Çuli në Report Tv: Kam bërë kallëzim ndaj grupit që ka zaptuar Teatrin! S'ka ende projekt final për godinën

TIRANË-Drejtori Hervin Çuli ka deklaruar se ka bërë kallëzim në polici ndaj grupimit që ka zaptuar Teatrin Kombëtar, duke thënë se ky institucion teknikisht nuk është më në dorën e tij apo të Ministrisë së Kulturës. I ftuar në "Repolitix", Çuli ka folur për herë të parë, mbi situatën që po ndodh te Teatri Kombëtar, duke thënë se ky institucion është në "rrezik" pasi materialet e një rëndësie të madhe janë lënë në "qiell të hapur".

Ai ka vënë theksin se është një nevojë urgjente ndërtimi i një godine të re, teksa ka dhënë edhe argumentet e tij si drejtues i këtij institucioni për 5 vite.

Përballë gazetarit Denis Minga, Çuli ka deklaruar se nuk ka një projekt final për godinën e re të Teatrit. Ajo që i është prezantuar publikut dhe po sulmohet nga opozita (projekti i arkitektit danzez Bjarke Ingels) është thjesht një nga firmat që ka marrë pjesë në garë. Afati i fundit për të dorëzuar propozimet është 19 shtatori dhe para vendimit final do të kalohet në disa hapa, nga Komisioni prej 7 anëtarësh, te Parlamenti dhe madje edhe në një përballje qytetare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:48
Drejtori Hervin Çuli zbulon kush i hoqi gërmat e Teatrit Kombëtar

Drejtori Hervin Çuli në studion e "Repolitix" ka zbuluar se gërmat e Teatrit Kombëtar janë hequr nga Bashkia e Tiranës. Ai e ka cilësuar këtë vendim, si të nxituar, por tha se është i bindur se nuk ka qenë një provokim nga ana e tyre.

"Heqja është bërë nga Bashkia. Për mua ka qenë një lëvizje e nxituar, por nuk ka qenë për provokim. Për këtë jam i bindur", tha Çuli. 

Ora 21:41
Çuli: Prona e teatrit 5500 m2, nëse preket 1 cm do protestoj para Ramës e Veliajt

Teatri Kombëtar ka një hapësirë prej 5500m katrorë dhe nga kjo hapësirë nuk do të lëvizë asnjë centimetër. Është ky premtimi publik i drejtorit të Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, i cili tha se nëse ky premtim nuk do të mbahet do dalë të protestojë me artistët.

"5500 m2 është hapësira e teatrit, nga kjo nuk do të lëvizet asnjë metër. Kullat nuk kanë pikë lidhje me territorin e Teatrit Kombëtar. Nëse politika "ha" nga territori i teatrit, do protestoj para Ramës dhe Veliajt", tha Çuli.

Ora 21:26
Çuli hedh poshtë zërat: S'ka një projekt final për Teatrin Kombëtar! Gara e hapur deri në shtator

Ajo çfarë kemi parë deri më tani të një godine që flitet se do të jetë Teatri i ri Kombëtar është vetëm një nga projektet e dorëzuara nga një arkitekt danez, Bjarke Ingels, por jo projekti definitiv. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli ka deklaruar se është hapur zyrtarisht gara, ku ftohen të gjithë arkitektët që të paraqesin projektet e tyre . Afati përfundimtar është deri në 19 shtator dhe më pas përzgjedhja do të bëhet nga një komision i përbërë nga 7 anëtarë dhe më pas do të kalojë në disa hallka, nga parlamenti deri në një përballje publike.

"U arrit një marrëveshje me Veliajn dhe një pjese të komunitetit që ishin në lëvizje, me sindikatën ku u bë një marrëveshje me Altin Bashën, Arben Derhemin që nuk do preket, madje  u bë një ligj i veçantë. Është ngritur një Komision, i cili negocion me firmat që do të futen në konkurrim. Ai nuk është projekti definitiv, është një nga konkurruesit. Komisioni e vendos, i përbërë nga 7 veta. Ka dalë thirrja publike për projektin e Teatrit Kombëtar, që mbyllen pas 2 muajsh, më 19 shtator. Ka vetëm 10 ditë që ka dalë që është bërë thirrja. Pasi mbarojmë ne punë, këtu është lufta më e madhe, kalon në parlament, te kryeministri dhe do ketë edhe një përballje publike. Dhe aty do ketë zëra nga komuniteti që mund ta kontestojnë apo ta përmirësojnë projektin deri sa të arrijmë te plani final, përfundoi Çuli.

Projekti i propozuar nga danezi Bjarke Ingels për godinën e Teatrit
Ora 21:24
Marrëveshja e PD-së me Aleancën, Çuli: Kontrata para-elektorale që nuk zbatohen

Duke u ndalur tek marrëveshja e PD me Aleancë, kundër shembjes së Teatrit, drejtori Henri Çuli i ka cilësuar si kontrata para-elektorale, për të cilat është i bindur se nuk zbatohen. Ai vuri theksin se kjo "luftë" politike duhet të shfryëzohet për të mirën e Teatrit.

"Nuk besoj te politika në përgjithësi, që kontrata para elektorale i mban në këtë rast. Punë e Bashës dhe Aleancës. Dua t'i drejtohem të gjithë komunitetit artistik dhe aktorëve që janë heronj, ata janë në pritje dhe në momentin që ne do të çedojmë diçka te projekti, ata nuk të falin dhe janë mbështetja në çdo kohë. Nëse unë që jam përfaqësuesi i tyre, nëse toleroj diçka, nuk mund të falin. Duhet të fitojmë nga ky konflikt politik, të marrim më të mirën e mundshme për atë që do të ndodhë më pas", tha Çuli. 

