia e kësaj lirike anon drejt prirjes të jetë e qartë dhe në harmoni me thelbin e pagjetur të ekzistencës, me të cilin do të përballet pafundësisht...
 
Të gjitha vatrat e rrjedhave, stuhitë e zëna ngoje më sipër dhe shumëfish të tjera vatra të brendshme, i turren qenies poet, i cili bëhet zë i tyre, qenie e tyre. Dhe padyshim zbulimet e hapave të parë në botën përreth, njohja me oborrin dhe vatrën, etninë e pranguar, do të lënë gjurmë të fortë në botën dhe vetëdijen e poetit, duke sjellë ngjyrime betejash dhe disfatash tragjike ndër shekuj, realitet pa liri dhe kërcënim konstant, do të shfaqen sa të zëshme sa të heshtura në poezinë e Shaip Beqirit...

Me kohë, rrugës jetësore dhe krijuese ai do ta begatojë këtë univers të brendshëm me bëma dhe reflekse përditshmërie, gjatë ballafaqimeve me sfida të shumta, me zatetje engjëjsh dhe me djaj që do të ndikojnë dhe formojnë natyrën, qenien e tij prej krijuesi, filozofinë, personin dhe personalitetin, perceptimin mbi botën, njeriun dhe zotin, me realitetin e këtejmë dhe të andejmë...

Ecja jetësore, formimi krijues, kulturor dhe njerëzor këtyre udhëve, ka lënë ngjyrimet edhe si faza, etapa krijuese të dallueshme në krijimtarinë e poetit. Libri "Hinoret e njëjta", deri më sot, është arritje artistike kryesore në opusin letrar të Beqirit... Lidhur me këtë libër poetik të veçantë mund të përmenden disa prirje, si ajo anagramore, shkolla lasgushiane, puropoezia... por unë, me këtë rast, do të përmend rikthimin e përhershëm të dialogut të zërit lirik me veten, sy më sy gjatë bilanceve jetësore, gjatë çasteve dhe situatave të ndryshme që prodhojnë rishtazi variante të shumta vargjesh dhe poezish.

Një veçori tjetër, për mua e dorës së parë, është gjuha poetike e Shaip Beqirit, gjuha që si qenie e gjallë në krah të poetit i vihet në shërbim çdo lëvizjeje të emocionit, të imagjinatës, çdo nuance dhe ngjyrimi të tyre, përfshirë edhe disponimin gri të trazuar të shpirtit dhe mendjes... Duke iu përshtatur situatave të brendshme të botës poetike, ajo, gjuha, shpalos nga thellësitë e veta tërë potencën shprehëse, e përgatit, e programon veten – qoftë në shërbim të tingëllimit, të eufonisë, të ritmit, figurës, leksikut, imazhit, natyrës, gjithësisë, mitit, historisë...
 
Gjuha më bie pluhur përdhe
Sipër hijeve të mbërthyera
Ndanë lumit nëntokësor
Që ulërin si tigri kur lëpin qiellin
Ndër pasqyra të thërrmuara pezmi
(Muri)

Dhe në këtë shtjellë të brendshme dhe të jashtme krijuese, vijnë varg shpërthimet harmonike të sensacioneve vizuale dhe të zëshme, pamje impresive, vizione gjithësie, ekzaltime mistike dhe përjetësie. Poeti, ndërkaq i ofron gjuhës një hapësirë për të vendosur ëndrrën – magjia tërheqëse e së cilës është tmerrësisht e pushtetshme. Zëri lirik - i plotësuar pasi e prek, e vë në lëvizje rebeluese, e alarmon mendimin - dhe s’resht së nisuri nga e para – sidomos te vargjet e ciklit mbi veten, mbi unin, vargje ku ai shihet sy më sy me veten, bën bilancin, testamentet dhe kotësinë - dhe në fund sikur nuk shpreson më shumë se kaq – të niset nga e para... Në këtë udhëtim, shpesh dramatik por edhe rebelues në momente, Shaip Beqiri i bën për vete, i zbut, i vë në shërbim të artit poetik hiret e pamposhtura të gjuhës.

Dhe sidomos i veçantë del poeti Shaip Beqiri në vargjet lasgushiane, ato intime – sidomos te vargjet e atdhedashurisë, madje qysh në hapat e parë, me gjuhë ezopike, larg patoseve dhe afishimeve populiste. Përshtypja se lirika atdhetare e Shaip Beqirit sikur ka mbetur në margjina të vëmendjes forcohet duke e lexuar librin e parë të poetit "Fontana e etjeve", të ngjizur në kërkim të trollit të vet, të shpirtit të tij. Nën trysninë e autocenzurës dhe imagjinatës së bujshme që vërshon me pamje përmasash apokaliptike, në gjirin e këtij frymëzimi, poeti do të artikulojë lirikën e atdhedashurisë me një gjuhë fare të re, të padëgjuar deri atëherë në poezinë shqipe, gjuhë që sot e gjithë ditën tingëllon e freskët.
Në ilustrim për këtë po sjellim vargjet e poezisë "Vetëtima e çapëluar". Frymëzimi i poetit të ri, në fillim të viteve shtatëdhjetë e ka Kosovën, vendlindjen e tij dhe sjell imazhin virtual të trollit, sjell shqetësimin, vigjilimin sogjetar mbi të. Le të veçojmë reflekset më afektuese që nxit imazhi tek poezia "Vetëtima çapëluar" dhe lumi Drin. Vetëtima çatall (mbi qiellin Kosovë), mbulon si kërcënim visoret e shpirtit poetik, që dikush e quan atdhe e dikush e ka brenda në vete... Është strofa që e hap poezinë dhe, në vijim, goditja vetëtime shndërrohet në imazhe kërcënuese përmasash të frikshme: gjarpër dykrerësh me nofulla që shtrëngon, vjell zjarr.... Në strofat e pjesës së dytë të poezisë shfaqet Drini, me ç’rast poetit i shpërthen klithma-psherëtimë : O Drin, ind i pezmatuar që përshkon gjeografinë tonë të copëtuar - mbetur në gojë ujqsh... Edhe thirrjet në këtë poezi janë të kursyera, por Drinin dëshmitar, nuk ka si të mos e thërrasë në ndihmë: ...Dil prej zgavrave të tua dhe futu damarëve të këputur të dheut dhe atdheut që ndryn dhembjen, tërmet të ngujuar, ëndrrën dhe revoltën e shtypur...
 
Rrallë kush e ka sjellë kaq të fuqishëm dhe kaq drejtpërdrejt revoltën në lirikën patriotike të kohës dhe brezit të poetit Shaip Beqiri. Drini është lumi i trazuar i poetit: që në fillim, me vargjet e para, ai do ta ndiejë prekjen, dhuntinë e të qenit poet, siç ndjehet qartë i përcaktuar nga brenda për rrugën që do të ndjekë në jetë. I qartë se përgjatë kësaj rruge të zgjedhur do të përballet me vetëtima kërcënuese dhe gjarpërinj vallëzues...
 
Fjala e mbajtur në ceremoninë e dorëzimit të çmimit letrar “Beqir Musliu” poetit Shaip Beqiri, në Gjilan, Qershor 2016.

beqiri

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com 
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore