POGRADEC – Një 46 vjeçar nga qyteti i Pogradecit tentoi të vetëflijohej duke i vënë flakën vetes. Ngjarja ndodhi pasi Gëzim Hamitin mësoi se e kishin pushuar nga puna. 46 vjeçari ishte punonjës i ndërmarrjes së Gjelbërimit në Bashkinë e Pogradecit.

Korrespondentja e Tv A1 Report informoi se Hamiti pasi kishte lyer trupin me benzinë i kishte vënë flakën vetes. Akti i vetëflijimit ishte kryer para bashkisë së qytetit pak pas mesditës së sotme. Shkak, sipas tij,  kishte qenë konflikti me bashkinë nga e cila nuk kishte marrë pagën mujore. Ai është dërguar menjëherë në spital nga punonjësit e policisë, ndërkohë që gjendja e tij shëndetësore paraqitet e ekuilibruar.


BASHKIA: ISHTE PERDORUES I ALKOOLIT, S'ISHTE I PUSHUAR NGA PUNA
Menjëherë pas ngjarjes reagoi nënkryetari i bashkisë, Erion Vesho. Sipas tij  Gëzim Hamiti, "është punonjës në bashkinë e Pogradecit, në pozicionin e mirëmbajtjes së varreve dhe sipërfaqeve të gjelbërta. Nuk ka pasur asnjë problem me punën, vazhdon rregullisht.”
Vesho thotë se 46 vjeçari njihej në qytet si person që pinte shpesh alkool dhe se veprimi mund të jetë kryer në gjendje të dehur.

"Akti i tij ishte akt i një personi të dehur që njihet në qytet. Ka problemet e tij sociale dhe për këtë ne e kemi mbajtur pranë, por veprimi i tij nuk ka pasur asnjë lidhje me detyrën e tij. Policia dhe punonjësit e bashkisë e kishin parë që po kryente një akt të tillë dhe kishin asistuar në shuarjen e flakëve nga trupi i 46-vjeçarit. Nuk kemi bërë asnjë lajmërim për pushim nga puna. Nëse ai nuk ka shpënë rrogën në shtëpi kjo është çështje e tij, por nuk ka lidhje me mospagesën e bashkisë, Pogradec. Nuk ka asnjë vonesë. Incidenti ka ndodhur pranë bashkisë, por nuk ka lidhje fare me të.”, është shprehur nënkryetari i bashkisë, Erion Vesho.

MJEKU: E DERGUAM PER MJEKIM NE TIRANE

Mjekët e spitalit të Pogradecit thanë se 46 vjeçari është dërguar për mjekim më të specializuar në Tiranë.
“Pacienti erdhi në spital me djegie të qafës së gushës dhe fytyrës. Afërsisht 15-20% djegie. Djegie e gradë e parë dhe e dytë. Nuk mund të thuhet në gjendje të rëndë apo jo e dërguam për mjekim të specializuar në Tiranë.”. tha  mjeku Dhimitraq Prifti në lidhje me situatën shëndetësore të vetëdjegurit Gëzim Hamiti.

Ky është rasti i katërt brenda javës i tentativave për tu velëflijuar, pas tre rasteve të vetëdjegies së ish të burgosurve politikë, të cilët janë në grevë urie në shenjë proteste ndaj indiferentizimit të qeverisë dhe moskomensimit të ditëve të burgut në komunizëm
(Gre.M/sg/Shqiptarja.com)