Ora 21:23
Çuli jep argumentet pse nuk mund të ndërtohet një teatër i ri diku tjetër

1564598138_culi3.jpg

"Nuk ka vullnet politik për të ndërtuar një teatër të ri, përpos këtij të vjetrit". Kështu është shprehur Henri Çuli përballë gazetarit Denis Minga, sipas së cilit kjo është ndër arsyet kryesore (pas amortizimit të godinës) se përse ngulmon për ndërtimin e një teatri të ri mbi atë truall. Ai thekson se në këtë çështje, politika nuk ka të bëjë aspak, pavarësisht të gjithë akuzave të bëra deri më tani.

"Unë nuk besoj në asnjë qeveri. Mua më lidh me Ramën, Veliajn dëshira për të bërë sa më mirë për Teatrit, nuk jam njeri politik, por sindikalist. E kam betejë sepse mbaj një peshë të jashtëzakonshme pjesën e një ndërtimi të një teatri të ri Kombëtar. Duam, s'duam duhet të pranojmë 30 vjet, për çdo qeveri vëmendja e tyre për Teatrin ka qenë "0". 30 vjet nuk kam parë aktiv asnjë nga intelektualët që të shkruajnë fjalë për teatrin. Nëse këta do ishin aktiv, do kishin dhënë mendime të pjekura do kishin të drejtë morale, por sot po futen futen thjesht për të kundërshtuar Ramën. Nuk shoh vullnet politik që të ndërtojnë një teatër të ri. I vetmi është që të ndërtojnë një teatër të ri aty ku është", tha Çuli. 

Ora 20:55
Çuli: Të shkosh në tualetin e teatrit duhet të rrish skiç, duhet ndërhyrje urgjente!

Drejtori i Teatrit, Hervin Çuli shprehet se ndërtimi i një teatri të ri është një nevojë urgjente, pasi aty nuk ka hapësira të mjaftueshme dhe mbi të gjitha aspak dinjitoze për artistët. Madje ai ka vënë theksin se kostumografia apo materialet e tjera të nevojshme për ndërtimin e një atmosfere të një shfaqjeje, janë drejt shkatërrimit.

"Aty ekziston rreziku për shumë gjëra, vlera e materiale ka të bërë me gardërobën rekuizitë, shpatat, tavolinat, karriget, atmosfera e një skene artistike sepse janë element që janë përdorur 40-50 vite më parë dhe dihet kujt i përkasin. Kostumografia ndër vite, janë pjesë e inventarit dhe të arkivës së artë, një nga arsyet e tjera se pse gjendja në teatër duhet të ndryshoj. Po na kalben kostumet dhe historia brenda atyre mureve. S'ka hapësira të mjaftueshme. Të shkosh në tualetin e teatrit duhet të rrish skiç, duhet ndërhyrje urgjente", tha Çuli. 

Ora 20:43
Protesta/ Çuli: Kam bërë kallëzim në Polici! Teatri s'po drejtohet nga unë, por nga një grupim njerëzish

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli  ka njoftuar se ka bërë kallëzim në polici, pasi ky institucion nuk po drejtohet më teknikisht nga ai dhe as nga Ministria e Kulturës, por nga një grupim njerëzish.

I ftuar në "Repolitix", Çuli ka folur për herë të parë, mbi situatën që po ndodh te Teatri Kombëtar, duke thënë se ky institucion është në "rrezik" pasi materialet e një rëndësie të madhe janë lënë në "qiell të hapur".

 "Përfundimisht Teatri nuk drejtohet më as nga unë, as nga Ministria e Kulturës, por nga ky grupim. Detyra ime ka qenë të vë në dijeni organet kompetente, kam bërë një denoncim institucional pranë këtyre organeve, që institucioni nuk është më në kontroll të administratës dhe të punonjësve të Teatrit Kombëtar, kështu që jeni ju që duhet të merrni masat. Denoncimi ka rreth 3-4 ditë, brenda 24 orëshit të momentit që ndodhi ngjarja. Në polici të Tiranës denoncimi. Nuk kam asgjë me aktorët që duan teatrit, por në këtë rast është detyrim institucional në radhë të parë sepse nesër-pasnesër mund të ketë objekte të dëmtuara, të vjedhura dhe përgjegjësia është mbi punonjësit. Janë vlera monetare dhe historike të jashtëzakonshme", u shpreh Çuli.

G.M./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Me e mira...: 31/07/2019 14:12

    Po pse nuk vendoset te ndertohet nje teater e ri e modern duke ruajtur identitetin e te parit. Te jene te dy te ngjashem si dy pika uji, por me ndryshimin, se i riu patjeter qe do te jete me i forte, me funksional, me modern e me i bukur e i rehatshem. Teknologjia dhe materialet e ndertimit te viteve te fundit japin mundesi te medha e te pafund. Me hapesira te brendeshme funksionale e komode, me struktura te forta e moderne e me shume prakcititet, por me te njejten linje kompozicioni e arkitekture do te kenaqte dhe kerkesat historike e nostalgjike (artistet dhe populli kane shume te drtejte per kete), edhe ata qe duan te rene, por edhe per aresyet e amortizimit te te vjetrit dhe problemeve qe sjell kjo dhe kerkesave ne rritje te kohrave moderne. Te gjendet nje rruge e mesme ('E mesmja e Arte) dhe te kenaqen te dyja palet dhe me kryesorja eshte: Te Behet Me e Mira, qe eshte patjeter dhe llogjikisht VETEM KJO RRUGE E MENYRE.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje