Rruga e amortizuar ka nxjerrë në protestë banorët e zonës së Kalasë, në lagjen numër 4 të Pogradecit. Mbi 20 familje kërkojnë ndërhyrjen e Bashkisë për aksin që lidh rrugën kryesore me banesat e tyre.

Sipas banorëve, gjendja e rrugës i pengon të afrojnë automjetet pranë shtëpive, ndërsa gjatë dimrit vështirësohet edhe lëvizja e këmbësorëve. Ata i janë drejtuar më herët Bashkisë me një peticion dhe thonë se, pavarësisht premtimeve për investim, ende nuk është ndërhyrë.

Aksi, rreth 1.5 kilometra i gjatë, të çon edhe drejt Kalasë së Pogradecit. Banorët tregojnë se kjo zonë historike tërheq turistë të huaj, por vështirësitë në qarkullim bëjnë që një pjesë e vizitorëve të mos arrijnë deri në majën e kodrës.

Gjendjen e rëndon edhe erozioni, i shfaqur në disa pjesë të rrugës. Sipas banorëve, rrëshqitja e terrenit rrezikon banesat dhe mund të sjellë bllokimin e plotë të kalimit.

Në protestë ishte i pranishëm edhe Arbër Male, Anetar i Këshillit Bashkiak të Pogradecit, i cili kërkoi masa emergjente nga institucionet vendore. Ai bëri të ditur se, krahas peticionit, banorët kanë paraqitur vazhdimisht ankesa për infrastrukturën dhe administrimin e lagjes.

Familjet e kësaj zone kërkojnë që ankesat të marrin zgjidhje përmes një ndërhyrjeje që garanton kalimin e sigurt drejt banesave dhe aksesin në një prej pikave historike të qytetit.

lajm ne perditesim...