Personi që shihni në foto me mjekër është shtetasi Genis Mëhillaj, i cili rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa nga hetimet paraprake rezulton të mos ketë kaluar kufirin shqiptar nëpërmjet ndonjë pike kufitare.
Ndërsa Andon Mëhillaj është pikërisht personi që shihni në këtë foto me bluzën me vija, ku dhe ky shtetas në kërkim rezulton të mos ketë kaluar nga ndonjë pikë kufitare.
Policia kërkon ndihmën e qytetarëve, ku kërkon që çdo qytetar që do shoh këta dy shtetas të telefonojë në sallën operative të çdo qyteti, pra në numrin 129 për të dhënë informacion, si dhe siguron ruajtjen e privatësisë.
Deri tani për bandën tritolit janë arrestuar katër persona, Marjon Mitro, Julian Sinanaj, Ndriçim Gjokonaj, si dhe biznesmeni Ilir Karçini, ku për këta katër shtetas Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg.
IKJA E VËLLEZËRVE MËHILLAJ, 2 OFICERË POLICIE NËN HETIM
Prokuroria ka nisur të hetojë intensivisht rrjedhjen e informacionit për gjatë kohës që po hetohej grupi i mafies së C4-ës.
Sipas të dhënave, hetimi ka nisur sërish nga Vlora dhe në fokus janë dy oficerë policie, ku njëri prej tyre i përket policisë së Vlorës dhe tjetri policisë së Tiranës.
Në fakt, prokuroria doli në një deklaratë “kërcënuese” për të gjithë ata që kishin dhënë informacione jo vetëm për grupin e personave të futur në rreth për arrestim, por madje edhe për detajet e hetimit që janë shfaqur në media prej rreth një jave.
Organi i akuzës ka bërë me ‘faj’ policinë për dekonspirimin e operacionit çka iu dha mundësi dy kushërinjve Andon dhe Genis Mëhillaj të largohen në drejtim të paditur.
Edhe pse në sistemin TIMS dy të superkërkuarit nuk rezultojnë të kenë lëvizur jashtë vendit, porositësit e krimeve, sipas policisë mund të jenë të pajisur edhe me dokumente të tjera identifikimi ose mund të kenë lëvizur në rrugë tokësore.
Hetimi në lidhje me dekonspirimin mësohet se tashmë ka në fokus dy efektivë policie, ndërsa paralelisht me hetimin e grupit të minave me telekomandë prokuroria do të vijojë të hetojë edhe personat që dëmtuan hetimet për një prej bandave më të rrezikshme që është zbuluar ndonjëherë në vendin tonë.
Pjesë e bandës tashmë pranga ishin edhe Julian Sinanaj, Marjon Mitro, Ndriçim Gjokona.
(Në foto: Genis Mëhillaj (majtas), Julian Sinanaj (lart), Andon Mëhillaj (djathtas) dhe lëndë shpërthyese e celular të sekuestruar nga policia)
(Në foto: Andon Mëhillaj (djathtas) dhe Genis Mëhillaj (majtas).
Redaksia online
(e.s/ac/shqiptarja.com)