Edicioni i 4-t i Maratonës Ndërkombëtare të Vrapimit ‘Enkelana’ mblodhi në Pogradec rreth 550 garues nga 36 shtete të botës. Atletët garuan në dy disiplina, 21 kilometra dhe 11.5 kilometra, përgjatë itinerarit panoramik buzë Liqenit të Ohrit, duke e kthyer qytetin njëkohësisht në atraksion turistik.
Në disiplinën e 21 kilometrave, e njohur ndryshe si gjatësia e ‘gjysmë-maratonës’, në kategorinë e meshkujve fitoi me diferencë të theksuar shqiptari i Kosovës Tirron Mamusha, ndërsa te femrat vendin e parë e zuri Gresa Bakraçi. Gjithashtu shqiptare e Kosovës.
“Unë e shijoj shumë sepse është në vendin tim, është shtëpia ime dhe jam me njerëzit e mi. Në shumicën e rasteve është jashtë vendit dhe presioni është i madh. Këtu vij vetëm për t’i shijuar garat dhe ishte një organizim i mahnitshëm" tha Gresa Bakraçi, atlete.
“Kanë qenë kushtet perfekte për të garuar. Unë theva sot edhe një rekord personal. Kështu që jam kënaqur shumë" tha Tirron Mamusha, atlet.
Në disiplinën 11.5 kilometra triumfoi Albert Abazi në kategorinë e meshkujve, ndërsa Kristina Pura te vajzat.
“Për mua është hera e dytë që marr pjesë në maratonën ‘Enkelana’. Po ashtu e dyta në disiplinën 11.5 kilometra. U ndjeva shumë mirë. Koha ishte gjithashtu shumë mirë. Vjet ishte shumë vapë, ndërsa këtë vit koha të mundësonte për një garë shumë të mirë" tha atletja Kristina Pura,
“Rivaliteti ishte mjaft i egër, por më në fund ia dolëm me pak vështirësi. I përgëzoj organizatorët dhe bashkinë për këtë event mjaft të bukur. Unë jam nga Maqedonia e Veriut. Shqiptar nga Kërçova” Albert Abazi,
Maratona ‘Enkelana’, siç u konfirmua nga organizatorët, do të vijojë edhe për shumë vite të mbahet në Pogradec.
“Edhe për 5 vjet sot e ka konfirmuar bashkia e Pogradecit që maratona ‘Enkelana’ do të bëhet. Do të bëhet" tha Leonard Peço, organizator i maratonës.
Synimi është që qyteti të konsolidohet si një nga destinacionet më të rëndësishme të atletikës dhe sportit në rajon.










Komente
Komento