Nën dyshimet se i kishte siguruar nga trafikimi i lëndëve narkotike, Prokuroria e Beratit ka vendosur sekuestro mbi 12 pasuri dhe dy makina në pronësi të Donald Lavdarit dhe familjarëve të tij.
Sipas organit të akuzës, Lavdari, i cili po hetohet prej vitit 2018 nën akuzën e “pastrimit të parave” rezulton i përfshirë në trafikun e drogës në Spanjë dhe Greqi ku dhe është dënuar. Që orej vitit 2017, ai ndodhet i burgosur në Spanjë.
Prokuroria e Beratit dyshon se të ardhurat e siguruara nga aktiviteti kriminal Lavdari i ka investuar në Shqipëri dhe kryesisht në qytetin e Poliçanit, ku edhe banon, me blerjen e disa apartamenteve dhe dyqaneve për veten dhe familjarët e tij
Lavdari një pjesë të investimeve i ka edhe në fushën e tregtisë ushqimore, bar-kafeve dhe ushqimit të shpejtë.
Sipas njoftimit zyrtar të prokurorisë, ndër pasuritë e sekuestruara rezultojnë: një apartament me sipërfaqe 66 m² në Skrapar, si dhe 11 pasuri të tjera të paluajtshme, lloji i të cilave nuk qartësohet në njoftimin e prokurorise, por që rezultojnë të jenë në një nga lagjet qendrore të Poliçanit. Në listen e pasurive të sekuestruara janë dhe dy automjete të markës Mercedes-Benz.
Spas Prokurorisë, këto pasuri nuk justifikohen me burime të ligjshme.
Donald Lavdari ka qenë një ndër shënjestrat e Operacionit Forca e Ligjit, njohur si OFL, strukturë e cila pati si synim pasuritë e personave të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë







Komente
Komento