Pogradeci i ka kushtuar të shtunën një aktivitet të veçantë koranit, një prej pasurive më të njohura të Liqenit të Ohrit. Në kuadër të “Festës së Koranit”, në liqen u hodhën rreth 2 milionë rasatë korani, duke vijuar një proces që, sipas autoriteteve, po zhvillohet prej disa vitesh dhe ka dhënë rezultate pozitive.

Martin Jaçe kryetar i OMP tha se ky është viti i pestë radhazi që hidhet kjo sasi rasati, ndërsa sipas tij mbijetesa e rasatit në liqen është e lartë. Ai theksoi se rritja e koranit lidhet edhe me respektimin e rregullave të peshkimit dhe luftën ndaj gjuetisë së paligjshme.

“Ky vit është i pesti rradhazi që në liqenin e Ohrit hedhim rasat të stabilizuar që ka mbijetesë të lartë në liqen. Hedhja e rasatit ka dhënë rezultat pozitiv në kapjen e peshkut që shtohet dita ditës, duke zbatuar rregullat e gjuetisë dhe eliminuar paligjshmërinë, korani është në shtesë” tha ai.

Edhe zëvendësministri i Bujqësisë, Arjan Jaupllari, e cilësoi koranin një pasuri të veçantë të liqenit, duke deklaruar se akuakultura dhe peshkimi do të vijojnë të jenë pjesë e politikave mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ai bëri të ditur gjithashtu se nuk ka aktualisht një marrëveshje aktive me palën tjetër për hedhjen e rasatit në Liqenin e Ohrit.

“Vit për vit ka pësuar rritje. Këtë vit do hedhim 2 milionë rasat. Është rasat autokton. Dëshirojmë që edhe pala tjetër ta bëjë këtë gjë. Ka pasur një marrëveshje vite më parë, tani nuk kemi.  Ne do të vazhdojmë të mbështesim akua kulturën e krapit dhe peshkut  dhe politikat do të fokusohen në këtë drejtim” tha Jaupllari

Festa u shoqërua edhe me promovimin e traditës së gatimit të koranit. Kuzhinierë dhe pogradecarë sollën në tryezë receta tradicionale, mes tyre korani në tavë me qepë, domate, hudhra, dafinë e borzilok, si dhe gatime me arra, verë e najazmë.

Për kuzhinierët vendas, korani është më shumë se një peshk. Ai është pjesë e identitetit dhe traditës gastronomike të Pogradecit. Një prej kuzhinierëve me 35 vite eksperiencë në përgatitjen e tij e cilësoi tavën e koranit si një nga gatimet më të veçanta të qytetit.

“Peshku koran është më i mirë se salmoni. Pogradecarët kanë gatuar tërë jetën në tava dheu. Kemi koran me qepë, domate, hudhra, dafinë, borzilok. Receta tradicionale është edhe me arra dhe me verë. Kemi shumë tava korani nga tradita jonë” tha njëri prej tyre.

Korani mbetet një prej produkteve më të kërkuara edhe në restorantet e Pogradecit, ku sipas kuzhinierëve, tava është ndër mënyrat më të preferuara të përgatitjes, ndërsa kërkesa vjen si nga vendasit ashtu edhe nga turistët e huaj.

Pas hedhjes së rasatit, aktiviteti vijoi me degustimin dhe panairin e produkteve të peshkut, ndërsa mbrëmja u shoqërua me spektakël multimedial mbi liqen dhe koncert festiv.

“Festa e Koranit” synon të promovojë njëkohësisht pasurinë natyrore të Liqenit të Ohrit, traditën e peshkimit dhe gastronominë karakteristike të Pogradecit.