TIRANË- 14 familje të një pallati në rrugën “Myslym Keta”, kundërshtojnë të lënë banesat e tyre nga godina që është shpallur e dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Sipas procedurave, banorët janë njoftuar prej kohësh se pallati do të shembet më 19 dhjetor, ndaj të enjten autoritetet ndërprenë energjinë elektrike dhe rreth orës 4 të mëngjesit të së premtes ndërprenë edhe ujin.
Në protestë prej dy ditëve të fundit, banorët thonë se janë të painformuar se ku do të shkojnë pasi pallati të shembet.
“Është prona jonë, është gjaku jonë, dil jashtë se skam ardhur te shtëpia ime. Hajde na digjni, pse nuk nuk digjni. Ky është shteti. Kemi ndenjur gjithë natën pa gjumë, duke i ruajtur”
“Vjen në 4 të mëngjesit të më terrorizojë”
“Le të vijë Mazrekut këtu”
“Ku e keni vendimin e gjykatës?”, thonë banorët.
Për Report Tv bashkia e Tiranës sqaroi se banorët marrin bonus qiraje prej 2 vitesh, por se ka qenë zgjedhje e disa prej tyre të qëndrojnë në pallatin e dëmtuar. Sipas Bashkisë, banorët e tjerë të këtij pallati janë bërë pjesë e shortit dhe kanë përfituar apartamente në lagjen e re të rindërtuar te “5 maji”.
2 familje të strehuara prej 1 viti te “5 maji”, u vizituan nga kryebashkiaku Veliaj ditën kur pjesa e mbetur e banorëve në pallatin e vjetër, protestuan.
“Për 14 familjet e mbetura, thirrja është: mos u përdorni nga politika që ju shfrytëzoi edhe te Lodrat, dhe tek Astiri, dhe te Teatri, dhe te Bulevardi. Ejani merrni shtëpitë e reja e jetoni të sigurt, se këta të Gjirit të Lalzit i kanë zgjidhur hallet e tyre”, tha Veliaj.
Për Partinë e Lirisë, pas vendimit të shembjes së pallatit 3 vite pas tërmetit, fshihet një tjetër qëllim.
"Pallati duhet të prishet pas 3 vitesh nga tërmeti, pasi Erion Veliaj tokën ku është ngritur pallati do t’ja japë ortakëve të tij me të cilët pastron lekët e krimit në Tiranë", shprehet Braimllari.
Protestën e banorëve e mbështeti edhe kandidati për kryetar të Bashkisë Tiranë Belind Këlliçi që u gjen pranë tyre gjatë përplasjes me policinë që kishte shkuar të mbështeste autoritetet në aksionin e parapërgatitjeve për shembje.
“Ça ka ujësjellësi që të ka kërkuar në 4 e 30 të mëngjesit, ka ndonjë problem, ka ndonjë person në kërkim, a ka ndonjë kriminel. Të gjithë do mbajnë përgjegjësi kush prek bamorët, nga i pari tek i fundit, ” tha deputeti Belind Këlliçi.
Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka reaguar për pallatin e shpallur të pabanueshëm nga tërmeti në rrugën “Myslym Keta’, ku edhe banorët kanë kundërshtuar që të lënë banesat e tyre. Këlliçi ka dorëzuar kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë, OSHEE-së, UKT-së dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për procedurat që kanë ndjekur për shpalljen të pabanueshme të këtij pallati, ndërprerjen e ujit dhe energjisë elektrike.
Këlliçi ka publikuar edhe kërkesat për inflamacion, ndërsa Bashkisë së Tiranës i kërkon informacion më të detajuar për të gjitha vendimet e këshillit bashkiak për këtë pallat, për raportet e vlerësimit të dëmit, masat e marra për akomodimin e banorëve. Këlliçi shkruan se kërkojnë që t’u vihet në dispozicion projekti i ndërtimit të pallatit.
“Pas disa situatave që bashkë përjetuam ditë natë me banorët e pallatit nr. 4 në Rr. “Myslym Keta”, i drejtova tani kërkesë për informacion 4 institucioneve, Bashkisë Tiranë, OSHEE-së, UKT-së dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Nënkryebashkiaku Mazniku ishte shumë i zellshëm për të folur me shkresa. Po i përgjigjemi me 4 shkresa bashkë me banorët, për të cilat duam përgjigje.
Duam projektin e ndërtimit të pallatit! Institucionet që kanë mësyrë në shtëpitë e banorëve, në pronën e tyre, pa asnjë shkresë apo vendim, duke kryer veprime arbitrare dhe të paligjshme, të mbajnë përgjegjësi!
Kush u preu ujin dhe energjinë elektrike i ka prerë vetes biletën për qeli. I kërkoj Policisë së Shtetit të nisë hetimet për këto veprime arbitrare”, shkruan Këlliçi.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vizituar dy prej familjeve, të cilat lanë shtëpitë e tyre të dëmtuara rëndë nga tërmeti në Pallatin nr. 4 në rr. “Myslym Keta”, dhe prej një viti janë sistemuar te lagjja e re te “5 Maji”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj falënderon për mirëkuptimin edhe 30 familjet e tjera të të njëjti pallat, të cilat tashmë janë zhvendosur në apartamentet e reja.
“Zemra mal për familjen e bukur të Bujarit, Halimes, Erjonit, Erionës dhe Asjan e vogël , si dhe për çiftin e të moshuarve Jonuz dhe Drita Zhuta, të cilët lanë shtëpitë e tyre të dëmtuara rëndë nga tërmeti në Pallatin nr. 4 në rr. “Myslym Keta”, dhe prej një viti janë sistemuar për bukuri te lagjja e re te “5 Maji”. U jam shumë mirënjohës edhe 30 familjeve të tjera, nga po i njëjti pallat, që kanë pranuar marrëveshjen me bashkinë dhe tani janë sistemuar në apartamentet e reja , të projektuara nga arkitekti Stefano Boeri”, thotë Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj i bën thirrje edhe 14 familjeve të mbetura në pallatin e dëmtuar rëndë nga tërmeti, që të mos përdoren nga politika sikurse ju ndodhi familjeve tek Astiri, por të pranojnë të futen në banesat e reja.
“Për 14 familjet e mbetura, thirrja është: mos u përdorni nga politika që ju shfrytëzoi edhe te Lodrat, dhe tek Astiri, dhe te Teatri, dhe te Bulevardi. Ejani merrni shtëpitë e reja e jetoni të sigurt, se këta të Gjirit të Lalzit i kanë zgjidhur hallet e tyre”, thekson Veliaj.