Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti është shprehur se prioritet i kësaj ministrie në katër vitet e ardhshme është heqja e barrës fiskale,  me qëllim që ky sektor të ketë zero taksa.
 
Teksa vizitoi një fabrikë në qytetin e Pogradecit, Panariti tha se në programin elektoral të PS parashikohen 5 herë më shumë fonde për bujqësinë, pasi sipas tij ky sektor është motor i zhvillimit ekonomik.
 
Ai u shpreh gjithashtu se është i vetëdijshëm, se fondet e dhëna nga qeveria për bujqësinë, janë shumë të vogla, krahasuar me nevojat apo me mbështetjen që i japin këtij sektori vendet fqinje, si Kosova apo Maqedonia por premtoi se kjo gjë do të ndryshojë. Ai gjithashtu kërkoi edhe masa nga institucione të tjera fiskale, siç janë Tatimet, në lidhje me parandalimin e abuzimeve me konsumatorin.
 
“Në radhë të parë, kërkohet shumë me tepër mbështetje për bujqësinë, kërkohet edhe lehtësim fiskal. Bujqësia është ende shumë e ngarkuar me barrë fiskale dhe sigurisht edhe një kontroll dhe hetim tatimor duhet bërë, në mënyre që, në rast se në pikat e pakicës kemi çmime disporporcionale në krahasim me atë çmim që aplikohet në shumicë, këtu ka diçka që nuk shkon edhe në kuptimin e regjimit fiskal, të konsiderohet abuzim apo evazion fiskal. Pra, bujqësia duhet të mbështetet me instrumente fiskalë”, theksoi Panariti. 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)