Në prag të festës së Fitër Bajramit, në qytetin e Pogradecit ka nisur shpërndarja e rreth 3.5 tonëve ushqime për familjet në nevojë. Nisma është ndërmarrë nga Xhamia ‘Ebu Bekër’, në kuadër të sadaka fitrit, një prej detyrimeve fetare që synon mbështetjen e shtresave më vulnerabël të shoqërisë.

Procesi i shpërndarjes ka nisur që në orët e para të ditës, me qëllim që ndihmat ushqimore të mbërrijnë në tryezat e familjeve përpara festës. Paketat përmbajnë produkte bazë ushqimore, të domosdoshme për përballimin e nevojave minimale gjatë kësaj periudhe.

Sipas organizatorëve, ky është një kontribut i drejtpërdrejtë i besimtarëve, të cilët përmes donacioneve kanë bërë të mundur grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave për familjet në vështirësi ekonomike.

“E kemi bërë traditë në xhaminë tonë me kontributin e besimtarëve. Kjo është një shportë që synon të gëzojë të gjitha ato familje që nuk kanë mundësi të festojë. Gëzuar festën e Fitër Bajramit! Zoti ju pranoftë agjërimin”, tha, Mirel Mazelli Imami i Xhamisë ‘Ebu Bekër”.

Shpërndarja e paketave ushqimore pritet të përfundojë brenda ditës së sotme, duke përfshirë të gjithë territorin e rrethit të Pogradecit. Kjo nismë vjen si një traditë e përvitshme e komunitetit fetar, që në prag festash synon të zbusë sadopak vështirësitë e familjeve në nevojë dhe të përcjellë frymën e solidaritetit dhe bashkëndarje në dhjetra familje të qytetit!