Efektivi Edmond Rizaj nderohet me Medaljen e Kalorësit të Yllit të Italisë: Me fat që drejtova operacionin për arrestimin e bosit të mafies pulieze Giuseppe Muolo, fshihej në Shqipëri

Efektivi Edmond Rizaj nderohet me Medaljen e Kalorësit të Yllit të Italisë: Me fat që drejtova operacionin për arrestimin e bosit të mafies pulieze Giuseppe Muolo, fshihej në Shqipëri

Edmond Rizaj

Edmond Rizaj, Drejtor i Drejtorisë së Hetimit, në Departamentin e Policisë Kriminale është nderuar me Medaljen e Kalorësit të Yllit të Italisë.

Në një fjalim të gjatë në ceremominë e nderimit, efektivi Rizaj u ndal në vështirësitë dhe vitet e gjata të karrierës. Mes rreshtave ai përmendi edhe një prej operacioneve më të rëndësishme që ka drejtuar, më 27 korrik 1999, ku u arrestua dhe ekstradua për në drejtim të Italisë, Giuseppe Muolo, bosi i mafies pulieze Sacra Corona Unita, i cili edhe sot vijon të jetë i burgosur.

Në fund, Rizaj tha se “Shqipërisë i dedikoj gjithçka për formimin tim si Njeri, Italisë i jam mirënjohës për rritjen time si Polic!”

Fjala e plotë

Miqtë e mi! Më poshtë do të gjeni pasurinë më të madhe profesionale që kam, ekipin me të cilin punoj për më shumë se tre vitesh, dhe fjalën përshëndetëse me rastin e dorëzimit të Medaljes së Kalorësit të Yllit të Italisë, akorduar nga Presidenti i Republikës së Italisë, Sh.T. Mattarella. e.r.13

Shkëlqesia Juaj, Presidenti i Republikës Begaj!

Shkëlqesia Juaj, Ambasador Buci,

Të nderuar ish drejtues të lartë të Policisë dhe Ministrisë së Brendshme!

Të nderuar kolegë, bashkëpunëtorë, miq e dashamirës!

Me kolegen time, znj. Alla, vendosëm që këtë ceremoni të mos e bënim të ndarë, siç na u propozua fillimisht, por bashkërisht. Deshëm të demonstrojmë se e konsiderojmë një vlerësim ekipor dhe jo personal këtë që po na bëhet sot. Këtë  vlerësim ia dedikojmë dhe shkon edhe për të gjithë ata me të cilët kemi ndarë sakrificat dhe kënaqësinë e suksesit të punës në shërbim të publikut.

Miqtë e mi! Në kohën kur nisa shkollën fillore, kujtoj që në lagjen ku u linda dhe rrita, u shfaq një person, i cili dallonte nga të tjerët, si nga veshja ashtu dhe nga sjellja. Mbante gjithmonë në dorë një libër, që në fakt ishte i vetmi shoqërues i tij sa herë që e shikoja. Kisha dëgjuar nga më të rriturit, se ai ishte i sapodalë nga burgu. Atëherë nuk i vija dot një emër, përveçse “armiku”, siç e quanim të gjithë nën zë. Shumë më vonë kuptova që ai qe një “bohem” i atyre kohëve.

Një ditë, tek ecja me tim atë, u gjendëm përballë “armikut bohem”, dhe ndaluam. Im atë i tha se unë isha ai që duhej të më mësonte gjuhën italiane. Dukej se ishte një bisedë e filluar më parë mes tyre. “Armiku bohem” më hodhi një sy nga lart dhe iu drejtua tim’eti:

“Dëgjo! Unë kam kohë plot, literaturë pafund dhe metodën e duhur gjithashtu. Por mos e damkos djalin me etiketën si nxënës i armikut të klasës. Kurseja këtë damkë që mund ta shoqërojë gjithë jetën”. Bashkë me këtë dialog, dështoi tentativa e mësimit të gjuhës, njëkohësisht kontakti im i parë me Italinë.

