Policia e Shtetit ka bërë një bilanc të operacioneve policore dhe shtetasve të arrestuar për vepra të ndryshme penale gjatë muajit janar.
Në një njoftim të publikuar blutë informojnë se në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe me homologët, për të goditur krimin në përgjithësi, krimin e organizuar në veçanti, si dhe për të zbardhur ngjarjet kriminale janë finalizuar 121 operacione policore.
Mes këtyre operacioneve janë zhvilluar 19 operacione ndërkombëtare të cilat mundësuan ekstradimin e shtetasve të shumëkërkuar, goditjen e grupeve/organizatave kriminale, si dhe kapjen e shtetasve të akuzuar/dënuar për krime kundër personit dhe/ose krime ekonomike.

Në pranga janë vendosur 715 autorë të dyshuar të veprave penale të ndryshme.
Më tej blutë informojnë se është parandaluar përshkallëzimi i 7 konflikteve me armë ose me sende të forta, në Durrës, Lezhë, Dibër, Tiranë, Elbasan, Mirditë dhe Shkodër.
Po si rezultat i rritjes së forcës parandaluese, u goditën 17 raste të armëmbajtjes pa leje. Goditjet parandaluan ngjarje kriminale që mund të kryheshin nga shtetasit që u kapën në lëvizje, me armë zjarri.
U zbardhën 11 ngjarje kriminale që përfshijnë: vrasje, plagosje me armë zjarri, konflikte me sende të forta, shkatërrime të pronës me eksploziv dhe zjarrvënie të qëllimshme.
Gjithashtu u realizuan me sukses 17 operacione policore, me objektiv parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të kryera më parë. Disa nga këto ngjarje kriminale u kryen duke përdorur dhunë dhe armë.
U goditën 13 raste të kontrabandës. Në 2 raste, Policia goditi në portin e Durrësit, kontrabandimin nga Tunizia, të 1 070 000 tonëve naftë.
Më tej, u finalizuan 20 operacione policore për goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, në lokale, me celularë ose me makineta.
Në Tiranë dhe në Elbasan, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare zbuluan 3 call centera, nëpërmjet të cilave mashtroheshin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive.
Shuma të mëdhaja parash (në disa valuta) iu sekuestruan 2 shtetasve në Pogradec, me akuzën e pastrimit të parave.
Gjithashtu, kontrollet në të gjitha PKK e vendit goditën 6 raste të tentativave për të lëvizur para, ilegalisht.
Janë vënë në pranga 169 drejtues mjetesh, nga të cilët 137 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 32 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
Janë pezulluar 202 leje drejtimi, nga të cilat 16 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 15 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 171 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.
Gjatë këtij muaji edhe Policia Kufitare ka patur angazhim të shtuar për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë për fluksin e qytetarëve në hyrje/dalje, si dhe për të garantuar qarkullimin e sigurtë të mallrave.
Për të përmbushur këto qëllime, shërbimet e Policisë Kufitare kanë goditur:
68 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit;
16 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin;
6 raste të trafiqeve.
Komente

