Adriatik Lapaj ka reaguar në rrjetet sociale në ditën e 96-të të rezistencës së “Shqipëria Bëhet” për hetimin penal ndaj tij prej Policisë së Tiranës. Lapaj thotë se sapo ka mësuar që është kallëzuar për herë të gjashtë për një total prej 14 veprash penale dhe i quan uniformat blu “policia politike”.

Lapaj thotë se ky akt erdhi nga guximi i qytetarëve për të thënë se po vidhen. Kryetari i “Shqipëria Bëhet” thotë se Rama nuk ka çuar asnjë ministër në prokurori, por merret me hetimet penale për qytetarët.

“Sapo mora dijeni që policia politike e Edi Ramës më ka kallëzuar për herë të gjashtë për një total prej 14 veprash penale. Më ka kallëzuar dhe po më përndjek politikisht sepse kam dhe kemi si qytetarë guximin për t’u thënë të vërtetën e madhe. Ata po na vjedhin. Ata janë qeveria më hajdute që mund të ekzistonte. Policia politike e Edi Ramës, në 13 vitet e sundimit të tij, nuk ka pasur guximin të çojë qoftë edhe një ministër të vetëm në Prokurori për gjithë këtë maskaradë dhe hajdutëri të madhe, por gjen letër dhe kohë për të proceduar penalisht qytetarët që nuk dakordësohen me vjedhjen që na bëjnë. Ata do të rrëzohen një nga një në të gjitha shkallët e sistemit të drejtësisë sepse ne e kemi të drejtën dhe Kushtetutën me vete”,  thotë Lapaj.

Protesta e së dielës para Kryeministrisë u shoqërua me tensione dhe përplasje me efektivët, ndërsa mbështetës të lëvizjes së Lapajt vijojnë prej javësh të qëndrojnë në zonë në formë proteste.

Më 9 mars, policia njoftoi procedimin për Lapajn dhe tre anëtarëve të lëvizjes.