Pogradec- Aksioni i Policisë së Pogradecit vë në pranga një 65-vjeçar pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative, të cilit i është zbuluar një bazë armatimi e municionesh në banesë.
Operacioni është koduar "Gurrasi" dhe u krye pasditen e sotme (4 Dhjetor). I arrestuari është Xhevahir Cake, i cili u shoqërua në Komisariatin e Pogradecit.
Burime policore bënë me dije se i dyshuari u kap fillimisht në banesë me armë të tipit “Kallashnikov”, ndërsa gjatë kontrollit të mëtejshëm ju gjetën municione të tjera, si kapsolla detonatore dhe fitil tritoli.
“Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri automatik, një sasi municioni luftarak, kapsolla detonatore dhe elektrike dhe fitil zjarr përcjellës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, bëri me dije policia.
Gazetari i Report TV, Armand Braho, informon se aksioni u finalizua vetëm pak momente më parë, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, që po bëjnë hetimin lidhur me këtë person.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i 65-vjeçarit dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.