/ATSH-AFP/ - Policia australiane njoftoi sot se kishte arrestuar pesë persona, dy prej të cilëve dyshohen për projektimin e kryerjes së akteve terroriste në Melburn, veçanërisht gjatë një ceremonie përkujtimore kombëtare më 25 prill.
"Në kuadër të këtij operacioni, janë kryer kontrolle banesash në Melburn, në juglindje të Australisë, nga një njësi antiterroriste. Dy personat të moshës 18 vjeç u arrestuan për aktivitete të lidhura me terrorizmin", theksoi policia.
"Është vlerësuar se të dy këta persona po bënin përgatitje në kuadër të kryerjes së akteve terroriste në Melburn duke përfshirë dhe sulme kundër policisë", deklaruan në një komunikatë të përbashkët policia federale australiane dhe policia e Shtetit të Victoria.
"Projektet terroriste për të cilat këta dy të dyshuar janë arrestuar përfshinin një atentat kundër një ceremonie të Ditës të ANZAC", shtoi komunikata.
Kjo ditë "ANZAC Day"  festohet më 25 prill të çdo viti në Australi, në Zelandën e re dhe në vende të tjera të Paqësorit.
Ajo përkujton betejën e përgjakshme të Gallipolit mes australianëve dhe neozelandezëve të ANZAC dhe ushtrisë osmane në vitin 1915, gjatë Luftës së Parë Botërore.