POGRADEC - Zyra për mbrojtjen nga diskriminimi e drejtuar nga znj. Irma Baraku ka vendosur sot që të kthejë në shkollë vajzën nga Pogradeci e cila kishte humbur të drejtën për të frekuentuar shkollën pasi kishte vendosur që të mbulohej me shami.

Ky vendim ka ardhur pas një takimi të zhvilluar mes Forumit Mysliman të Shqipërisë, Komisioneres për mbrojtjen nga diskriminimi si dhe përfaqësuesve të drejtorive arsimore të Korçës e të Pogradecit. 

Që prej shtatorit që shënon edhe fillimin e vitit të ri shkollor nxënësja J.R ishte ndaluar nga autoritetet e shkollës së mesme të përgjithshme “Muharrem Çollaku” që të frekuentonte mësimin pasi ajo kishte zgjedhur që në emër të besimit mysliman të mbulohej me shami. 

Vajza i është drejtuar Komunitetit Mysliman i cili ka vendosur të organizojë një takim edhe me zyrën për mbrojtjen nga diskriminimi. Pas një seance dëgjimore në zyrat e Komisionerit, në prani të palëve të interesuara, Komisioneri doli me Vendimin nr. 14, dt. 29/01/2015, ku konstatoi diskriminimin e drejtpërdrejt për shkak të bindjeve fetare të nxënëses J.R., si dhe e detyroi Drejtorinë Arsimore Korçë dhe Drejtorinë e Shkollës së Mesme Muharrem Çollaku Pogradec të ndalojë sjelljet diskriminuese ndaj nxënëses J.R., dhe pranimin e saj të menjëhershëm në shkollë.

Në përgjigje të këtij vendimi Drejtoria e Shkollës në bashkëpunim me Zyrën Arsimore Pogradec dhe
Drejtorinë Arsimore Rajonale Korçë e njoftojnë nxënësen J.R. për fillimin e procesit mësimor.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)