Më pas gjithçka që më lidhte me Italinë, ishin vetëm sporti dhe muzika. Në atë periudhë, kisha krijuar një koleksion me stemat e ekipeve të futbollit italian, bardh e zi, sepse ashtu i shihja ne televizor, derisa me ra në dorë një revistë sportive dhe fillova ta shoh me ngjyra botën sportive. Shumë vite më vonë ky deficit i rinisë së hershme, më është plotësuar prej miqve të mi, Lorik Cana dhe Erion Bogdani, falë të cilëve sot kam një koleksion të pasur me fanella të ekipeve italiane të futbollit.

Në adoleshencën time, njoha veprat e Michelangelos, Da Vincit, Rafaelos, Botichellit. Mësova historinë e rilindjes italiane në arkitekturë, pikturë e skulpturë, si pjesë e programit mësimor të Liceut Artistik, ku studiova për pikturë.

Në vigjilje të viteve 90, në përmbyllje të Akademisë së Policisë, u hap fjala, se një grup prej 4-5 studentësh do të shkonin në Itali për të vijuar studimet policore. Thashethemnaja më kishte përfshirë edhe mua në listën e të përzgjedhurve. Asgjë nuk ndodhi. Kurrë nuk e mor vesh nëse qe një përpjekje reale, trill apo një krijim i dështuar e imagjinatës tonë.

Çdo gjë që më kish lidhur me Italinë dhe botën deri atë kohë, ishte e bukur, shumë e bukur, por njëkohësisht e largët, e paarritshme dhe gati sureale.

Vitet e para të punës si oficer policie për hetimet, kanë qenë të mbushura plot ngjarje kriminale e episode profesionale aq të ngjeshura, sa nuk i linin thuajse asgjë tjetër përditshmërisë. Deri në vitin e mbrapshtë 1997, ajo që ka mbetur në kujtesën time, është vetëm impenjimi tërësor në punë. Besoj se kjo është “simptomë” e gjithë të rinjve që fillojnë rishtas punën me hetimin e krimeve.

Një fjalë e urtë thotë: “E keqja dhe e mira, udhëtojnë bashkë”. Trazirat e 1997, bën që asokohe të fillonte misioni INTERFORZE. Në shumicën dërrmuese të rasteve, ne mosbesues dhe hezitues, kuptonim se kishte shumë gjëra që nuk shkonin siç duhet, por ndiheshim mirë e komod në zhguallin tonë shumëvjeçar.

U desh të vinte viti 1999, që shënjoi me fillimin e bashkëpunimit real në terren.

I ndjeri Romolo Napolitano më kërkoi takim dhe më pyeti nëse “kishim kapacitete për të gjetur dhe arrestuar një anëtar të mafias pulieze”. Sipas tij, në Itali kishte 15 akuza për krime të rënda, dhe me shumë gjasa ndodhej në Shqipëri. Fati e deshi që drejtuesit e atëhershëm të Policisë ma ngarkuan mua drejtimin e operacionit. Pak ditë më pas, më 27 korrik 1999 u arrestua dhe ekstradua për në drejtim të Italisë, Giuseppe Muolo, i cili prej atëherë vijon të jetë i burgosur.

E kam të pamundur kur kujtoj këtë episod, të anashkaloj e le pa përmendur, katër nga punonjësit policisë që morën pjesë në atë operacion, e që humbën jetën në përplasjet e mëvonshme me krimin. U çoj një homazh të paharruarve Adem Tahiraj, Kastriot Feskaj, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari, ky i fundit, ishte rishtar në atë operacion policor. Ky bashkëpunim i parë e i suksesshëm, vijoi edhe me tjera arreste, ndonëse jo të përmasave të Muolos.

Në fillim të viti 2000, së bashku me prokurorët e një çështje të rëndësishme, përgatitëm marrjen në pyetje me letërporosi, të një të burgosuri shqiptar në Itali. Ky ishte udhëtimi im i parë drejt Romës. Për të qenë i sinqertë, e konsideroja të përfunduar punën time me përgatitjet e bëra, kështu që unë përgatita një axhendë gati turistike, krejt të ndryshme nga prokurorët me të cilët udhëtoja. Plani im përfshinte:

- Së pari, të vizitoja Bazilikën e Shën Pjetrit, e kur u gjenda brenda saj, për herë të parë në jetë, nuk arrija të shquaja përmasat,

- Së dyti, të shihja një ndeshje futbolli në Olimpic, ku atmosfera festive qe e tillë, sa në përfundim të saj, kur më pyetën nga Shqipëria, mu deshën disa sekonda të kujtohesha për rezultatin!

