Skuadra e Pogradecit ka shkruar historinë në volejbollin shqiptar për vajza, duke u shpallur për herë të parë kampione e Shqipërisë pas një finaleje emocionuese ndaj Tiranës.
Në ndeshjen e pestë dhe vendimtare, të zhvilluar të hënën në Pallatin e Sportit “Arefi Berberi”, pogradecaret dominuan plotësisht takimin, duke triumfuar me rezultatin e pastër 3-0 dhe duke mbyllur serinë e finaleve play-off me shifrat 3-2.
Liqenoret treguan epërsi në çdo set, duke fituar 25-16, 25-20 dhe 25-17, në një përballje ku nuk lanë hapësirë për rivalet kryeqytetase. Ky sukses merr edhe më shumë vlerë pasi është hera e parë që Pogradeci arrin të mposhtë Tiranën në shtëpi gjatë këtij sezoni, pas dy humbjeve të mëparshme në Pogradec dhe dy fitoreve në transfertë.
Me këtë triumf, Pogradeci kompleton një sezon perfekt, duke siguruar “tripletën” historike; kampionatin, Kupën e Shqipërisë dhe Ligën “Gjergj Kastrioti”, duke u konfirmuar si skuadra dominuese e vitit në volejbollin e vajzave.
Komente










