POGRADEC - Pronarët e mbi 25 lokaleve përgjatë bregu të bukur të Liqenit të Ohrit, të shtyrë nga interesi i fitimit pranë hoteleve apo restoranteve, përballe bizneseve të tyre kanë krijuar pista apo shtuar sipërfaqe shërbimi në ujërat e liqenit.

Gjithëçka është bërë vetëm për të fituar, pa llogaritur dëmet që i sjellin liqenit, pikërisht në këtë moment kaq deçiziv për këtë liqen, që vetëm para pak ditësh, kanë qënë inspektorët e UNESCO-s dhe po përgatitet dokumentacionin përfundimtar, me qëllim që të shpallet “Trashëgimi botërore që ruhet nga UNESCO”.

Peshkatri i vjetër Thoma Simaku, mjeshtër peshkimi, thotë për gazetën Shqiptarja.com, se “betonimi i bregut, e thënë më shkoqur për ta kuptuar më mirë lexuesi, se çfarë dëmi sjell, po e spiegoj në mënyrën më të thjeshtë: Të betonosh bregun, do të thotë që t’i zesh liqenit jashtëqitjen, në atë vend ku t’i betonon bregun.

Liqeni, me anën e dallgëve, të gjitha mbeturinat dhe leshterikët i nxjerr në breg dhe njeriu ka mundësi që ta pastrojë. Por, kur bregu, ku ka beton vala apo dallga i nxjerr mbeturinat në breg dhe i rikthen përsëri në liqen, duke i dhënë këtij të fundit pamjen e një kënete plot llumra e mbeturina”.

Në këto zona që janë të mëdhaja dhe shkojnë gati 5 kilometër betonim, rrjetat e peshkatarëve mbushen gjithë mbeturina dhe më shumë kapin në rrjetat e tyre mbeturina, se sa peshk. Ndoshta, sipas peshkatarit, ka ardhur koha që t’i jepet fund kësaj situate.

Ky liqen magjik, me këto brigje të mrekullueshme po vuan nga kjo dukuri që po kthehet në epidemi. Nga viti në vit shtohen lokalet dhe betonizimi i bregut është një nga masakrat më të mëdha që po i kryhet këtij liqeni.

Pronarët e këtyre lokaleve, sapo marrin vendin e ngritjes së lokalit apo hotelit buzë liqenit dhe marrin pamjen e të “fortëve” duke e shdërruar bregun në pronë private, e betonizojnë, duke i vënë kufinjj plazhit.

Mjeshtri i madh i poezisë Lasgush Poradeci, ka shkruar një poezi shumë të bukur; “U shtrua vala për mbi zall”, por sot kjo poezi e mjeshtrit duhet të thuhet ndryshe; “U përplas vala mbi beton”.

Inspektori i Liqenit të Ohrit në Pogradec, Arjan Merolli deklaron, se që para disa vjetësh ai ka drejtuar shkresa zyrtare mbi këtë masakër që po kryhej, Ministrisë së Mjedisit në kohën e Xhuvelit, kur fenomeni po merrte rrugë, por askush nuk e vuri ujin në zjarr dhe me këtë ritëm që po ecet, nëse Inspektoriati Kombëtar Ndërtimor nuk vepron, atëherë në Pogradec nuk do të ketë më breg liqenor, por breg betoni.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 15.05.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)