- Së treti, të shihja “Primaverën” e Botichelit dhe “Davidin” e Michelangelos, në Akademinë e Arteve në Firence. Atje mu desh të rrija gjatë në pritje për të hyrë në muze. Për herë të parë në jetë nuk e konceptova “si radhë”  qëndrimin në pritje, po të kesh në konsideratë që unë vija nga vendi ku gjithkund dhe për gjithçka, qëndrohej në radhë të gjata e të bezdisshme.

Çdo gjë shkoi sipas parashikimeve, përjashtuar gjykimit tim fillestar e të gabuar për seancën e pyetjes së të burgosurit. Ajo që kisha vlerësuar më pak, rezultoi të ishte dita e parë universitare imja për hetimin italian, studime që vijoj t’i ndjek edhe sot e kësaj dite në distancë. Referuar sugjerimit të kolegut italian, Giovanni Di Persio, bindëm dhe bëmë të parin “të penduar” të drejtësisë shqiptare, me të cilin vijuan takimet për gati 1 vit e gjysmë, deri ditën që realizuam me të, të parën pyetje me videokonferencë.

Vizitat intensive dhe rastet e ndjekura, për shumë grupe kriminale shqiptare, ishin në përmasat e JIT-eve sot, por si inteligjencë policore asokohe.

Nga kontaktet me kolegë italianë të të gjitha niveleve mësova se vrazhdësia në komunikim dhe sjellja pedante, një tipar dominues në realitetin drejtues tonin, nuk ishin çelës suksesi. Përkundrazi, mirësjellja, buzëqeshja, kultura dhe eleganca sillnin rezultate fantastike.

Nga ajo periudhë pikësëpari mësova se:

- përmasat reale të gjerave, nuk janë ato që shihen me sy;

- fryma dhe atmosfera është ajo që ndryshon gjendjen dhe sjell rezultat;

- rezultati kërkon kohën e vet, mbështetur në këmbëngulje dhe durim.

Çdo gjë që ka ardhur më pas, ka qenë fryt i “shkollës praktike” që kam mësuar dhe vijoj të mësoj nga kolegët italianë. Më pëlqen ta them se mbetem një nxënës i zellshëm i çdo gjëje nga përtej detit. Zëvendësprokurori anti-mafies Mandoi, Kuestori La Barbera,  Kuestori Savina, hetuesi Di Persio, etj. ishin mentorët e mi të parë, që nuk mund t’i lë pa kujtuar në këtë ditë, pa harruar kolegët aktualë të Interforze dhe ata me të cilët ndajmë punët për hetimin e më shumë se 20 JIT.

Të dashur miq!

Sot po ndodh që, fëmijës që iu ndalua të mësonte italisht, djalit që nuk pati mundësi të luante futboll me një fanellë të ekipit italian të zemrës, nxënësit të arteve figurative që nuk shijoi as një foto me ngjyra të pikturave të rilindjes italiane, studentit, që nuk iu realizua ëndrra të studionte policimin në Itali, policit, që i jepeshin viza vetëm për aq ditë sa zgjaste misioni, pikërisht sot, në Ditën e Europës, Presidenti i Republikës së Italisë, i akordon dekoratën “Kalorës të Yllit të Italisë”.

Dhe kjo është një mrekulli!

Një mrekulli që u bë realitet falë kolegëve të mi të Interforze, e kryesisht të drejtuesit Gava, mbështetjes së Shkëlqesisë së Tuaj, Ambasador Bucci dhe dashamirësisë së nivelit sipëror të Presidentit të Republikës italiane Mattarella!

Ndjesia që më mbush në këtë moment është vetëm një: Mirënjohja!

Shqipërisë i dedikoj gjithçka për formimin tim si Njeri, Italisë i jam mirënjohës për rritjen time si Polic!

Faleminderit Shqipëri!

Grazie Italia!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja