Polici maqedonas që 'vërshoi' tregun e Kosovës me para false

Polici maqedonas që 'vërshoi' tregun e Kosovës me para false

Një polic maqedonas, i arrestuar në Kosovë, po dyshohet se ka prodhuar rreth 2 milionë monedha false prej 2 eurosh, ka thënë Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (Eurojust). Mijëra monedha që u falsifikuan nga grupi i tij, përfunduan në Kosovë.

Polici 34-vjeçar, në vend se të ndiqte falsifikuesit dhe kriminelët, u shndërrua në një falsifikues parash. I arrestuari, më 4 gusht, në Prishtinë, është nga Resnja e Maqedonisë së Veriut. Ai punonte në departamentin e Policisë maqedonase për luftimin e krimeve të rënda dhe krimit të organizuar.

“Hetimi do të synojë të zbardhë shkallën e plotë të falsifikimit të monedhave”, tha Eurojust.

Burimet e Radios Evropa e Lirë nga hetimet tha se i arrestuari ishte pjesë e një rrjeti të falsifikatorëve, por jo “truri” i operacionit”.

Arrestimi i tij u bë pas muajsh të planifikimeve nga autoritetet maqedonase dhe kosovare, me mbështetjen e Eurojust dhe Agjencisë Evropiane të Policisë (EUROPOL).

Kolegët e policit të arrestuar nga Departamenti për luftën kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar po ashtu morën pjesë në hetimin që u krye kundër tij, sipas Zyrës së Prokurorisë Themelore Publike. Në këtë hetim disamujor morën pjesë zyrtarë të inteligjencës, hetues dhe prokurorë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Ku u falsifikuan paratë?

Paratë e falsifikuara u prodhuan me dy makineri në një bodrum në Shkup.

Policia sekuestroi edhe dy thasë me monedha. Falsifikuesit përdorën gjashtë versione të ndryshme që gjenden në anën e monedhës metalike ku është vendosur vlera prej 2 eurosh.

Në njoftimin e përbashkët të prokurorëve maqedonas dhe kosovarë u tha se qindra mijëra monedha false “të prodhuara” në Maqedoninë e Veriut kishin “vërshuar” tregun e Kosovës që nga viti i kaluar. Por, në njoftimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës lihet të kuptohet se problemi me paratë e falsifikuara është edhe më i madh.

Kjo për faktin se në një vit e gjysmë, BQK-ja ka tërhequr nga qarkullimi 2.5 milionë monedha prej 2 eurosh, që arrijnë vlerën totale prej 5 milionë eurosh.

Ky institucion tha se rreth 54.000 denominimeve prej 2 euro janë detektuar dhe janë parandaluar që të futen në sistemin financiar, “duke i tërhequr nga qarkullimi si para të falsifikuara”.

Por, paratë e falsifikuara në bodrumin në Shkup nuk përfunduan vetëm në Kosovë. Ato qarkulluan edhe në vetë shtetin ku u prodhuan, në Maqedoninë e Veriut. Paratë e falsifikuara hynë në qarkullim në territorin maqedonas përmes taksave që paguhen për të kaluar nëpër autostrada, pasi vetëm aty lejohet përdorimi i valutave të huaja.

Banka përgjegjëse për mbledhjen e këtyre të ardhurave i dërgoi, më pas, monedhat e dyshimta në Bankën Kombëtare maqedonase për verifikim.

Banka Kombëtare e Maqedonisë së Veriut i tha Radios Evropa e Lirë se në tre vjetët e fundit, ata kanë zbuluar më shumë se 50.000 euro monedha false.

Kjo bankë kryen inspektime dhe analizime të ndryshme për të përcaktuar nëse monedhat janë origjinale apo false.

Vetëm vitin e kaluar, një total prej 11.489 euro metalike janë zbuluar, nga të cilat 11.112 ishin monedha prej 2 euro dhe 367 në vlerë prej 1 euro. Më 2022, 10.717 monedha prej 2 euro dhe 231 prej 1 euro po ashtu u zbuluan se ishin të falsifikuara, tha Banka Kombëtare për REL-in.

Arrestimi i punonjësit të MPB-së maqedonase nuk ishte rasti i parë që një shtetas maqedonas është arrestuar në Kosovë nën dyshimet se ka futur në qarkullim monedha të falsifikuara. Dhjetorin e vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit Special të Kosovës njoftoi për arrestimin e tre shtetasve maqedonas dhe tre kosovarëve, pasi iu gjetën 2-eurosha të falsifikuara në vlerë prej 85.000 eurosh.

Ata ishin arrestuar më 28 nëntor, ndërsa më pas Prokuroria kosovare bëri të ditur se gjatë operacionit u gjetën gjithsej 42.505 monedha prej 2 eurove.

Atëbotë, Prokuroria deklaroi se ata kishin futur në disa çanta paratë e falsifikuara, duke i kamufluar në atë formë që të dukeshin si mallra të zakonshme dhe më 28 nëntor i kishin dërguar në Kosovë.

Prokuroria Speciale tha se tre maqedonasit e dyshuar ishin takuar me tre të dyshuarit kosovarë në një fshat afër Ferizajt për të vazhduar më pas së bashku drejt Prishtinës.

Kosova nuk është pjesë e Eurozonës, por përdor euron.

Në korrikun e vitit të kaluar, në Kosovë u regjistruan të paktën dy raste të tjera kur u konfiskuan mijëra euro të falsifikuara, që kishin hyrë në shtet nga Maqedonia e Veriut dhe Turqia.

Atëbotë, Shërbimi i Kosovës i Radios Evropa e Lirë bisedoi me disa pronarë të llogarive në aplikacionin TikTok, të cilët konfirmuan se mund të sillnin në Kosovë para të falsifikuara. Për të mos kryer vepër penale, REL-i nuk porositi para false nga këto dy profile, për të konfirmuar nëse ato dërgohen vërtet ose jo.

Policia e Kosovës nuk i ishte përgjigjur REL-it nëse po hetonte këto profile apo personat që pretendonin se i menaxhonin këto llogari në rrjetet sociale.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që prodhon para të falsifikuara për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

“Biznes fitimprurës” për kriminelët

Për kriminelët, ky është biznes fitimprurës sepse shumë rrallë ndonjë tregtar ose pagues nuk i kontrollojnë nëse paratë janë false, edhe pse këtë mund ta bëjë lehtësisht.

Monedhat origjinale një, dy dhe pesë centë janë prej bakri të veshur me çelik dhe janë shumë magnetike. Ndërsa unazat e jashtme e monedhave origjinale prej 1 dhe 2 euro, por edhe i 10, 20 dhe 50 centëve, nuk janë metalike, sipas ekspertëve të Bankës Qendrore të Gjermanisë.

Përfitimet nga paratë e falsifikuara “janë nën radar”, pasi këto monedha metalike mund të qarkullojnë shumë lehtë për shkak të vlerës së vogël ekonomike dhe përdoren në tregtinë e përditshme. Ato detektohen më rrallë për shkak të vlerës së vogël, për dallim nga monedhat e letrës, që kanë vlerë më të madhe.

Ndëshkimet për falsifikimin e parave

Sipas ligjeve maqedonase, për qarkullim të parave false një person mund të dënohet nga një deri në dhjetë vjet burgim. Megjithatë, nëse krimi ka shkaktuar “trazira në ekonominë e vendit”, parashihet dënim prej së paku pesë vjetësh burgim.

Sipas ligjeve në Maqedoninë e Veriut, kushdo që aksidentalisht ka paguar apo ka pranuar para të falsifikuara ndëshkohet, përkatësisht u konfiskohen paratë pa të drejtë kompensimi.

Në dy vjetët e fundit, Banka Qendrore Evropiane ka paralajmëruar për “vërshim” të madh të parave false në tregjet në mbarë Eurozonën.

Për shembull, më 2023 përafërsisht 115.9000 monedha të falsifikuara u detektuan gjatë pagesave të kryera në Gjermani, ndërkaq ky numër më 2022, sipas të dhënave të Bankës Qendrore gjermane ishte rreth 73.400. Sipas statistikave, i bie që ishin 14 monedha false për 10.000 banorë në Gjermani.

Në prill të këtij viti, policia spanjolle goditi një grup kriminal që dyshohej se shpërndante në mbarë Evropën monedha prej 2 eurosh të falsifikuara. Me ndihmën e EUROPOL-it, në Toledo të Spanjës u gjetën punëtori ku prodhoheshin paratë false. Kjo bandë kishte futur në tregun evropian pothuajse 500.000 monedha të falsifikuara “të kualitetit të lartë”. Dhjetë persona, që u raportua se ishin shtetas kinezë, u arrestuan.

Sipas agjencisë së lajmeve, DPA, hetimi “ishte jashtëzakonisht i vështirë, jo vetëm për shkak se banda ishte aq sekrete, por po ashtu sepse praktikisht është e pamundur të gjurmohen paratë e falsifikuara”.

Deri në dhjetor të vitit 2021, pothuajse 141 miliardë monedha ishin në qarkullim në mbarë Eurozonën, sipas të dhënave të Bankës Qendrore Evropiane./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic