Në prag të sezonit turistik, kryebashkiaku i Pogradecit ngre shqetësimin për radhët e gjata në pikën kufitare të Qafë Thanës, për shkak se nuk funksionon sistemi i kontrollit “One Stop Shop”.

***

Turistët nga Maqedonia e Veriut që vijnë për pushime në vendin tonë, e sidomos në qytetin kufitar të Pogradecit, ndeshen me radhë të gjata pasi nuk funksionon sistemi “One Stop Shop”, i lançuar një vit më parë nga dy qeveritë.

Problematika u ngrit në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Publike nga kryebashkiaku i Pogradecit, i cili tha se procedurat vijojnë të kryhen në dy sisteme, çka shkakton orë të gjata pritjeje në kufi.

“Sistemi i ri që u vendos, që ka gati një vit, në vend që ta pakësonte (trafikun), ta lehtësonte qarkullimin e lirë të qytetarëve, në fakt është e kundërta. Besoj që morëm premtimin që do të sistemohet shumë shpejt, sepse sot që nuk ka filluar sezoni turistik, atje kemi një radhë të gjatë, jo më kur të fillojë sezoni turistik”, - thotë Ilir Xhakolli.

Problematika është adresuar pranë policisë kufitare dhe ende s’ka gjetur zgjidhje.

Në mbledhje u fol edhe për menaxhimin e vijës liqenore, ku pjesa më e madhe e plazheve do të mbeten publike, me çadra falas për pushuesit. Ndërkohë, do të vijojë të funksionojë plazhi i dedikuar për personat me aftësi të kufizuara.

Pogradec, 50 operatorë ekonomikë janë pajisur me leje për stacionet private të plazhit, ndërsa 5 të tjerë janë në pritje. Në zonën kryesore të bregliqenit do të ruhet raporti 40 për qind plazhe publike dhe 60 për qind private.