Gjatë prezantimit të programit për konkursin ndërkombëtar të Polit të ri të Drejtësisë, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, tha se Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese duhet të jenë të veçanta dhe jo të bashkuara me të tjerat për shkak të rolit që kanë.

“Ajo që unë do të doja të theksoja, jo për faktin që jam në këtë detyrë, Gjykata e Lartë duhet të jetë një godinë e veçuar. Ne gradualisht po hyjmë në BE. Në asnjë vend të BE, Gjykata e Lartë nuk është e përfshirë me gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Jo për luks, jo për privilegj, por për shkak të funksionit që ka dhe seriozitetit që i jepet shtetit dhe imazhit. Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetutese duhet të jenë gjykata të veçanta”, u shpreh Sadushi.

Kryeministri Rama tha se kjo është një pikë e planit që do të mbetet për t’u diskutuar në vijim dhe nuk është përcaktuar ende në formë të prerë.

“Kjo është e vërtetë që ne e kemi vlerësuar në projekt në sistemin që fola më parë që duke vendosur në dispozicion një pjesë të tokës në zhvllim privat dhe duke kërkuar mbrapsht si pronar-shtet një pjesë të ndërtimit dhe kemi kaluar edhe lejen e ndërtimit për një godinë administrative që presupozohet të jetë Gjykata e Lartë. Në planin që patë, është një alternativë që Gjykata e Lartë të jetë aty, por është diçka që duhet diskutuar. Madje, po ta marrim nga pikëpamja financiare, hiqet një pjesë në shpenzimin e përgjithshëm sepse nuk shpenzojmë asnjë lek, por marrim mbrapsht hapësira për Gjykatën e Lartë. Është një gjë që do ta diskutojmë dhe do të bëjmë gjënë e duhur”, tha Rama.

Godina e re e Gjykatës së Lartë është projektuar të duket kështu:


Lajmi kryesor:

Kampus i ri për drejtësinë në Tiranë, do strehojë 10 gjykata e prokurori! Rama ‘thumbon’: Në bëjmë detyrën, ju shpesh surprizoni